Një foto e madhe me një kornizë të bukur zinte gjithnjë murin më “të rëndësishëm” të shtëpisë sonë. Ishin prindërit e babajt të dalë në një studio me emër në Stamboll disa vite para lindjes së tij. Fotografia kishte ardhur bashkë me gjërat më të rëndësishme në Korçë më 1937 dhe ishte ruajtur gjithnjë me kujdes nga babai. Ishte e madhe dhe e rëndë, si dhe imponuese për mua, kur isha fëmijë. Nga fotoja më shihnin dy njerëz shumë të rëndësishëm, të cilët nuk i kisha njohur, sepse ishin larguar nga jeta para se të përfundonte Lufta e Dytë Botërore.
Ishin të veshur mirë, madje shumë mirë, sa po të mos e dija
historinë e tyre do mendoja se i përkisnin aristokracisë të Europës Lindore të
fillimit të shekullit të XX-të. Ndoshta të gjithë ata, që kishin mundësi
financiare mesatare ose diçka më shumë parapëlqenin të fotografoheshin si
pjestarë familjesh të rëndësishme. Gjyshi i veshur me një kostum të zi, këmishë të bardhë,
kravatë dhe mban edhe qostek ndërsa nëna me një fustan të stilit viktorian, që
nuk kuptohet se në ç’ngjyrë është dhe një gjerdhan floriri mbi të. Flokët
gjithashtu “të ujdisura” sipas modës së kohës, ndërsa gjyshi mustaqet e përdredhura
dhe me xhel në majrat e tyre.
Babai i adhuronte dhe kjo përcillte tek unë nderimin e
mistershëm ndaj këtyre paraardhësve të panjohur, që kishin qënë për babanë aq të
dashur sa ishin për mua ai dhe mamaja. I shikoja gjatë, por nuk lexoja dot gjë
në sytë e tyre. Më dukej se nëna kishte një lloj trishtimi dhe në fytyrën e saj
gjeja më shumë ngjashmëri me tiparet e mia, kurse gjyshit i mbaja emrin dhe nuk
dija nëse do rritesha një ditë duke patur të njëjtin qëndrim plot vetbesim si të
tijin.
Kur isha më i rritur pata mësuar se nuk kishin bërë më shumë
se shkollën fillore, por kjo nuk i pat shvleftësuar në sytë e mij. Ishin seriozë,
të rëndësishëm dhe diku në një kohë e në një vend të mjegullt. Kishin rritur
babanë tim, që për mua ishte më i mençuri dhe më i drejti në botë. (Edhe sot
mendoj të njëjtën gjë edhe pse kam lexuar për shumë të mençur e të drejtë të tjerë
dhe kam mësuar diçka më shumë rreth relativitetit.)
Nuk kam biseduar as me zë dhe as me mendje me ta edhe pse
kam qënë shpesh vetë në shtëpi dhe i kam soditur. Më është dukur e pakuptim.
Ndoshta nga që nuk I kam parë të gjallë, nuk janë shfaqur as në ëndrrat e mija.
Mbase janë në një qoshe të subkoshiencës, se jam i sigurt që pjesë të tyre
fizike dhe mendore i kam në trupin tim.
Ai quhej Naum Andon Mara dhe ajo Vasiliqi Naum Leço. Ishin
martuar me mblesëri në vitet e para të shekullit të XX-të, kur nuk kishin plasur
luftërat ballkanike, kur përgatitej revolucioni i parë rus, kur çështja Dreyfus
nuk ishte zgjidhur përfundimisht, kur nuk kishte akoma Shqipëri, por kishte
shqiptarë.
Tani prehen pranë njëri tjetrit në varrezat e Shën Triadhës
në Korçë dhe emrat në gur shohin diellin kur lind mbi Moravë. Ka patur fëmijë të
farefisit që çuditeshin kur shikonin emrin e gjyshit, që ishte jo vetëm i njëjtë
me timin, por edhe kishte të njëjtin emër babaj. E dinin që unë nuk kisha
vdekur, por varri me emrin tim i ngatërronte.
Ndoshta në Gjyqin e Fundit do më duhet të pres kur të dëgjoj
të thërresin emrin tim, sepse do jetë rradha e gjyshit. E di që nuk do pres
shumë se ka pasur pak mëkate, sikundër kishte pak babai im.
No comments:
Post a Comment