Saturday, 15 March 2014

Mish apo bonbone?

Po të pyesësh 10 vetë në Korçë, se c’do të të jap tani një copë mish apo një bonbone, ma mer mendja që 9 prej tyre (fëmijët, gratë, pleqtë) do kërkojnë bonbone. Copën e mishit do e kërkojë ndonjë sarahosh, që ka edhe një faqorkë me vodkë në xhep. Shumë shumë edhe ndonjë nëpunës i bashkisë, që mbulon tregëtinë dhe turizmin, por për këtë nuk e ve dot dorën në zjarr.
Pallati i quajtur i Bonbonerisë apo edhe Bar-Korça, u përurua 50 vjet më parë dhe ishte ndërtimi më “shik” i qytetit. Dyqanet e tij në atë kohë, nuk mbeteshin pas shitoreve në çdo vend të Ballkanit. Dukej që “vendorët” atë kohë kishin ngulmuar për parashtesë në Tiranë, se i gjithë ndërtimi e kaloi shumë vleftën fillestare. Binte në sy qoshja e Bonbonerise, e cila nuk ishte e vetmja Pasticeri e kohës. Ciftet që bënin “sullacë“, ktheheshin të mernin ndonjë të ëmbël, ndërsa gratë që kishin ndonjë “sebep” blinin bonbone me peshë. Muajve të ngrohtë, Bonboneria mbushej plot nga njerëzit që blinin akullore “pe dhjetë“, të cilat ishin akulloret më të mira në qytet, pas atyre të Turizmit. Në kulmin e sezonit, ndodhte që një ose dy pasdite, brenda shitores të ndjehej era e qumështit, por këto ishin të vetmet raste, se Bonboneria kishte një pastërti shembullore.
Edhe pas privatizimit, Bonboneria e ruajti traditën veç që u nda më dy ose më tresh, si u ndanë tek ne Partitë, Hotelet, Restorantet dhe Fabrikat. Me siguri kishte një bonboneri të Majtë, një të Djathtë dhe një të të Drejtave të Njeriut. Nuk dihet nëse i Majti apo i Djathti (më shumë të ngjarë ka që të jetë ai i Njeriut) vendosi që në vend të ëmbëlsirave të shiste Mish Viçi, ose ta jepte me qera në në Mishviçshitës(kasap tingëllon mizore). Për këtë si në çdo qytet të botës duhet Leja e Bashkisë dhe Kasapi i të Drejtave të Njeriut këtë e ka marrë sakaq. Dhe jo se ka dhënë ndonjë “të shkoqur” në Bashki, por se Bashkiakët duan t’i bëjnë të qartë popullit të Korçës përparësinë që ka Mishviçi ndaj Bononeve. Proteinë ndaj karbohidrateve. Një bast që është i sigurt se fitohet. Aleanca Qytetare mund të kundërshtojë sa të dojë duke thënë, që nuk është bukur që në qendër të qytetit njerëzit të shohin viça, derra dhe cjepër të therrur e të varur, por Ligaveci Gollash me Shallaqkë(I shtova shallaqkën për ta dalluar nga Ligavecët Gjinko dhe Papa) mund të të mbushë mendjen top, që nuk ka ligj që e ndalon Kasapin të shesë mish në qendër të Korçës. Për më tepër në atë, që quhet me krenari “Pedonalja” dhe kritizerët e thërresin “Pedofilja”, e sjell më pranë “identitetit ballkanik” një kasap llërë përveshur, ngjyra e gjakut dhe era e mishit që thahet se njerëzit mezi e blenë.
Si për karshillëk ndaj qytetarëve të mjerë, përreth Kasapit ka vetëm Banka dhe qytetarët e gjorë, që pasi janë rrjepur nga Bankat e huaja, e ndjejnë se po ju vjen rradha t’i varin nga këmbët në dyqanin ngjitur. Për të plotësuar ciklin e jetës, mbetet që shitorja më tej të kthehet në Zyrë Funerale (ka jo pak të tilla në shëtitoret e Korçës) dhe qytetari të ndjehet i qetë se pasi e kanë rrjepur dhe copëtuar me hanxhar, mund të prehet në një tabut me dru lisi të punuar bukur, si ai i ekspozuar në vitrinën më tej. Dhe të gjitha këto të shoqëruara me shtyllëzat e Pedonales, që ulen e ngrihen të kontrolluara në distancë me teknologjinë më të fundit.
Në fund të gjithë të gëzuar, për të harruar të nesërmen hanë Ligavecë(jo gollashë) nga ata që kanë mbetur pa u importuar nga BE!




No comments:

Post a Comment