Tuesday, 10 August 2021

Tereza Kesovija vs Goran Bregoviç


Lasgush Poradeci pëlqente të përsëriste thënien “Arti ka vetëm një cilësi –Të parë“. Eshtë më se e vërtetë, por po aq edhe sa fakti që ka një renditje të artistëve në gjenij, të jashtëzakonshëm, të mëdhenj dhe …artistë.

E bëra këtë hyrje disi kontradiktore për tu marrë me një fragment të një çështje mjaft të gjerë dhe që do shumë kohë dhe vend për tu diskutuar dhe që është raporti midis popullaritetit të artistit dhe cilësisë të artit të tij. Mora shkas nga një shënim i shkurtër i një simpatizuesi gjysëm të fshehur të Hitlerit, i cili aludonte se Tereza Kesovija është shumë herë më e madhe si artiste se “Bregoviç-ët e politizuar të Festës së Birrës”.

Gjithkush ka të drejtë të preferojë një lloj arti ndaj një lloji tjetër, një lloj artisti ndaj një artisti tjetër, por është e rëndësishme që kur bën deklarata krahasuese në publik, pavarësisht nga preferencat që ke, duhet të “gërmosh” pak për të mësuar se kush është Goran Bregoviç dhe a qëndron vërtet kaq poshtë “këngëtares me kulturë franceze-kroate Tereza Kesovija”.

Mjafton karriera e tij si kompozitor i kolonave sonore të mbi 30 filmave, që të perceptosh vlerat e tij si muzikant. Dhe janë filma jo vetëm të regjisorëve sllavë, por edhe të të mirënjohurve Pedro Almadovar dhe Filip Rusëlo. Si asnjë kompozitor dhe muzikant tjetër ballkanas dhe sllav, ai ka bërë të njohur në rrethet më të larta të muzikës bashkëkohore meloditë me motive ballkanase. Nuk po zgjatem me këngët, koncertet dhe bashkëpunimet e tij muzikore me shumë yje të muzikës europiane dhe vlerësimet e profesionistëve për to.

Tereza është padyshim këngëtarja më e njohur dhe më e sukseshme e Jugosllavisë së Titos dhe para viteve ’70 ka pasur edhe një karrierë të shkurtër, por të sukseshme në Francë. Gjithashtu turnetë e saj në Europë kan qënë shumë të sukseshme. Por bëhet fjalë për një këngëtare shumë të mirë të muzikës së lehtë dhe jo për një muzikante. Të krahasosh nivelin e saj artistik dhe njohjen në botë me atë të Goran Bregoviçit është si të krahasosh Minan me Enio Morriconen.

Simpatizanti gjysëm i fshehtë i Hitlerit, ashtu sikurse dhe idhulli i tij, ka prirje të pëlqejë rryma arti të cilat koha i ka lënë pas dhe njëkohësisht të ndikohet nga preferencat politike për të gjykuar artistët.

Bregoviçi nuk ka nevojë për Korçën dhe Festën e Birrës, por është Korça, e cila ka nevojë për të. 

No comments:

Post a Comment