Sunday, 31 October 2021

Puna e vështirë e politikanëve


Këtë javë disa vetë kanë trokitur në derën time dhe më kanë spjeguar shkurt se janë pjesëmarrës në garën e zgjedhjeve për këshilltarë në Bashkinë e qytetit. Në Kanada nuk ka fushata të partive në zgjedhjet bashkiake. Individët futen të vetëm në garë dhe nuk kanë mbështetje nga pas edhe pse mund të kenë ndonjë lidhje me partitë kryesore. Nuk di nëse kjo është më mirë apo më keq se në Europë, por kështu është.

Kandidatët më kanë spjeguar shkurt se cilët janë, sepse kanë parë edhe padurimin tim për t’i dëgjuar dhe më kanë lënë në dorë nga një broshurë të vogël, të cilat i kam hedhur menjëherë në koshin e riciklimit. Nuk kam ditur asnjëherë se ç’bëjnë këshilltarët bashkiakë dhe kryetarët e bashkive dhe nuk jam rrekur të mësoj. Kjo nuk do të thotë, që nuk e di se është i gabuar ky qëndrim.

Por ky shënim I shkurtër ka të bëjë me punën e politikanëve, të cilën shpesh herë e kritikojmë me lehtëi, por që është vërtet e vështirë, gjë që shpie edhe në korrupsionin e tyre, i cili haset edhe në vendet e zhvilluara. Kandidatët për postet publike dhe politikanët e karrierës duhet të takojnë me mijra njerëz, të trokasin në qindra dyer, të bëjnë dhjetra selfie me të panjohur, të përsërisin vazhdimisht të njëjtat fjalë që ja kanë dëgjuar vetes me mijra herë.

Eshtë vështirë të thuash: E dashuroj një punë të tillë!

Ata që e thonë ose gënjejnë, ose vijnë nga një univers i ndryshëm nga i joni, ose kanë disa difekte të mëdha në personalitet. Kjo është të paktën idea ime për një politikan, që i ka kaluar të dyzetat.

Gënjejnë më shumë akoma politikanët tanë, të cilët thonë se këtë e bëjmë për hir të popullit!

Ndaj edhe tundimi për të marrë rryshfete drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë, është aq i përhapur në jetën politike. I drejtpërdejti është shumë i pranishëm në vendet e Europës Lindore dhe në vendet e tjera në zhvillim, por i tërthorti ndodh shumë shpesh  në vendet e zhvilluara.

Nuk ka kongresmen amerikan, që kur i ka mbaruar karriera si përfaqësues I popullit ka pasur të njëjtën pasuri vetiake të para karrierës ose më pak. Shumica e funksionarëve të lartë shtetërorë kanë përfunduar më vonë ose si biznesmenë, ose si anëtarë të dhjetra bordeve me shpërblime të mëdha.

Në shumicën dërmuese të rasteve janë këto motive që i shtyjnë njerëzit të përqafohen me mijra të panjohur, të puthin bebet e të tjerëve më shumë se fëmijët e tyre gjatë fushatave dhe të puthin edhe “menderet” e miliarderëve për të siguruar fonde dhe mbështetje.

Eshtë një punë aspak e lehtë!

No comments:

Post a Comment