Sunday, 8 August 2021

Më mirë që nuk kemi helikopterë!


Në këtë vapë gushti me lajme zjarresh, plagosjesh, shpejtësish skëterre, arratisjesh, nuk ka se si mos të të bëhet koka çorbë dhe në të të shoqërizohen nocione dhe ide nga më të çuditshmet. Për shembull edhe pse ndjehem keq për mungesën e mjeteve të fikjes së zjarreve, papritur më lindi idea “Shyqyr që s’kemi shumë helikopterë!”

Po e shtjelloj më poshtë se si lindi dhe se nuk është aq dashakeqe. Po lexoja se si disa të dënuar me burgime të gjata, apo në pritje dënimesh të rënda u kapën në përpjekje për t’u arratisur nga burgu 313 me çarçafë të lidhur njëri pas tjetrit. Një arratisje shumë e vjetër në analet e arratisjeve nga burgjet, ose le ta quajmë ala Matias Shandorf. Dhe cilët donin të iknin me çarçafë (që mund të mos jenë edhe të fortë për shkak të abuzimeve me tenderat e blerjeve për burgjet)? Pikërisht disa të dënuar për trafikim kokaine, që ka të ngjarë të kenë dhjetra miliona euro.

Kërkonin të iknin me çarçafë pikërisht se nuk ka helikopterë!

Na kujtohen arratisjet e bujshme me helikopterë në Greqi dhe Francë dhe plot të tjera janë realizuar me sukses në Amerikë. Po janë realizuar se në këto vende ka helikopterë.

Dikush mund të kundërshtojë e të thotë se helikopterët që nuk janë do ishin në kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk kishte se si të përdoreshin nga organizatat kriminale për arratisje kriminelësh nga burgjet! Po edhe radarët e Adriatikut nga Ministria e Mbrojtjes kontrollohen, por ndizen e fiken sa herë ju duhen trafikantëve të marihuanës. Këtu bëhet fjalë për trafikantë kokaine që janë në gjendje të paguajnë pilotët, mekanikët, drejtorët e drejtorive dhe deri në Ministri i Mbrojtjes.

Ndaj dhe çdo e keqe, sa do e madhe e ka një të mirë. Nuk shuajmë dot zjarret se nuk kemi helikopterë, por ndalojmë arratisjet e kriminelëve pikërisht duke mos patur helikopterë.

Eshtë gusht dhe temperaturat janë shumë të larta! Kërkoj ndjesë për çdo spërdredhje të logjikës së zakonshme që mund të ketë ky shkrim.

No comments:

Post a Comment