Sunday, 22 August 2021

-Moj Mace!


Para disa ditësh kam shkruar rreth një aplikimi shumë interesant të krijuar nga një shqiptaro-amerikan, që nuk do të bëhet hë për hë i njohur. Kush i ka ndjekur shkrimet e mija besoj se e kupton që është fjala për portalin Macebook, për të cilin edhe vetë nuk kam qënë plotësisht i bindur nëse vërtet funksionon.

Pasi provova disa herë të hyja në portal nëpërmjet kompjuterit, Ipad-it dhe celularit dhe dështova, i kërkova spjegime në telefon të njohurit tim. Ai më spjegoi se që të kem “akses” duhet të plotësoj një formular online dhe të atashoj një dokument që provon se jam pronar i një maceje ose maçoku. Unë nuk kam një dokument të kësaj natyre dhe programuesi autor më siguroi që nuk mund të jetë e vlefshme as fotoja e urithit Hugo, që ka folenë në bashtën time.

Nuk është se s’mund të jetoj dot po qe se nuk hyj në Macebook, por doja të verifikoja se sa i vërtetë është. Dhe e vetmja mënyrë e mundshme për mua që nuk ja them shumë nga kompjuterat, programet, aplikimet, portalet, uebet, tre dubëlvërat e të tjera gjëra të komplikuara të internetit, ishte të gjeja sebep e të vizitoja sërish bashkëatdhetarin tim në Vermont. Nuk e kam larg dhe malli na merr të flasim nga pak shqip pas një jave pune në gjuhë të huaj.

Më priti bujarisht dhe më nxorri edhe një tas të madh me hashure, se e ka porosi nga i gjyshi, që kur është festa e hashures të bëjë një kazan të madh dhe ta ndajë me të njohurit. Hashurja ishte shumë më e mirë se ato të NTSHUS-it të Tiranës, që hanim kur ishim studentë, por unë e kisha mendjen në Macebook. “Hashure hanim kur i binim maces me lugë.”- i thashë si për t’ja sjellë rrotull dhe ai me plot dëshirë më tha nëse doja të ndiqja përsëri bisedën online të dy Dacëve. Këtu dyshova, që duhet të ishte diçka e sajuar dhe i kërkova që mundësisht të ndiqja dy mace, ose një çift të përzjerë, ose më mirë akoma ndonjë grup ku mace dhe maçokë me interesa të caktuara diskutojnë me njëri tjetrin.  Ma plotësoi dëshirën menjëherë dhe në katin nëntokë, ku mban serverin, filluam të ndiqnim këmbimet e grupit “Mjaullij macërisht”.

-O dac!- ishte përsëri kuqaloshi.

-O dac!- ja ktheu dhe hirnoshi dhe kjo më futi thellë në dyshime, gjë që më ka mbetur që prej firmave piramidale. “Po të më kërkojë para të dhuroj për portalin, nuk do i jap” mendova i vendosur duke ndjerë që po bija pre i një skeme të programuar mirë.

Kur papritur në ekran u shfaq edhe një maçok vëngërosh, të cilin nuk ja gjykoja dot moshën. Ai filloi të shkruante me shpejtësi për rëndësinë e macërishtesh në një botë, ku minjtë po shtohen në progresion gjeometrik dhe kur është mëse i nevojshëm jo vetëm uniteti mace-maçokë, por edhe hapja me të gjithë llojet e tjera të minjngrënësve. Kuqaloshi u shpreh me entusiazëm, kurse hirnoshi ishte më i rezervuar, sidomos për aleancën me gjarpërinjtë. Vëngëroshi vazhdonte të mburrte idenë e tij gjithpërfshirëse duke dhënë mundësinë e ndërtimit të programeve për mësimin e macërishtes edhe nga reptilët, por hirnoshi tundte kokën e madhe prej daci i menduar. Deri sa në bisedë, për lehtësimin tim u përfshi edhe një mace laramane, me sy të mëdhenj. “Qënka diçka e vërtetë“ mendova i bindur dhe nisa të ngjisja shkallët për të dalë në katin mbitokë, ndërsa dëgjoja tingëllimat e mesazheve të maçokëve:

-          Moj Mace! - Moj Mace!  -Moj Mace!

No comments:

Post a Comment