Tuesday, 10 August 2021

Armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm…


Në kohën e fëmijërisë dhe rinisë sonë “armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm” u përpoqën të na sabotonin, sulmonin, diversonin, helmonin, në funksion të marrjes së pushtetit nga duart e popullit, por dështuan në sajë të “udhëheqjes së partisë“, “unitetit parti-popull”, “vigjilencës revolcionare” dhe “armës së dashur të popullit- Sigurimit të Shtetit”.

Nuk di nëse “armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me ata të brendshëm” morrën leje të zgjatura për disa vitet e para të ndryshimit të sistemit, por ata filluan të gjallërohen prej vitit 1997 dhe kanë arritur kulmin në ditët tona.

Në një takim me zoom për problemin e Mësonjtores së Parë Shqipe në Mars të këtij viti, ish-ambasadori i Shqipërisë në Angli Mal Berisha bëri një deklaratë të fortë, e cila më la të kuptoja shumë gjëra që nuk i dija. Edhe nëse nuk e përcjell “mot a mot” fjalën e tij, pak a shumë ishte: “Ne si komb kemi mbetur pa Teatër Kombëtar, pa Galeri Artesh, pa teatër të Operas…ekzistojnë në Tiranë grupe që financohen nga jashtë për të na lënë pa traditën kulturore dhe një komb pa kulturë…” Sigurisht mendova që formacioni i këtij diplomat-historiani duhet të jetë nga shërbimet inteligjente tonat dhe i mora si të vërteta. Më parë kisha dëgjuar për grupe islamike në Tiranë që financohen nga Arabia Saudite, për grupe terroriste që financohen nga Gylen, për grupe politiko-financiare që financohen nga Sorros, për grupe fundamentalistësh ortodoksë që finanacohen nga Kisha Greke dhe mendja ma merr që do ketë edhe shumë grupe të tjera që finanacohen nga rusët, sërbët, kinezët, mongolët, izraeilitët dhe indianët, për të dobësuar kombin tonë dhe pushtetin demokratik të dalë nga zgjedhjet jo të vjedhura ndonjëherë.

Këto ditë zv.kryeminstri Braçe edhe pse nuk shkon me ministrin Peleshi, ka zbuluar grupe të caktuara që venë zjarret të vëna nga një shtet i huaj Piroman dhe sa të zbulohen dhe të kapen këta duhen dënuar si terroristë sipas tij. Kuptohet që anëtarët e qeverisë sonë kanë burime të sigurta informacioni. Ka grupe terroriste që sabotojnë prodhimin e imonikëve, që nxitin ndërtimet pa leje, që tentojnë zhdukjen e pelikanit kaçurrel, që nxitin prodhimin e kanabisit, që prishin shtretërit e lumenjve dhe që nxjerrin shitës ambulantë qepkash pa lejë në kryeqytet.

Veprimtaria e “armiqve të jashtëm në bashkëpunim me ata të brendshëm” është itensifikuar më shumë se kurrë. Ndaj ka disa muaj që shoh me dyshim çdo të njohur timin në Shqipëri. Përfshi këtu edhe avokatim tim në Tiranë, i cili bën vizita të shpeshta në Gjermani. Një kushërire nga Tirana që më dërgoi një dhuratë “bajagi” të shtrenjtë për rrogën e saj si mësuese, ja ktheva menjëherë se mund të jetë pjesë e grupit të armiqve që duan të sabotojnë sistemin arsimor kombëtar. Nuk dua t’i lëndoj të afërmit e tjerë për të cilët kam gjithashtu shumë dyshime.

Shqipëtarë vigjëloni!

Uji vjen me orar, por hasmi nuk njeh orar!

No comments:

Post a Comment