Vendi im ka shumë e shumë probleme. Ka 30 vjet që drejtohet nga një klasë politikanësh të korruptuar të cilët lejuan, që korrupsioni të depërtonte në çdo qelizë të jetës shqiptare.
E megjithatë Shqipëria
nuk është Afganistan! Nuk ka qënë kurrë e tillë as në ditët më të këqijat e
saj dhe më të mirat e Afganistanit, në fundin e viteve ’70, kur në Kabul
drejtonte një qeveri pro-sovjetike.
Afganistani është një nga vendet më të varfër dhe të
prapambetur të Azisë, që shkoi edhe më prapa në mesin e viteve ’90, kur pjesa më
e errët e shoqërisë afgane mori në dorë drejtimin e vendit. Në ato vite nuk
kishte vend në botë me të cilin ta krahasoje. Hyrja e amerikanëve më 2001, e
detyruar nga mbrojtja që Talibanët po i bënin Bin Ladenit e shpëtoi vendin përkohësisht
prej tyre, por edhe pas 20 vjetësh Talibanët treguan se kishin mbështetje në
popull dhe përkrahje nga Pakistani dhe ekstremistët islamikë kudo në botë dhe
arritën të imponohen ndaj amerikanëve për t’i marrë në konsideratë si partnerë
në bisedime.
Kjo është shkurtimisht historia e 30 viteve të fundit të
Afganistanit, të cilën disa analistë anti-amerikanë në Shqipëri po mundohen ta
paraqesin si dështim të amerikanëve sepse këtë të fundit mbështetën udhëheqësit
e korruptuar. Sipas tyre i njëjti skenar do ndodhë edhe në Shqipëri sepse
amerikanët mbështesin politikanët e korruptuar dhe në rastin konkret Ramën!
Krahasimi dhe përfundimi “logjik” është jo vetëm absurd, por
edhe shumë dashakeq. I gjithi drejtohet kundër angazhimit të ambasadores
amerikane Kim në problemet kryesore të Shqipërisë, si dhe në shpalljen nga
Departamenti i Shtetit “non grata” i Berishës.
Në Afganistan jo vetëm nuk ka pasur një klasë politikanësh (t’I
quajmë normalë), por atje vendi dhe shoqëria drejtohen nga të mëdhenjtë e
fiseve ose nga ata që quhen “zotër-lufte” (warlords), që ngjanë pak a shumë me
bajraktarët dhe bajraqet tona të shekullit të XVIII. Në luftën për dobësimin
dhe zhdukjen e Talibanëve, amerikanët detyrimisht do mbështeteshin në “tipa” të
tillë, se alternativa tjetër ishin ekstremistët islamikë. Korrupsioni ishte
galopant që me Presidentin e parë pro-amerikan dhe vazhdoi deri në ditët e
fundit, sepse në një shoqëri aq të varfër dhe aq të prapambetur nuk kishte se
si të ndodhte ndryshe.
Për fatin tonë të mirë, shoqëria shqiptare është europiane,
pro-europiane dhe pro-amerikane dhe edhe pse me probleme të mëdha të vjedhjes së
fondeve publike dhe korrupsionit në drejtësi nuk është tjetërsuar. Edhe mbështetja
e Amerikës ndaj PS-së dhe Ramës ka të bëjë pikërisht me ndaljen e këtij tjetërsimi.
Amerikanët e dinë se cili është Rama, por në dallim nga Berisha dhe Meta, ai
nuk doli hapur kundër Reformës në Drejtësi, por e mbështeti atë.
Ndaj për ata që e quajnë ambasadoren Kim “guvernatore e
Shqipërisë“ duhet të them se jemi me fat që kemi një “guvernatore” të tillë dhe
nuk kemi Monika Kryemadhin apo ndonjë shoqen e saj në krye të vendit.
No comments:
Post a Comment