Monday, 23 August 2021

Ekspozita kineze


Në vitin 1969 , kur miqësia shqiptaro-kineze ishte në ditët e saj më të mira, në qytetin tim u ndërtua një ndërtesë e pazakontë 4 katëshe, e cila për një kohë u quajt “Ekspozita kineze”. Më vonë u kthye në Ndërmarjen e Prodhimit të Veshjeve, ose si njihej nga të gjithë NPV-ja.

Them “e pazakontë“ se dukej që ishte një ndërtim industrial, por shumëkatësh, i ndryshëm nga të gjitha veprat industriale të ndërtuar në qytet, që kishin shtrirje horizontale. Unë isha 10 vjeç, pa ndonjë ide të qartë rreth botës dhe njerëzve, por si gjithë fëmijët i prirur për të qënë miqësor ndaj njerëzve dhe të huajve, ku atë kohë hynin vetëm “shokët kinezë“ me uniforma doku dhe kapele, të cilët i ndiqnim pas të na jepnin ndonjë “stemë me Mao Ce Dun”, të cilën më pas e kapardisnim në anën e majtë të gjoksit. Kinezët ishin gjithnjë të qeshur, ose na dukeshin ashtu për shkak të syve të tyre gati të mbyllur. Dilnin në qytet në grupe dhe të gjithë i përshëndesnin me kokë, por pa hyrë në bisedime me ta, se askush nuk dinte kinezçe dhe dukej që edhe vetë kinezët kishin udhëzime të mos përzjeheshin me vendasit.

“Shokët kinezë“ banonin në një pallat të tyre, që edhe sot quhet pallati i kinezëve dhe që bashkë me kopështin japonez, kodrën e Kenedit, shkollën e Maltës, shkollën greke janë të vetmet toponime me ngjyrim ndërkombëtar të Korçës. Korçarët kanë qënë veçanërisht patriotë se në kohët e marrëzisë socialist-patriotike ndryshuan edhe emrat e fshatrave të zonës së banuar nga maqedonasit nga Pustec në Liqenas e me rradhë.

Pallati i kinezëve ishte përballë ekspozitës kineze, e cila kishte ngjallur shumë kureshtje në popullsinë e një qyteti të izoluar nga Diktatura, që nuk këmbente dot me Greqinë fqinjë për shkak të mungesës së marëdhënieve diplomatike dhe ku vizitat e të afërmve nga Amerika ishin të rralla, po për shkak të mungesës së marëdhënieve diplomatike.

Legjendat rreth durimit kinez, gjenialitetit krijues të popullit kinez, fitoreve të Revolucionit Kulturor, devotshmërive ndaj marksizëm-leninizmit dhe unitetit të dy popujve tanë kishin kohë që qarkullonin në vend dhe ne ndjeheshim me fat që nuk ishim 2 milion shqiptarë, por 602 milion revolucionarë, se Kina kishte kohë që nuk e jepte numurin e saktë të popullsisë, po e mbante në 600 milionshi. Ndaj dhe ekspozita, që pritej të kishte prodhime kineze në një kohë që po zhdukeshin nga shitoret këpucët çeke, fësh-fëshet rumune, biçikletat gjermano-lindore, ishte ishulli i shumëndërruar i prodhimeve “të jashtme”. Brenda vendit po prodhohej thuajse gjithshka, prej atleteve “të shpifura”  dhe sandaleve plastike të Durrësit, kaminetove me vajguri të Gjirokastrës, batanijeve të Beratit, fanellatave të kombinatit “Stalin”, bluzave të pambukta dhe të brendëshmeve të trikotazhit të Korçës dhe deri tek këpucët e zeza që të shtrëngonin këmbën të fabricës së këpucëve të Tiranës.

Ekspozita u përurua dhe rradha për ta vizituar ishte e gjatë. I ngjante një tregu të madh shumë katësh, si ata që quhen “department store” në Amerikën e Veriut. Ishte vërtet interesant jo vetëm për ne fëmijët, por edhe për të rriturit, që edhe pse kishin akoma kujtimet e “tregut të lirë“ të paraluftës, kishin 25 vjet që nuk kishin parë artikuj të përdorimit të përditshëm aq të shumtë e të larmishëm. Ndoshta cilësia nuk ishte si e prodhimeve perëndimore, por ishte shumë më lart se cilësia e mallrave të vendit. Kishte edhe televizor, që shumë korçarë e shihnin për herë të parë. Spjegimet jepeshin sipas sektorëve nga vajza gjimnaziste të veshura hijshëm, që ndoshta edhe paguheshin për orët e punës në ekspozitë. Ekspozita kishte qënë e hapur më parë në Tiranë, në mjediset e ngritura enkas pranë Lanës, ku më vonë u ngrit ekspozita “Shqipëria sot”. Më pas ishte ndarë në dy pjesë dhe njëra ishte ekspozuar në Korçë.

Ndoshta pas 6 muajsh ekspozita u mbyll dhe mallrat përfunduan magazinave ose në shtëpitë e atyre që ishin më të lidhur me pushtetin dhe me Ministrinë e Tregëtisë së Jashtme. Ndërtesa e financuar nga kinezët mbeti dhe për dy dhjetvjeçarë punuan në të qindra gra korçare dhe një pjesë e prodhimeve eksportoheshin nga një biznesmen holandez, që kishte marëveshje për prodhim konfeksionesh me shtetin shqiptar. Në vitet ’70 në vend kishte shumë mallra kineze, një pjesë e të cilave i kishim parë në ekspozitë dhe që shiteshin jo lirë. Deri sa pas dhjetë vitesh nga hapja e ekspozitës, marëdhëniet me Kinën u prishën dhe çdo send e “prodhonim si në rrethim” dhe kur je në rrethim, i izoluar nga e gjithë bota, merret me mend se ç’mund të katranosësh. Fabrikat që na kishin falur shokët kinezë vazhduan të prodhojnë dok, plastikë, plehra kimike, trikotazhe, traktorë, hekur ndërtimi, çimento, tela bakri, llamba, televizorë dhe radio, si dhe aspirina e ilaçe të tjera. Shokët tradhëtarë kinezë i mallkuam për të gjitha dështimet tona ekonomike, ashtu si i kishim ngritur në qiell për 20 vjet.

Ndoshta në ato vite u mbrujt plotësisht karakteri i jonë mosmirënjohës në sajë të Partisë dhe të shokut Enver. Ajo që vazhdon është historia jonë e urrejtjes dhe mosmirënjohjes ndaj të huajve.

 

Ne foto Pallati i Kinezeve dhe ne te djathte te saj duket pjeserisht ndertesa e ekspozites.

No comments:

Post a Comment