Monday, 2 August 2021

Me qetësi vëllezër dhe motra


Nuk duhet të grindemi për problemet e Kombit. Të bëhemi të gjithë bashkë për popullin. Edhe Saliu duhet ta marë më shtruar me ambasadoren amerikane Kim, por edhe Departamenti i Shtetit nuk është e nevojshme ta mbajë gjithnjë Berishën “non grata”. Për më tepër Lirinë dhe Argitën. Gra zonja. Kanë bërë aq shumë për popullin.

Edhe Iliri me Edin nuk bëjnë mirë që grinden në publik. Ta gjejnë gjuhën e përbashkët se kanë qënë shokë. Të dy të të Majtës europiane janë dhe nuk duhet të jenë në konflikt dhe të përdorin fjalë fyese jo “Like Floriri” apo “Edi Mielli”. Të përqafuar duam t’i shikojmë. Të shkojnë e të dhurojnë gjak të dy për popullin si ka bërë Iliri më parë dhe që u vlerësua me çmim ndërkombëtar. Se kush dhuron gjak është aq fisnik sa nuk mundet kurrë të pijë gjakun e të tjerëve.

“Aleanca për Teatrin” duhet të tregohet më e dashur me Erion Veliajn se të dy palët për të mirën e artit dramatik përpiqen. “Aleanca” do të ringrihet Teatri si ishte, kurse Erioni do ta bëjë më modern. Të dy palët janë për Ngritjen. Nuk ka vend për Dramë dhe as për Komedi mes palëve. Thjesht artdashës. (Dikush mund të thotë se nuk mund të ketë teatër po mos ketë dramë dhe të gjithë të jetojnë në paqe.)

I pakuptim është sherri midis gazetarëve Karlo Bollino dhe Anila Basha, të cilët kanë punuar me devostshmëri në të njëjtën redaksi për shumë e shumë vite. Të dy kanë pasur qëllimin e mirë të bëjnë ndonjë lekë duke informuar popullin shqiptar dhe kanë bërë ndonjë të shkoqur edhe pa informuar popullin shqiptar. Duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për popullin që ta informojnë sa më mirë, sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të paanshme. Basha duhet të heqë dorë edhe nga karikaturat-meme që ju dërgon atyre që e kundërshtojnë duke i paraqitur me organ seksual në vend të hundës. Nuk është as e hijshme dhe as praktike. E mendoj veten të isha në atë pozitë dhe sa e vështirë do ishte të merrja frymë nga hunda, apo më tepër akoma ta fërkoja herë pas here.

Ka edhe sherre të tjera ai ato në rrethe mes Koçit dhe Subashit, apo mes Aldos dhe Lul Bashës, që duhet të arrijnë menjëherë në pajtime, përqafime dhe…futjes së gishtit nga pas për të mirën e atij populli të shumëvuajtur.

“Të bëhen bashkë e të mendojnë për të mirën e popullit”- theshte dikur teto Maqja, shprehjen e së cilës e kujtoj për ditë kur shoh që elitarët shqiptarë grinden mes tyre.

 

No comments:

Post a Comment