Fjalët e mësipërme i përkasin librit “Dimri i vetmisë së madhe” të Kadaresë, dhe paraqiten si mendime të Enver Hoxhës gjatë diskutimit të Dolorez Ibarurit në mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë. Nuk di nëse Ismaili i kishte menduar vetë, apo i kishte përcjellë “mot a mot”, sipas përshkrimit që Enver Hoxha i kishte bërë për disa orë në vilën e tij gjatë një vizite.
Edhe pa ditur se cila ishte “Pasionarja”, që në leximin e
parë që i kam bërë, i gjithë pasazhi më kanë lënë një shije të keqe, e cila nuk
më është ndarë sa herë dëgjoj të flitet për Dolorez Ibarur. Ishte një koment
cinik për një grua komuniste, e cila ishte përpjekur gjithë jetën për një kauzë
në të cilën besonte dhe po qe se kthehej në Spanjën e saj të dashur do
pushkatohej nga regjimi i Frankos. Për komunistët-nacionalistë Enver Hoxha dhe
Ismail Kadare (ky i fundit ishte anëtar i Partisë së Punës në kohën që shkrojti
librin dhe deri në rënien e Murit të Berlinit), kjo ishte mënyra më e mirë për
damkosjen e një gruaje gati 70 vjeçare, që po mbronte një formë më të moderuar
të komunizmit, që ishte ai i Hrushovit.
Mu kujtuan këto fjalë ndërsa lexoja përsiatjet e një “ëndërronjësi
të darvinizmit social”, të cilat m’i dërgoi për të më shuar kureshtjen një miku
im. Eshtë pak a shumë e njëjta damkosje, jo ndaj një individi, por që i drejtohet
një grupi më të madh njerëzish, të cilët “përsiatësi” i përcakton si “njeriu
sorrosian pa rrënjë“. (Ka bajagi anti-semitizëm në këtë përcaktim.) Miku im më
pyeste nëse e fusja edhe unë veten në “njeri sorrosian pa rrënjë“ dhe unë
megjithëse nuk kam aspak të bëj me Sorrosin, si qënie njerëzore nuk kam pasur
kurrë nevojë për rrënjë, sepse jam i lindur i tillë.
Po le të themi se emigrantët në përgjithësi, ose kozmopolitët
në veçanti, janë “njerëz sorrosianë pa rrënjë“ në kuptimin figurativ të rrënjëve. (Kuptohet që sikundër “përsiatësi” unë fus këtu
jo ata emigrantë që mbajnë në kokë qeleshe, pështillen me flamurin kuq e zi,
ose dalin në foto shpesh duke bërë shënjën e shqiponjës me dy duart para
gjoksit.) Po flas për ata, që sikundër edhe unë, mendojnë se Globi është i të
gjithëve dhe për të gjithë. Eshtë e kuptueshme, që gjuha, kujtimet, emocionet, ëndrrat,
të lidhin shumë më fort me Shqipërinë se të themi me Arqipelagun e Kaledonisë së
Re, të cilin nuk e kam vizituar ndonjëherë, pork jo nuk do të thotë se po të
jetoj për 6 muaj atje nuk do të ndjehem se jam ky që jam, apo më keq akoma se
jam “dikush tjetër” në një tokë “armike”.
Por për “përsiatësin”- “Atdheu
është mundësia për të jetuar vetveten, për tu realizuar si një qënie e plotë
dhe unike. Gjithshka tjetër është gënjeshtër, vetmashtrim dhe hipokrizi!”
Natyrisht që nuk është e nevojshme të kërkoj ndihmë tek Xhojsi,
që vinte nga një vend i mbushur me nacionalistë-idiotë, sepse “përsiatësi” është
shumë larg nivelit intelektual të irlandezit të madh. Por nuk mendoja se afëria
me mendimet e ekstremit të djathtë mund ta shpinte deri në humbjen e logjikës.
Sipas mendimeve të tij të konsoliduara edhe me një pikçuditëse në fund, çdo “njeri
pa atdhe” nuk jeton veteveten, por dikë tjetër. Dhe më shumë akoma, ai jo vetëm
gënjen vetveten, por është edhe hipokrit. Këto dy sjellje nuk mund të ndodhin
një kohësisht, se dikush që ka gënjyer vetveten nuk mund të jetë hipokrit. Por
sikundër të tjerë ushtrues Diktaturash apo përkrahës të tyre edhe “përsiatësi”
do të gjejë cilësitë më të ulëta për të dërmuar karakterin e “njeriut të mbetur
pa atdhe”.
Nga njerës të tillë, që tundin flamujt e Atdheut, botës i kanë
erdhur shumë të këqija. Ndoshta ata vërtet e kanë jetuar vetveten si patriotë
dhe kriminelë, janë ndjerë të plotë dhe unikë dhe kanë përbuzur dhe vrarë të
tjerët.
Për fat të mirë, dëshira e përsiatësit për të vrarë, ka
mbetur një dëshirë e parealizuar.
No comments:
Post a Comment