Covid-19 gjunjëzoi shumë qeveri të vendeve të fuqishme europiane dhe amerikane. Trump e pësoi me humbjen e zgjedhjeve, Konte me humbjen e postit, Makroni dhe Bolsonaro i Brazilit me rënien e madhe të popullaritetit. Në pozita të palëkundura mbetën Putin, Lukashenko, Erdogan dhe të tjerë udhëheqës autoritarë, që kontrollojnë çdo gjë dhe gënjyen paturpësisht për viktimat dhe problemet e tjera që lidhen me shërbimin shëndetsor.
Edi Rama jo vetëm nuk i humbi zgjedhjet pas dështimit të plotë me përballjen me Covid-19, por tani që
po nis edhe vala e katërt në Shqipëri, e paraqet si sukses të qeverisë luftën
kundër virusit vrastar.
Po si është e vërteta, që edhe ne , si të gjithë popujt nën
trysninë e propagandës dhe që nuk kanë opozitë të besueshme, e harrojmë?
Në Shqipëri nuk u deklaruan si vdekje nga Covid-19 rreth 10
mijë të vdekur më shumë se një vit më parë. Këtë gjë e konfirmoi Instituti i Statistikave
të Shqipërisë. Mosraportimi i vdekjeve ishte
njëra nga mënyrat për të fshehur gjendjen shumë të keqe të spitaleve shqiptare
dhe qeverisjen e keqe të Ramës. Vetëm në spitalet shqiptare ka ndodhur që gjatë
pandemisë, të shtruarit të vetvriten, të tmerruar nga kushtet tmerrësisht të këqia
dhe nga mungesa e efikasitetit në shërim.
Nuk janë publikuar të dhëna të sakta për numurin e shqiptarëve,
të cilët u kuruan me pagesë në spitalet private të Turqisë dhe Italisë, por
dihet se mesatarja e kostos të kurimit ishte diku rreth 30 mijë euro. Kishte
njerëz, që shkuan sapo patën shenjat e para të Covid, për të shmangur koston e
avionit çarter, që vinte për të marrë të sëmurët në gjendje më të rëndë.
Në ndryshim nga vendet e tjera, Rama lejoi që në kanalet
televizive private proqeverisë, të shfaqeshin vazhdimisht propagandues të “antivax”
dhe të teorive komplotiste rreth pandemisë. Me një mendje diabolike, që do të
paraqesë shpërndarësit e këtyre ideve si kundërshtarët e tij politikë, ai
ndihmoi në “mbjelljen” e idesë se virusi është i krijuar, se nuk është aq i fuqishëm
sa pretendohet e të tjera idiotizma të tilla, që sollën humbjen e jetëve mes
njerëzve të keqinformuar. Rama kishte në dorë të urdhëronte ndalimin e këtyre
lloj emisionesh dhe nuk e bëri.
Mes popujve europianë, shqiptarët ishin më keq të informuar
edhe për trajtimin jashtë spitalor të sëmundjes. U shitën në masa të mëdha antibiotikë,
kur dihet që ata nuk kanë asnjë efekt në sëmundjet virusale, por përgjithësisht
kanë efekt të kundërt se dobësojnë sistemin imunitar.
Ky ishte “suksesi” i qeverisë
Rama në përballjen me pandeminë.
Për fatin e keq të shqiptarëve, lufta me pandeminë nuk ka
mbaruar dhe asgjë nuk ka ndryshuar në sistemin tonë shëndetsor dhe njëkohësisht
shumica e mediave janë në kontrollin e qeverisë.
Nuk ka qeveri në botë, që të mbetet më këmbë me këtë gjendje
spitalesh si e jona, por ne mbetemi sërish “të veçantë“, “as Lindje as Perëndim”,
të plogështuar nga shprehja “si të jetë e shkrojtur!”
No comments:
Post a Comment