Saturday, 7 August 2021

Vjeshta e vitit 1982


Po shkruaj këto rrjeshta i ngacmuar nga një artikull i Dashnor Kaloçit rreth gjyqit të Kadri Hazbiut dhe të tjerëve të Ministrisë së Brendëshme. Por paraqitja e ngjarjeve të Kaloçit sipas kujtimeve të Gani Kodrës nuk do më bënte përshtypje nëse nuk do kishte qënë harresa e shumë të tjerëve që kanë jetuar në atë kohë. Disa nga që vërtet ngatërrojnë ngjarjet dhe kohët, dhe disa të tjerë që e bëjnë në mënyrë të qëllimshme.

Në një bisedë të pabotuar, që një gazetar bënte para disa vitesh me Kadarenë, ky i fundit i tregonte se pas vitit 1982 ishte “komplet i mpirë dhe nuk i bënte më përshtypje se ç’mund t’i bënte Sigurimi dhe Partia!”. Gazetari që e kishte jetuar edhe vetë atë kohë harronte se ç’ndryshim i madh ndodhi në jetën e vëndit dhe në përndjekjet, që ngjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1982.

Pas vetvrasjes së Mehmet Shehut në dhjetor të vitit 1981, Enver Hoxha u mundua ta kthente në favor të tij një ngjarje, që nuk kishte si të kalonte shumë lehtë edhe brenda vendit dhe jashtë tij. Pas dërgimit të Kadri Hazbiut në zonën e Mallakstrës, e vetmja zonë ku Shehu kishte mbështetje të fortë dhe ku vendasit e kërkonin ta varrosnin me nderime, u shpërnda në organizatat e partisë e famshmja “Tablo Sinoptike”, ku Shehut i hidheshin të gjitha gjynahet e 30 viteve të Diktaturës, që kur Mehmeti ishte bërë Kryeministër. Gjithashtu me shkrim dhe me thashetheme po krijohej përshtypja në popull se krimet ishin kryer nga Ministrija e Brendëshme, gjë që mirëpritej nga shumica dërmuese e shqiptarëve. U arrestuan Ministri i Brendshëm Feçor Shehu, kushëri i parë i Mehmetit, Fiqerete Shehu, ish-zvministri i Punëve të Brendëshme Mihallaq Ziçishti dhe plot të tjerë që diheshin se i përkisnin klanit Shehu, ku hynte edhe Gani Kodra. Kadri Hazbiu kishte kohë që ishte emëruar Ministër i Mbrojtjes, por përderisa nuk po propagandohej si shpëtimtar i situatës, mendohej që edhe ardhja e tij nuk ishte shumë e sigurt se kishte punuar gjatë si zëvendës i Shehut dhe gjithashtu dinte shumë rreth krimeve të Diktaturës.

Në gjithë vendin ishte një frymë lehtësimi pas 9 viteve të terrorit të egër që kishte nisur në verën e vitit 1973, pas pleniumit të IV, që dënoi Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Tashmë Diktatura po rrekej të merrte një fytyrë më njerëzore duke nxjerrë si figurë të dytë Ramiz Alinë, i njohur si më liberal mes Byroistëve. Po bëheshin më shumë përpjekje për të përhapur teorinë e vjetër “uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet poshtë“.

Në shtator kisha nisur vitin e fundit në Fakultet dhe ndryshimi ishte i ndjeshëm. Flisnim më hapur me shokët që kishim folur edhe më parë rreth abuzimeve dhe absurditeteve të regjimit. Në klasë kishim edhe një vajzë nga familja Backa, të cilët posa ishin goditur si vëllezër që kishin pasur poste kyçe në Ministrinë e Brendëshme dhe atë të Mbrojtjes. Ndjenim keqardhje për të dhe megjithëse më parë i kishim ndenjur larg, u munduam t’i përcillnim një ndjenjë solidarizimi, sepse posa e kishte lënë dhe i fejuari, si ndodhte ato kohë me familjet që goditeshin nga pushteti.

Pat filluar faza e fundit e Diktaturës, 9-vjeçari i kalbëzimit, kohë kur nisën racionimet në ushqim dhe standartet e jetesës u ulën akoma më shumë. Por megjithëse Diktatura vazhdonte të godiste “armiqtë e popullit” dënimet për agjitacion dhe propagandaë ishin shumë më të kufizuara dhe kundër pushtetit filloi të flitej në rrethe më të gjëra. Njerëzit talleshin me “besnikët kriminelë“ Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti dhe të tjerë të dënuar me burgime të gjata ose dhe me vdekje, por nuk kishte keqardhje. Në të kundërt, për fëmijët e tyre të persekutuar, si ishte rasti i futbollistit Gon Dauti, që u vetëvra në internim, Vladimir Shehut të vetvrarë në Gramsh, djemve të tjerë të Mehmet Shehut të arrestuar, fëmijëve të Mihallaq Ziçishtit të internuar, njerëzit e shprehnin hapur keqardhjen.

Diktatura e Enver Hoxhës nuk ka ndjekur një vijë konstante gjatë 40 viteve që ai ishte i gjallë dhe në të ashtuquajturën Lufta e Klasave, që përkthehej në terror dhe persekutime. Paraqitja e njëtrajtshme e saj jo vetëm që është larg të vërtetës, por edhe shërben për të ritushuar figura të caktuara kriminelësh, ose për të justifikuar sjellje të caktuara të njerëzve të rëndësishëm. I tillë është edhe rasti që përmenda i Ismail Kadaresë, i cili mundohet të justifikojë shërbimet e tij ndaj regjimit në një kohë kur nuk rrezikohej aspak të burgosej dhe që është periudha pas vitit 1982. Atë vit ai kishte të tjera probleme të natyrës familjare, të cilat i zgjidhi edhe me ndihmën e Sigurimsave Neshat Tozaj dhe të tjerë.

Brezat e fëmijëve tanë dhe të tjerët pas tyre asnjëherë nuk kanë për ta mësuar historinë e vërtetë të Diktaturës dhe të viteve që jetuam ne. Eshtë hedhur shumë tym dhe janë transformuar shumë ngjarje dhe personazhe. Me trishtim më duhet të pranoj se po njëlloj as ne nuk kemi mësuar të vërtetën e pastër se ç’ka ndodhur para se ne të vinim në jetë.

No comments:

Post a Comment