Sherifin nuk e kisha parë, por ja kisha dëgjuar zërin disa herë në Radio. Im arë më kishte thënë që Sherif Merdani ishte korçar dhe ishte këngëtari më i mirë i muzikës së lehtë mes burrave. Vendi i parë mes grave kishte vite që i takonte pa asnjë diskutim Vaçes. Ndaj kisha një simpati shumë të veçantë për Sherif Merdanin në fundin e viteve ’60 dhe prisja të fitonte në festivalet e këngës. Sherifi duartrokitej shumë, por nuk fitonte çmime të para, se ato vite ato rezervoheshin për këngët për Partinë dhe heronjtë e punës , që kishin humbur jetën aksidentalisht. Ishin vite që biografitë nuk shiheshin me skrupulozitet dhe njëkohësisht, nën parullën e goditjes së “zakoneve të vjetra” kishte më shumë nxitje për rininë dhe këngët rinore.
Kisha dashur ta shihja Sherifin në Korçë, por më kishin thënë
se punonte si mësues në Prrenjas dhe vinte shumë rrallë në qytetin e lindjes.
Duhet të ketë qënë festivali i 9-të, kur e kam parë për herë të parë në
televizor dhe të bënte të ndjeheshe krenar, se ishte edhe shumë i pashëm.
Për rreth 5-6 vjet Sherif Merdani ishte më i preferuari i të
rinjve dhe këngët e tij buçisnin në Radio dhe në gjithë koncertet e grupeve
amatore. Nuk di nëse mund ta krahasoj me ndonjë këngëtar të muzikës së lehtë të
asaj kohe në Itali apo në Francë, sepse Sherifi kishte një timbër zëri të veçantë
dhe njëkohësisht nuk di në se imitonte ndonjë nga të mëdhenjtë e muzikës së
lehtë europiane. Ndoshta kishte preferencat e tij për këngëtarët anglezë dhe
amerikanë, se në të vetmin rast kur e kam parë në skenë këndoi “Dhjetë kitarat”
e Engelbert Humperdink. Nuk kam qëlluar të dëgjoj në intervistat e tij të pas
vitit ’90 se cilët kishte këngëtarët më të preferuar.
Si shumë fëmijë i kisha mësuar thuajse të gjitha këngët e
Sherifit dhe më pëlqente t’I këndoja edhe jashtë shtëpisë. Veçanërisht më pëlqente
“Fqinja” e Kastriot Gjinit, por edhe “Të pres në tetor” kompozitorin e të cilës
nuk e di, por teksti ishte i Kadaresë, që ishte një tjetër idhull i fëmijërisë
sime. Në një konkurs të “zërave të rinj” që zhvillohej çdo vit në Shtëpinë e
Pionierit pa tjetër që do këndoja një këngë të Sherifit dhe atë vit ishte shumë
e suksesshme “Nëna”. “…Në rrudhat e tyre
ne pamë/ Shtigjet tona…” e këndoja me pathosin e një fëmije 11 vjeçar, i shoqëruar
me fisarmonikë nga kompozitori i ardhshëm Josif Minga. Më vunë ta këndoja edhe
në një koncert për 8 marsin dhe ndoshta në çdo notë, që arrija me vështirësi
mundohesha të imitoja Sherif Merdanin. “Nënat
tona kush i ka vallë?/Shqipërisë i rrinë yll në ballë…” ishte edhe refreni i
fundit që këndova para qindra spektatorëve, sepse më vonë e kuptova që nuk
kisha zë për tu bërë këngëtar e të ngjasoja me Sherif Merdanin.
Më pas erdhi “ i mallkuari” festival I 11-të, ku Sherifi
ishte I vetmi këngëtar, që kishte dy këngë. Më pas shkatërrimi dhe dhimbja. Nuk
pata rastin ta takoja Sherifin pasi kishte dalë nga burgu edhe pse e shihja
shpesh në Korçë, ku nuk ndenji më shumë se dy tre vjet.
Mbeti për mua këngëtari i ëndrrave, dikush që i përkiste
eterit dhe më pas ferrit dhe për të cilin nuk e shprehje dot dhimbjen në sytë e
njerëzve edhe pse ishe i sigurt që e kishin burgosur kot.
Tani është më qiellor dhe i etertë se kurrë!
Lamtumirë Sherif!
No comments:
Post a Comment