Saturday, 29 March 2014

U mbars Linda..diçka do pjellë.

Lajmi i mëngjesit të sotëm nuk ka se si të bëhet më i bukur për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Linda, gryaja e kryeministrit Rama është barrsë. (Nuk kam kuptuar asnjëherë, përse cilësori shtatzënë tingëllon më mirë se barrsë. Ndoshta shtatzënë përcakton më mirë gjendjen e trupit të femrës gjatë 7-9 muajve prej fekondimit deri në lindje.) Gjithsesi, nuk ka përse mos jemi të gëzuar. Një njeri që vjen në jetë është një gëzim më shumë për bashkëkombësit dhe doemos një ngjarje e jashtëzakonshme për prindrit. Për më tepër, që bebja do vijë në një moshë relativisht të shtyrë për Lindan, e cila mund të bëhet edhe gjyshe së shpejti.
Shkrimet për këto ngjarje ju shkojnë penave të grave, sepse ato mund të përshkruajnë hollësisht të gjitha ndienjat njerëzore, prej idesë për të pasur brenda trupit një qenie të vetën, joshjes magjike të burrit për të qënë një “ndërzim” i veçantë dhe deri në gjithë mbarëvajtjen e barrës. Ne burrat kujtojmë shumë pak nga shtatzania e partnereve. Gëzimi për lajmin, fshehja e idesë “do zoti është djalë“ dhe urimi me mendje “e pastë barrrën sa më të lehtë, se kush rri dëgjon ankime dhe zhurrma gjatë grykënxjerrjeve!
Unë nisa të shkruaj jo për ndienjat dhe emocionet, por për “impaktin”, që ardhja e fëmijës Rama do ketë në jetën e shqiptarëve. Mos ju duket çudi. Fëmija do ketë një ‘impakt” dhe edhe në rastin më të keq, kur të mos ketë një të tillë, është konceptuar me këtë qëllim.
Ka kohë, që në fillimet e tij në Bashki, që një i huaj ose disa të tillë, rrinë pranë Ramës për ta ndihmuar në atë që sot  quhet ‘krijimi i imazhit”, ose edhe për “marëdhëniet me miletin”(public relations). Nuk di se sa puna e këshilltarëve të huaj ka pasur dobi, se në Shqipëri është shumë e vështirë të parashikosh rezultatin, por duhet thënë që Rama i ka dëgjuar sepse hapi i parë, ai i martesës me Linda Bashën, ishte pikërisht për të fashitur sulmet e kundërshtarëve se ishte njeri kundër familjes ose më keq akoma biseksual. Nuk di gjithashtu se nga cili xhep dalin paratë, me të cilat paguhen "imazhistat". Hapi i dytë është ai i krijimit të një figure atërore të shekullit të ri. Rama është përgojuar për mohimin në gjyq të djalit të tij me të shkretën Makoçi dhe pak mund të “thuhet vizualisht” me foto të tij me të birin e vogël. Shtatzania e Lindas është shans i përkryer, për të bërë foto të tipit VIP, si bëjnë nga Keit dhe Billi e deri tek Brangelina. Sivjet, shqiptarët nuk kanë më pse të shohin fotot e Xhorxhit të VIII, sepse i gjithë shtypi rozë dhe manushaqkë do jetë rreth bebes së ardhme Rama. Besoj se do shohim buzëqeshje të përdëlluara të egocentrikut Rama e deri në stërvitjet e tij me Lindan, sipas stilit amerikan, për të mësuar lëvizjet "shty dhe merr frymë gjatë lindjes".
Ka mundësi, që këshilltarët e huaj të kenë sugjeruar edhe një lindje të bebes për Festat e Nëntorit, që do bëjë një lidhje të drejtpërdrejtë të Ramës me Skënderbeun dhe 70 vjetorin e clirimit. (Sërish këtu futen kujtimet e fëmijërisë dhe thënia “Gjergj, Gjergj, Donika lindi djalë“, që Leko ViçI i përsëriste vend e pa vend Raidhit dhe ja ngrinte nervat.)
Edhe 5-6 muaj pritjeje të bukur do kemi.
Tashmë është zyrtare.

Linda u mbars dhe diçka do pjellë! (Nuk di në është një lajm i mirë për të posalindurit në Shqipëri.)

No comments:

Post a Comment