Zjarret po vazhdojnë të përvëlojnë Shqipërinë dhe duket që Ministri i Mbrojtjes ka mbetur i vetëm për të përballuar këtë luftë të vështirë me natyrën. Duket që Rama e ka braktisur se lufta me zjarret është e humbur. Në të kundërt kryeministri i kudondodhur kur vjen fjala për përurime, pritje vaksinash në aeroport dhe dorëzim tapish tek fshatarët do kishte nxjerrë fytyrën e tij në frontin fitimtar të luftës kundër zjarreve. Por ka zgjedhur të lerë Nikon si kryezjarrfikës, pasi e ka lënë me një helikopter të vetëm. Shteti shqiptar u detyrua të marrë me qera dy helikopterë privatë për të bërë diçka kundër zjarreve, me sa mund të bëhet me tre helicopterë në mbi njëqind vatra zjarri. Makina e Partisë Socialiste ka vënë në ndihmë të Ministrit të Mbrojtjes vetëm thashethemet se zjarrret janë të qëllimshme, vihen për të dëmtuar imazhin e PS-së e të tjera dëngla si këto. Por asgjë më shumë as për shuarjen e zjarreve dhe as për Ministrin e Mbrojtjes.
Nuk ndjej ndonjë keqardhje për ministrin Peleshi, se është
një rrugë, të cilën e ka zgjedhur vetë, që kur i ka hyrë politikës dhe sidomos
kur pranoi të bëhej pjesë e Rilindasve të Ramës. Ai e kishte të qartë se çdo të
theshte të punoje për të. Do pranoje britma, fyerje, ndonjëherë edhe ndonjë
grusht, por mbi të gjitha do ishe i përgatitur që të shkarkoheshe pa arsye, ose
të ta linin dobiçin në derë. Nikoja i pranoi të gjitha këto për hir të
privilegjeve që sjell karriera politike në një vend të korruptuar si Shqipëria
dhe nuk besoj të jetë penduar për këtë. Si “hakmarrje” ndaj Ramës vepron në mënyrë
të ngjashme me bashkëpunëtorët e tij.
A do e “përvëlojë“ çështja e përballimit të zjarreve për
marrjen pjesë në qeverinë Rama 3?
Nga ç’ka mund të kuptosh nga shtypi dhe nga qëndrimet e krerëve
të nivelit të dytë në PS, Peleshi duket si kartë e djegur për shtatorin dhe do i
lihet “në administrim” si gjithnjë Qarku i Korçës. Eshtë diçka që ai e ka
kuptuar kohë më parë, që në vjeshtën e vitit 2013, kur pasi u emërua
zv.kryeministër mori edhe një shpurë të madhe pas nga Korça me ëndrrën e
Rastinjakut se po bënte të tijin Parisin! Shumë shpejt kuptoi se në Tiranë nuk
kishte të bënte me krokodilë por me pirranja, që nuk të linin as koskën po qe
se ju hyje në sofrat ekonomiko-financiare që kishin ndarë.
Këtë rradhë Rama po e le të shkrumboset dhe për fat të keq
ose të mirë të Shqipërisë, bashkëqytetari i im Niko nuk është pe Asbesti!
No comments:
Post a Comment