Në mediat sociale si dhe në komunikimet mes njerëzve në mënyrë dixhitale ka hyrë shprehja “Respekte”, që herë shoqërohet me pikëçuditëse, por më të shumtën e rasteve jo. Për të qënë i sigurt hapa fjalorin e gjuhës shqipe dhe përkufizimi i fjalës “respekt” ishte “Nderimi që kemi për dikë duke u nisur nga mosha, nga meritat ose nga cilësitë e tij;…” Në internet mund të gjesh përkufizime të ngjashme në gjuhë të ndryshme, sepse është një fjalë që përdoret thuajse në të gjitha gjuhët e reja.
Në fëmijërë na patën mësuar të tregonim respekt për më të
rriturit, për mësuesit dhe për të gjitha gjërat me vlerë. Nuk na e kishin përmendur
kurrë në shumës, se duket që nuk kishte kuptim. Respekti mund të ishte i madh,
mund të ishte i thellë, mund të ishte i ndjerë ose edhe i shtirur, por nuk
ishte kurrë në sasi. Tani që askush nuk i lëshon vendin një të moshuari në
autobuzin qytetës, kur vajzave që nuk i njeh mund t’ju thuash rrugës “ej pjeshkë“,
kur nuk të bëhet vonë se bezdis të tjerët në tavolinën ngjitur duke pirë duhan,
tani fjala “respekt” nuk mjafton por duhet thënë në shumës- “respekteeeee”.
Ka njerëz në mediat sociale që mbulohen me miliona “respekte”
sa ata e dinë se si i përballojnë. Kushedi sa tmerr duhet të jetë, po qe se
fillon të hetohesh nga SPAK dhe të humbësh tërë ato “respekte”! Se respektet të
duket sikur i ke ti, po në fakt i ka tjetri. Dhe nuk ka as treg të hapur dhe as
të zi të respekteve, se ndryshe mund të bëje derman duke i këmbyer me letra me
vlerë, ose me respekte të një kohe tjetër, ose të lëna trashëgim nga gjyshi.
Fundi i llafit kjo puna e “respekteve” është si punë dënglash,
që na tregon se vanitozë dhe sa hipokritë jemi.
(Në këto dy minuta të mjafta për të lexuar këto rrjeshta kushedi sa rimorkio me respekte janë shkarkuar në FB, Twitter dhe Instagram)
No comments:
Post a Comment