Pjesëza të një interviste të këngëtarit beratas Kozma Dushi dhënë gazetares Fatmira Nikolla, më sollën në mendje një shprehje të viteve ’70-’80, të cilën e kam vendosur si titull të këtij shënimi. Ishte kryesisht për privilegjin e sportistëve dhe artistëve për të dalë jashtë shtetit, gjë që ishte plotësisht e ndaluar për të gjithë qytetarët e tjerë. Përjashtime bënin vetëm delegacionet dhe shoferët e Eksportit.
Edhe pse shprehja pasqyronte një të vërtetë, në vetvete ajo
kishte një ngjyrim pexhorativ. Sportistët dhe artistët meritonin të dilnin
jashtë Shqipërisë për veprimtaritë e tyre edhe pse motivi kryesor ishte
propaganda e Diktaturës për arritjet në kulturë dhe sport.
Kozi nëse ka dalë jashtë shtetit, ka dalë jo si këngëtar i muzikës
së lehtë, por për të kënduar këngë popullore, se në ato vite vetëm ansamblet e
muzikës popullore mund të dilnin jashtë Shqipërisë. I ndjerë i privilegjuar nga
kjo dhe nga të mira të tjera që gëzonin në ato vite, krahasuar me popullsinë, këngëtari
Dushi bën deklaratën absurde “Ato ishin kohë të arta (për artistët)!” Dikush që
bën një pohim të tillë vetëm artist nuk mund të jetë, se nuk ka kuptuar asgjë
nga arti. Nuk ka kuptuar se arti mbi të gjitha është liri, protestë, dashuri, përkujdesje
për më të dobëtit, fisnikëri.
Nëse vlerësim për artistin konsideron se të jepnin dy kile
domate pa rradhë ose një kg djathë fshehur, nëse quan se të hapeshin dyert për
të porositur një mobilje pa mbajtur rradhë ose siguroje lehtë një kabinë plazhi
atëhere nuk ke kuptuar asgjë nga jeta që ke kaluar dhe as nga kjo që po kalon.
Sigurisht që jeta për një këngëtar estrade si Kozi ishte e
lehtë se këndonte jo më shumë se dy këngë në një shfaqje dhe estradat kishin
vetëm 4 premiera në vit. Krahasuar me një mjek apo agronom që rrinin me orë të
tëra në punë për një pagë më të vogël se ajo e disa artistëve, Dushi dhe shumë
këngëtarë të tjerë shqiptarë nuk bënin asgjë gjithë ditën dhe ndoshta kanë mall
për një kohë kur rrinin dhe ishin më të privilegjuar se të tjerët. Por ato nuk ishin kohë jo të arta, por as
normale. Ishin kohë të deformuara, që nuk mund të vazhdonin për jetë. Mund të
ishin “të arta” për Kozin vëngërosh se arrinte të flinte me vajza të ndryshme
kur shkonte në turne nëpër qytete të ndryshme dhe në një kohë të tjetër mbase
nuk do e kishte këtë fat.
Por po të jetë vetëm Kozmaj që ka të tilla ide do mjaftonin të theshim që “Dushi
ka nevojë për një dush të ftohtë se i ka rënë dielli në çaçkë.” E keqja është
se një refren të ngjashëm mund të dëgjosh edhe nga pseudoartistë të tjerë, ose
njerëz që vetëm se jetonin pak më mirë se të tjerët ëndërrojnë kthimin e kohëve
të vuajtjes dhe mizerjes. Ato nuk ishin “kohë të arta” as për sadistëtë që mund
të hynin në organet e rendit dhe të torturonin të tjerët, se ju vinte edhe
atyre rradha të torturoheshin apo ekzekutoheshin dhe familjet e tyre të vuanin
rëndë pasojat.
Kohët e diktaturave janë të tmerrshme dhe Diktatura jonë
ishte ndër më të egrat që ka njohur shekulli I XX-të.
No comments:
Post a Comment