Thursday, 12 August 2021

Kush ishte Qorri i Bibes?


Në të tatëpjetën e viteve time, më ze gjithnjë e më shumë malli për Korçën dhe për personazhet me të famshme të saj, ata që kam patur fatin t’i njoh dhe ata që s’i kam njohur po ju kam dëgjuar “zërin”. Papritur dje e gjeta veten duke kërkuar diçka që e kisha para dhe e shava veten: “Po para syve e kishe o Qorr i Bibes!” Nuk është një shprehje ta kem dëgjuar nga të tjerë veç korçarëve. Dhe më zuri malli për sokakët, sofatet, nofkat dhe vrava mendjen si nuk kam pyetur se kush ishte Qorri i Bibes. Bile duhet të kisha pyetur më parë se cila ishte Bibja.

Që ose Bibja ose i biri i saj, të cilin nuk e thërrisnin me emër, po me togfjalëshin “Qorri i Bibes” duhet të ketë qënë të famshëm në anët tona kjo nuk mund të vihet në dyshim.. Nuk di nëse mund ta krahasoj me popullaritetin që ka sot Fredi i Pemes apo Nikoja i Peleshëve, po që ka qënë i pari mes atyre me problem shikimi, kjo është mëse e qartë.

Kërkova edhe në faqet e “Këtu mbledhim materiale për Korçën” (që më tingëllon si parrulla në dyqani i Takas – “mbledhim shishe, letra dhe kartonë“) por nuk ka asnjë shkrim, dokument dhe as përmendje të Qorrit apo Bibes. E vetmja e dhënë që më kujtohet është që djali i Bibes ka patur vetëm një sy, por nuk ka informacion tjetër nëse kishte apo jo probleme të shikimit edhe në syrin që i kishte shpëtuar. Me siguri ka jetuar në kohën kur Korça nuk ka pasur okulistë.

Po si ta ketë pasur vallë Bibja emrin? Ishte e besimit të krishterë, myslyman apo ateiste? Sado që gërmoj në emrat e përhapura të shekujve më parë, në mendje më vijnë si të përafërt vetëm Bitije, Beatriçe dhe Bislime. Madje ky emri i fundit përdoret më shumë në Kosovë. Pa identifikuar Biben, mëhallën ku kanë jetuar dhe shekullin përkatës do jetë shumë e vështirë të identifikojmë Qorrin.

Koha ka bërë të sajën duke hedhur shumë mjegull mbi të kaluarën, qeramidhet, kalldrëmet dhe rrogoveckat e qytetit tim të dashur. Pak a shumë na ka lënë si Qorra të Bibes rreth historisë së qytetit dhe tashmë kam humbur besimin edhe në ndonjë shpluhurosje që mund t’i bënte Niko Kotherja. Ka vajtur me ngritje në Tiranë.

Ndoshta dikush, që di diçka, që mund të ketë dëgjuar ndonjë gjë nga gjyshërit, ose ka gjetur ndonjë libër të vjetër që ju ka shpëtuar koleksionistëve Artan Lame dhe Koço Kokëdhima, do më ndihë për të zbuluar diçka rreth historisë gojore të vendit ku më ka rënë koka.

Ndoshta edhe për ta shpallur “Nderi i Qytetit” (pas vdekjes).

 

No comments:

Post a Comment