Kadri Hazbiu për brezin tim ishte sinonimi i “heroit të heshtur”. Nuk fliste nëpër mitingje, rrinte në një cep të tribunës pa shumë lëvizje të trupit e të fytyrës dhe përfaqësonte gjithë frikën që kishim nga Ministria e Brendëshme dhe Sigurimi i Shtetit, këto armë të dashura të Partisë dhe Popullit. Të pakët ishin ata prej nesh që dinin në fëmijëri dhe rini se kush ishte Prokurori i Përgjithshëm apo Kryetari i Gjykatës së Lartë, por shokun Kadri me profilin e tij prej skifteri, urithi apo prej laraske e njihnim mirë. Të gjithë kishin frikë prej tij.
Këtë muaj mediat shqiptare (që kopjojnë njëra tjetrën)
botojnë kujtimet e sigurimsit Gani Kodra nga gjyqi i Kadri Hazbiut i vitit
1983, ku sho Kadri paraqitet si njeri i drejtë dhe i zoti dhe njëkohësisht viktimë
e një komploti të sajuar nga Enver Hoxha dhe njerëzit shumë të afërt me të.
Ganiu vetë ka qënë vartës i Kadriut dhe njëkohësisht pjesë e grupit të të dënuarve.
Ganiu ka të drejtë kur thotë se i gjithë gjyqi për të cilët u dënuan të
akuzuarit me në krye Kadriun ishte i sajuar dhe i shërbente Enverit për qëllimet
e tij politike. Por harron të thotë (ose thotë të kundërtën), që Kadriu dhe
shokët e tij të Sigurimit jo vetëm nuk kishin nam të mirë dhe mbështetje në
popull, por urreheshin nga shumica e tij. Mbi kurrizin e të pushkatuarve Kadri
Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe të dënuarve Mihallaq Ziçishti, Gani
Kodra e të tjerë, rëndonin shumë krime për të cilat do I dënonte çdo gjykatë
edhe në vendet më demokratike dhe më liberale në botë.
Eshtë interesante të kuptosh karakterin dhe mentalitetin e “heronjve
të heshtur” nga qëndrimi i tyre në gjyq. Të duket se vetëm Mihallaq Ziçishti
kishte kuptuar nga përvoja e tij si zëvendës ministër i brendshëm, se ç’duhet të
bënte për të shpëtuar lëkurën. Të pranonte çdo gjë që i servirnin dhe mundësisht
të shtonte edhe diçka tjetër për të shpënë ujin atje ku e deshte Enver Hoxha.
Në të kundërt, Kadri Hazbiu edhe pse kishte qënë për mbi 20
vite ministër i brendshëm dhe ishte pjesë e grupit që sajonte proceset kundër
Todi Lubonjës, Fadil Paçramit, Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Cakos, Koço
Theodhosit dhe Abdyl Këllezit (për të përmendur vetëm gjyqet e shokëve të kupolës),
kujtonte se duke kundërshtuar akuzat dhe duke i nxjerrë gënjeshtarë dëshmitarët
do merrte pafajësinë nga Enver Hoxha! Cili instikt i të mbijetuarit vepronte
tek ky njeri që kishte shpënë para togës së pushkatimit me qindra shqiptarë,
nga të cilët shumë kishin qënë shokë të tij?
Kadriu nuk kishte pasur ndonjë karrierë të lavdishme gjatë
luftës. Mes antarëve të Byrosë Politike ai kishte pasur gjatë saj detyrat dhe
gradat më të ulta. Mund të kishte “shkëlqyer” gjatë përndjekjes së kundërshtarëve
të Frontit prej vitit 1945, kur ishte pjesë e Batalionit të Mbrojtjes, ndoshta
edhe gjatë studimeve në kurset për “çekist” në Moskë, por diçka e tij e kishte
bërë Enver Hoxhën që ta mbante për gati 15 vjet kandidat të Byrosë Politike
edhe pse e kishte emëruar MInistër të Brendshëm. Dukej që të dy mirëkuptoheshin
për rolin dhe sjelljen e tij si “hero i heshtur” dhe jo si udhëheqës partie. Ai
ishte në dijeni të mijra urdhrave të dhëna nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për
të vrarë njerëz, për të arrestuar e dënuar, për të internuar, për të vrarë
jashtë territoreve të Shqipërisë dhe këto jo vetëm nuk i dëshmoi gjatë gjyqit të
tij, por nuk tha asnjë fjalë kundër Enver Hoxhës. Edhe n[ pleniumin e Komitetit
Qëndror, ku do e përjashtonin dhe do e arrestonin, “heroi i heshtur” mbajti një
qëndrim patetik, deri sa edhe vetë Diktatori e cilësoi si “mi gjirizash”.
Dënimi i Kadri Hazbiut dhe sigurimsave të tjerë nuk ngjalli
asnjë keqardhje në popull, por u pa si ogur i mirë, që terrori dhe lufta e
klasave do të ulej ashtu sikundër ndodhi. Njerëzit shprehën keqardhje vetëm për
pushkatimin e ministrit të shëndetsisë Llambi Ziçishti, që ishte i vetmi njeri
në atë gjyq që nuk kishte krime mbi shpinë. E megjithatë, njerëzit u prekën nga
fati i familjeve të tyre dhe sidomos nga vetvrasja e Gon Dautit (djalit të
Kadriut) në internim, që njihej si futbollist dhe djalë i mirë në Tiranë.
Sigurisht që kujtimet e Gani Kodrës do shkruhen sipas mendjes
dhe këndvështrimit të Gani Kodrës. Por edhe atje nuk shikon atë që duhet të jetë
reflektimi i një njeriu të shekullit të XX. “Ne
kishim bërë gabime dhe faje të rënda dhe krejt papritur, Ai të cilit i kishim
shërbyer, na shpërbleu në mënyrë mosmirënjohëse me plumb dhe me burgime të
gjata!”
Vetëm kështu njerëzit mund të falin me gjithë shpirt edhe
Kadriun edhe Ganiun.
No comments:
Post a Comment