Kjo nuk është thirrje që ju bëhet nga të huajt, apo nga Europa Kurvë, por është ajo ç’ka degjohet shpesh në mitingjet e partive populiste (dhe jo vetëm atyre), në mediat dhe në kafenetë e vendeve ballkanike. Janë thirrje që bëhen në emër “të dashurisë për popullin dhe Atdheut”. I bëjnë pa përjashtim bullgarët, turqit, grekët, sllovenët, kroatët, rumunët, boshnjakët, sërbët, maqedonasit, malazezët dhe padyshim edhe ne shqiptarët. Nuk besoj se ka ndonjë renditje mes “atdhedashësve” ballkanikë. Të gjithë i bien gjoksit se përgjërohen për dheun që ju kanë lënë të parët, që ja u kanë copëtuar fqinjët ballkanikë me ndihmën e Fuqive të Mëdha. Pa ditur mirë historinë e tyre dhe të Ballkanit, por duke trumbetuar ato pseudohistori që ju kanë mësuar nëpër shkollat e tyre, ballkanasit janë të gjithë viktima.
Të vjen në mendje një shprehje pak e vrazhdë e Shopenhaurit
rreth nacionalizmit, por e provuar nga koha: “Cdo budalla mjeran, që nuk ka me se të krenohet, gjen si burimin e
fundit të krenarisë vendin të cilit i përket; bëhet i gatshëm dhe i lumtur të
mbrojë çdo marrëzi dhe faj të vendit të tij me dhembe e me thonj, thjesht për të
plotësuar boshllëkun që i krijon kompleksi i inferioritetit.”
Në lirinë e mediave sociale gjen plot patriotë të tillë, por
ndesh edhe me frikën e njerëzve më të mençur për tu shprehur hapur, se nuk jemi
më të mirë se të tjerët dhe se nuk ka kuptim të paraqitemi si viktima të fqinjëve.
Për më tepër absurditetet “patriotike” arrijnë deri në artet e fqinjëve dhe në
ato më të thjeshtat dhe më të përhapurat, që janë këngët. Më kujtohet një rast i
një dasme në SHBA, kur një grup dasmorësh nga Korça nisën të këndonin një këngë
greke dhe disa dasmorë të indinjuar nga Fieri kërkuan që kënga të ndërpitej.
Ditët e fundit në Shqipëri të bien në sy reagimi i gazetarit kosovar Berat
Buzhala, i cili indinjohet se disa lokale në një plazh shqiptar venë këngë sërbe,
të cilat sipas tij lëndojnë ndienjat patriotike të pushuesve Kosovarë.
Po si mund të lëndojë muzika ndjenjat patriotike? Për më tepër
të kosovarëve, që kanë jetuar me breza me muzikën shqiptare, sërbe dhe atë
rome. Edhe veriu i Shqipërisë në kohën e Diktaturës parapëlqente të dëgjonte këngë
sërbe, kroate dhe boshnjake më shumë se këngët italiane, që ishin shumë të përhapura
në kryeqytet dhe në qytetet e tjera shqiptare.
Rasti më absurdo-patriotik i fundit është reagimi i këngëtares
bije të “patriotit” hajdut Koço Kokëdhima, që kërkon bojkotimin e Goran Bregoviçit,
që do këndojë si i ftuar i veçantë në
Festën e Birrës në Korçë. Reagimi i tillë i artistëve ndaj artistëve është
akoma më i mjerë. Bregoviçi është një muzikant i nderuar në të gjithë Europën
dhe edhe nëse mund të ketë kompozuar ndonjë këngë që ka “frymëzuar” të tjera
kafshë-patriote për të kryer krime, nuk e ka pasur atë qëllim. Ditëve festive në
Korçë një i ftuar i tillë i bën nder edhe pse mund të mos ketë shumë
popullaritet në publikun korçar, i cili është më i prirur ndaj një muzike më të
lehtë.
Po a do vijë një ditë kur të këndojmë pa pasur droje nga “patriotët-fashistë“
edhe këngë turke, edhe greke, edhe bullgare, edhe sërbe edhe nga Tinglimajmuni,
sepse jeta bëhet më e bukur kur këndon?
Do vazhdojmë të dëgjojmë këta mjeranë që thërresin “ballkanas
hidhjuni në grykë njëri tjetrit!”?
No comments:
Post a Comment