Ndonëse duken sikur nuk kanë asnjë lidhje, por ka diçka që i lidh zjarret e fundit në brigjet e Mesdheut, përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë dhe protestat kundër vaksinimit në Francë dhe në vende të tjera të zhvilluara dhe më pak të zhvilluara. Eshtë mungesa e besimit tek autoritetet qeveritare dhe ato shkencore. Dhe nuk ka përse të fajësojmë për këtë njerëzit, por qeveritë, të cilat kanë krijuar këtë mungesë të plotë besimi tek ato vetë edhe tani që kanë të drejtë në masat që po marrin. Përsa i përket mungesës së besimit tek autoritetet shkencore, përsëri me faj bëj qeveritë, që duhet të rishikojnë programet arsimore dhe mundësitë e një arsimimi më të mirë të gjithë popullsisë.
Zjarret dhe përmbytjet të shkaktuara nga ngrohja globale nuk
arrijnë të na mbushin mendjen të gjithëve se kriza e klimës është një krizë
ekzistenciale dhe jo aq e largët sa mund t’ju duket shumicës të njerëzve që dinë
të lexojnë. Të gjithë jemi përfshirë në filozofinë e “të shijuarit të jetës” pa
menduar shumë se jeta hedonistike nuk të ngop kurrë dhe do vazhdosh të harxhosh
prodhime të cilat duan energji, që krijohet kryesisht nga djegiet e naftës dhe
qymyrit dhe që ka sjellë edhe zjarret dhe përmbytjet.
Por ndërsa skepticizmi ndaj ngrohjes globale lidhet edhe me
filozofinë “ta shijojmë ne jetën pa…”, skepticizmi ndaj vaksinimit lidhet me
filozofinë “të fut në trup unë këto që thonë këta?!”. E para ka të bëjë me
momentin ndërsa e dyta me të ardhmen. Edhe pse të dyja kanë në qendër egoizmin
dhe shpesh të lidhur me injorancën. Por duhet ta pranoj se ka edhe shumë nga
miqtë e mij të mençur, që hezitojnë të vaksinohen për arsye më të forta se
mbrojtja e lirisë së individit, se teoritë komplotiste apo mosbesimi tek
shkenca, tek sistemi shëndetsor apo tek Bill Gates. Por këta janë një pakicë e
vogël, që nuk e rrezikojnë “imunitetin e tufës”, e vetmja që mund të na
normalizojë disi jetën.
Shumica e atyre që nuk vaksinohen në Amerikë, Kanada dhe në
Europë janë nga shtresat më të varfëra dhe më pak të arsimuara, si edhe nga komunitetet
fanatike fetare. Ndaj dhe nuk duhet të përbuzen duke i quajtur “injorantë“, “të
pagdhendur”, “katunarë“ e të tjera cilësime të këtij lloji, sepse për gjendjen
e tyre e ka fajin e gjithë shoqëria dh e veçanërisht qeveritarët.
Problemi kryesor i vendeve
të zhvilluara dhe të atyre në zhvillim është arsimimi i rinisë.
Krizat e mëdha ekologjike dhe të pandemisë e nxorrën në pah
këtë gjë. Dhe nuk ka se si të ketë arsimim dhe informim të vazhdueshëm në
Amerikë, Kanada dhe Angli, ku arsimi i lartë përgjithësisht është shumë i shtrenjtë.
Në vendet e tjera europiane, ku arsimimi në universitete nuk kushton diçka
duhet bërë me shtresat, që nuk përfundojnë shkollat e mesme ose i mbarojnë dhe
nuk duan më të prekin libra me dorë. Eshtë e drejta e tyre. Por duhen gjetur të
tjera mënyra të “mbushjes së kokës”, që të mos bien pre e teorive komplotiste.
Ngrohja globale dhe refuzimi i vaksinimit janë problemet e mëdha
të njerëzimit, sëbashku me rrezikun e mundshëm të një lufte bërthamore. Janë
shumë më të rrezikshme se korrupsioni i politikanëve, nacionalizmi i verbër,
racizmi edhe pse në njëfarë mënyre të ndërthurura me to.
Diçka duhet të bëjmë edhe unë, edhe ti, edhe ata që njohim
para se të jetë shumë vonë.
No comments:
Post a Comment