Friday, 6 August 2021

Kënga idiote “Emigranti”


Për herë të parë dëgjova dje këngën “Emigranti” të vëllezërve Prifti. U bëra kureshtar se kush e kishte krijuar dhe pashë se ishte krijim i plotë i Endrit si tekst dhe muzikë. Aranzhimin (pjesën më me vlerë) e kishte bërë dikush tjetër.

Endri dhe Stefi kanë qënë emigrantë në Greqi dhe gjithashtu shkojnë shpesh nëpër botë për të dhënë koncerte për bashkëatdhetarët ndaj mendova se edhe nëse  nuk do kishin kapur plotësisht filozofinë e emigrantëve (gjë e vështirë për tu arritur në një këngë) të paktën do kishin diçka prej mentalitetit të emigrantëve shqiptarë në botë. Dhe jo se nuk kishin asgjë të vërtetë, se për shembull në refren ishte kapur një e vërtetë e madhe e panjohur që shprehej në vargjet: “Emigranti, emigranti/ Në gjithë botën do jetojë/ Si i pasur si i varfër/ Ai jetën do shijojë“. Nuk kuptohet nëse është për gjithë emigrantët në botë apo vetëm për ata shqiptarë, por e rëndësishme është që konfirmon “ai jetën do e shijojë“, gjë që nuk ju ndodh atyre që jetojnë në vendet e tyre.

Unë kam dy dyzina me vite që jetoj si emigrant në një vend, pjesë e të cilit ndjehem, dhe kurrë nuk më kishte shkuar mendja se po e shijoja jetën. Kisha provuar qindra ndjenja të paprovuara kur kisha jetuar në Shqipëri si dhe më kishin përshkruar mendjen mijra mendime të reja, por vetëm tani kuptova se cila është esenca e të qënit emigrant. Mund të jesh i ndryshëm, bile aq i ndryshëm sa të jesh “ose Al Kapone ose kompozitor”.  Jam i moshuar tani për tu bërë Al Kapone, por me vullnet dhe duke shpenzuar në një shkollë private muzike mund të bëhem kompozitor. Dhe të bëj një këngë për kantautorët shqiptarë ku hyjnë jo vetëm vëllezërit Prifti, po edhe kantautori Maksi Kulla dhe Papa Spiroja, që posa ka thurrur vargjet e një kënge politiko-filozofike dhe e këndon bashkë me të njohurin Disho.

Dhe këtu vijmë në një pikë, që unë si emigrant nuk arrij ta kuptoj:

Ka shtëpi diskografike për të botuar këngët e lehta në Shqipëri apo cilido mund të thurrë disa bejte, i ve dhe dy akorde dhe mbush eterin nëpër botë me idiotizma?

Mund të më thoni që ky është kuptimi më i plotë i lirisë më të plotë, kur cilido mund të shkruajë, këndojë dhe “performojë“ çdo gjë që i vjen nga fundi i kurrizit dhe i del nga gurmazi. Nëse nuk të pëlqen kënga “Emigranti” mos e dëgjo!

Por më duket se mediat që i transmetojnë këto këngë, ose edhe ato që vetëm i quajnë artista Endrin dhe Stefin, kanë përgjegjësinë para publikut shqiptar të shkruajnë rreth “idiotizmave” të tilla , të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me Artin.

No comments:

Post a Comment