Monday, 9 August 2021

Shpirtrat na janë shkrumbuar prej kohësh


Lajmet rreth zjarreve në Shqipëri bëhen gjithnjë dhe më tronditëse. Tani edhe në Voskopojë, ku është dëgjuar rrallë të bien zjarre. Shpreson që të fillojnë sa më parë shirat, ose të vijë një shpëtim tjetër nga qielli. Të dhimbsen pyjet e bukura që shkrumbohen, fshatrat që rrezikohen të digjen dhe ku askush nuk i ka shtëpitë e siguruara, si dhe zjarrfikësit e palodhur që kanë pak mbështetje nga ajri, se shteti shqiptar ka shumë pak mjete.

Dhe mbi të gjitha trishtohesh se sheh që shpirtrat e inteligjencës shqiptare janë bërë shkrumb prej kohësh. U mundova në disa nga mediat më të njohura në Shqipëri të gjeja një analizë rreth shkaqeve të zjarreve të këtij viti, të arsyeve pse shteti është kaq i gjunjëzuar, i asaj çka mund të bëhet rreth mikroklimës në të ardhmen dhe gjeta Hiç.

Në dy javë të editorialeve të përditshme të Mero Bazes kishte vetëm Sali Berisha, Ilir Meta, Albin Kurti dhe Goran Bregoviç. E njëjta gjë në gjithë të quajtura analiza të autorëve të tjerë. Po njëlloj tek media tjetër pro-qeverisë Shqiptarja.com, tek e cila i vetmi shkrim i sheqerosur rreth zjarreve ishte një i Mira Kazhanit për vajzat zjarrfikëse.

Por edhe tek mediat pro-opozitës ishte e njëjta gjë. Shkrime proBerishës dhe kundër Sorrosit, pro Albin Kurtit dhe kundër Bregoviçit, pro Bashës dhe kundër Ramës. Asgjë rreth shkatërrimit të shtretërve të lumenjve, ndërtimeve pa leje, ngrohjes globale, që kanë sjellë zjarret e jashtëzakonshme në Shqipëri. Duket që dhe opozitës “i digjet barku” më shumë për Teatrin prej pupuliti që u prish tinëzi nga Rama-Veliaj se sa për djegien e pyjeve shqiptare.

Të gjithë “shpirtrat e djegur” të inteligjencës shqiptare janë të blerë. Nuk ka rëndësi nëse i kanë blerë Ciçikovët e majtë apo ata të djathtë. Kushtoka më lirë të blesh gjithë intelektualët e një vendi (përfshi këtu Akademinë e Shkencave) se sa dy helikopterë për të shuajtur zjarret.

 

No comments:

Post a Comment