“Të pres në tetor të vish me trenin ekspres” fillonte një poezi e Kadaresë e fundit të viteve ’60, e cila u kthye edhe në këngë në një nga festivalet e Radio-Televizionit të atyre viteve. Ishte një poezi dashurie, që kishte edhe një tingëllim pak futurist, që dëshmonte se po bëheshim europianë. Ishte drejt përurimit hekurudha Rrogozhinë-Fier dhe ishte shpallur se do niste shumë shpejt edhe ajo Elbasan-Librazhd.
Në vitet ’70 transporti i udhëtarëve me tren ishte
transporti më masiv dhe kur nuk kishte data të mbingarkuara, me tren bëhej një
udhëtim komod, jo i prapambetur nëse krahasohej me trenat e vendeve fqinj.
Për fat të keq, ndërsa e gjithë Europa, përfshirë këtu edhe
fqinjët e përmirësuan transportin hekurudhor duke bërë trena më të shpejtë,
vagona dykatësh dhe më komodë, në Shqipëri transporti hekurudhor është në
gjendjen më të keqe të të gjitha kohëve. Si rrjedhojë shtohen bllokimet e
automjeteve në arteriet kryesore, rritet numuri i aksidenteve automobilistike
dhe ndotet mjedisi më shumë. Transporti më i pastër, më i sigurt dhe më i shpejtë
tokësor thuajse nuk ekziston më në Shqipëri.
Më e keqja është se duket se askujt nuk i bëhet vonë për
trenat. As opozitës as medias dhe as klasës së pasur shqiptare. Ndoshta askush
nuk sheh ndonjë përfitim financiar, që të propagandojë nevojën për investime të
mëdha në rikthimin e transportit hekurudhor të pasagjerëve.
Ndoshta do vijë një ditë, kur shqiptarët e moshave të mesme
dhe të shtyra të lodhen në trafikun e ngarkuar dhe njëkohësisht të rrezikshëm e
të kërkojnë nga qeveria “rilindjen” e trenave. Ndoshta pasi të kemi lëshuar në
hapësirë edhe satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”.
Atëhere mund të mërmëritim mes dhëmbësh “Të pres në tetor të
vish me trenin ekspres!” për të marrë pjesë në “Përputhen 40+”.
No comments:
Post a Comment