Unë nuk i njoh dokumentat që lidhen me të ashtuquajturin “Minishengen ballkanik” dhe as me nismën “Open Balkan” të firmosura para dy-tre javësh nga kryeministrat Rama, Vuçiç dhe Zaev. “A priori” nuk besoj tek asnjeri prej tyre sepse i përkasin klasës së politikanëve të korruptuar ballkanas. Gjithashtu e paragjykoj marëveshjen për faktin se nga 6 vendet e Ballkanit perëndimor në të kanë marrë pjesë vetëm gjysma e tyre. Sidomos flagrant është rasti i dy shteteve shqiptare që nuk janë në një mendje me njëri tjetrin për këtë marëveshje.
Duke e përsëritur, që nuk di në hollësi se përse bëhet fjalë,
nuk mund të them as nëse ka të drejtë Rama apo Kurti, ose të dy gabojnë pjesërisht.
Por fakt është që nëse shqiptarët nuk janë në gjendje të shkojnë si çift në këtë
“dasëm ballkanike” nuk duhet të shkonin fare. Eshtë në logjikën më të thjeshtë
të marëveshjeve ndërajonale.
Por çështja duhet parë edhe realisht, se më pëlqen apo nuk më
pëlqen mua, Rama, Vuçiç dhe Zaev janë krerët e zgjedhur me vota të vendeve përkatëse.
Edhe shumë vendime ndërajonale do merren prej tyre qofshin pozitive apo jo për
Shqipërinë dhe gjithë rajonin. Ndaj edhe etiketimet si “të shitur” apo “tradhëtarë“
nuk vlejnë, ashtu si nuk vlejnë elozhet për kryeministrin shqiptar, i cili
njihet për amatorizëm në marëdhëniet ndërkombëtare.
Mbështetësit e Ramës sulmojnë Kurtin, duke e paraqitur marëveshjen
“Open Balkan” si të sugjeruar nga Amerika dhe Bashkimi Europian dhe Albin Kurti
po prish marëdhëniet e Kosovës me Amerikën dhe BE-në. Por edhe nëse Amerika dhe
BE duan t’i japin një zgjidhje sa më të shpejtë çështjes së Kosovës dhe Ballkanit
Perëndimor, kjo nuk do të thotë se është zgjidhja që duhet të pranojnë
domosdoshmërisht shqiptarët e Kosovës. Të Mëdhenjtë shpesh shohin sim und të
jetë zgjidhja më optimale dhe jo ajo më e drejta. Për Kosovën për shembull u
gabua shumë në marëveshjen e Dejton-it mes administratës së Klinton dhe
Millosheviçit. Edhe gabim të jetë Kurti,
ai përfaqëson vullnetin e më shumë se gjysmës së elektoratit të shtetit të tij.
Dhe vullneti i kësaj gjysme duhet të pranohet se për çështje të rëndësisë kombëtare
ka shumë rëndësi që konsensusi i popullsisë të jetë sa më i gjërë.
Por në gjithë këtë mesele, muzikanti boshnjak Goran Bregoviç
nuk hyn fare. Edhe sikur ftesa e tij të jetë pjesë e një “plani djallëzor të
paramenduar” të Ramës për të goditur Kurtin. Reagimi “patriotik” i mbështetësve
të Albinit në Kosovë dhe kundërshtarëve të Ramës në Shqipëri në rastin më të
mirë duhet quajtur “idiot”, kurse në rastin më të keq “zjarrvënës në marëdhëniet
mes shqiptarëve”.
Në vitin 1981 instrumentistët e Filarmonisë së Izraelit
kishin votuar në favor të luajtjes të një pjese të Vagnerit gjatë një koncerti,
gjë që kishte 40 vjet që konsiderohej tabu në Izrael për shkak të antisemitizmit
të Vagnerit dhe faktit që ishte kompozitori i preferuar i Hitlerit. Zhurrmën më
të madhe në sallë, që solli edhe ndërprerjen e koncertit, e shkaktuan një numur
i vogël spektatorësh dhe më së shumti dy nga punonjësit e sallës që merren me
prerjen e biletave dhe tregimin e vendeve. Të gjithë izraelitët e apasionuar
pas muzikës klasike dhe sidomos muzikantët mbetën thellësisht të zhgënjyer nga
një shfaqje kaq ekstreme ndaj artit të madh.
Edhe nëse kriminelët e kampeve të përqëndrimit frymëzoheshin
nga muzika e Vagnerit para se të fusnin njerëzit në dhomat e gazit, përsëri për
këtë nuk ishte faji i muzikës dhe as i Vagnerit. Për më tepër, shumë nga të
mbijetuarit e kampeve tregonin se zakonisht SS-ët gjermanët dëgjonin valset e
Shtrausit dhe këngë operetash.
Arti i vërtetë nuk shijohet dot as nga kriminelët dhe as nga
nacionalistët. Për ta janë krimet dhe sherret.
No comments:
Post a Comment