Sunday, 1 August 2021

Gusht e…tanga


Ka humbur përfundimisht kuptimin shprehja e anëve tona “gusht e gunë“, sepse ngrohja globale ka sjellë veçanërisht këtë vit një të nxehtë “të papame”. Në Tiranë nuk durohet në trup as këmisha, ndërsa në Korçë edhe pantallonat e shkurtra të “burrave me pantallona të shkurtra” nuk mbahen dot. Jo të gjithë kanë ajër të kondicionuar në ambientet e shtëpive dhe lokalet po ashtu nuk e përballojnë dot me aparatet e tyre të nxehtin përvëlues.

Nuk është mjaft të ndjerit fizikisht të kësaj kapriçioje të natyrës, për të cilën e kemi fajin vetë, por edhe psikologjikisht qytetarët shqiptarë duhet të torturohen nga vapa. Nuk u gjet një kohë më e freskët për të promovuar dy libra mbi historinë e Rrogozhinës? Në mendjen e çdo shqiptari, që ka pritur disa orë për ndrrimin e trenave në Rrogozhinë, vjen dielli që të binte në çaçkë të kokës dhe nuk gjeje dot hije të fshiheshe, si dhe mungesa e ujit të pijshëm. Qysh 50 vjet më parë ujin në Rrogozhinë duhet ta blije me 5 lek gota! Pije freskuese nuk kishte asokohe në atë qytezë, ku kishte kaluar para dymijë vjetësh rruga Egnatia.

Ministri i Mbrojtjes jo me mbiemrin Balluku, por disi ndryshe, që lidhet përsëri me flokët, është detyruar të ndërpresë pushimet në Spanjë për shkak të zjarreve, që kanë përfshirë shumë zona të Shqipërisë së Jugut. Ndoshta është rasti më i mirë për të porositur helikopterë të rinj dhe më “adapt” se Zamiri i Bitijes për të blerë helikopterë, që mos i rëndojnë shumë buzhetit të shtetit nuk ka. Momenti është i përshtatshëm se Rama me Cuçin janë në Liban, kurse Erion Braçeja është pa gjumë për shkak të të nxehtit dhe betonierave të Lali Erit.

Diçka duhet të bëhet urgjentisht, sa të kthehet lali Eri nga Tokioja, për të ndryshuar kodin e veshjes të paktën për Tiranën dhe Shqipërinë e Mesme. Një takim i menjëhershëm me krerët e komuniteteve fetare për të lejuar që të konsiderohet moralisht e pranueshme dalja në kryeqytet me tanga. Të paktën për Gushtin! Diçka e tillë mund të ketë ekzistuar në të kaluarën përderisa deri në ditët tona ka mbetur shprehja “ec me tangërllik!”. Nëse teologu Elvis Naçi nuk do e pranojë, mund të gjendet me të një marëveshje për t’i dhënë eskluzivitetin e shitjes së tangave për burrat, si dhe shitjen e kompleteve tanga+hixhab për gratë. Një zgjidhje duhet për të shpëtuar nga zhurritja të gjithë dhe jo vetëm modelet, këngëtaret, balerinat dhe gazetaret sportive.

Si do duket kryeqyteti pas këtij vendimi?

Do vazhdojë të jetë një çorbë derri por me pak sensualitet më shumë dhe me kryeqytetas me “allate” të freskuara. (Kjo do shtojë edhe pjellorine, i cili për fat të keq është në rënie në Shqipëri.)

Si do e presë Europa e Bashkuar?

Po kujt i bëhet vonë, kur Ballkani i Hapur, me ballkanas mendjehapur mund të demostrojë hapur lirinë e tij.

No comments:

Post a Comment