Dje në Europë, Azi dhe amerikën Latine, sidomos në vendet ku
lëvizjet e majta kanë qënë të forta gratë festuan 8 Marsin, Ditën e tyre. Shumë
mimoza, po shumë shumë, se në këto dy javë po nuk i mblodhën lulet e shkreta
shkojnë “jabana”, dhurata të voga nga fëmijët dhe partnerët e tyre dhe një
shfrenim për të pasur zili në mbrëmjet tërësisht femërore.
Dikur, në Shqipëri kjo festë urreheshe vetëm nga sarahoshët,
se atë ditë gjithë lokalet ishin në disëpozicion të grave të munduara e të “përvëluara’”
për një çikë aheng. Burrat e tjerë, zgërdhiheshin me “shfrenimin” njëditor të
grave të tyre dhe të botës, kur shihnin nga matanë vitrinave kërcimet bark më
bark, vallet e ndezura e sidomos atë të Napolonit, që nuk ka asnjë kuptim të
luhet vetëm nga dy femra. Por shoqet, motrat dhe nënat tona dëfrenin të paktën
një ditë. Gjithë të tjerat ju duhej të rropateshin në fabricë a në zyra, e
pastaj me vrap të shkonin në shtëpi e të përgatisnin gjithshka për burrat e
“zamanit” dhe fëmijët e tyre. Ishin për të mëshiruar 364 ditë të vitit dhe unë
i mëshiroja akoma më shumë atë ditën e 365-të të dëfrimit të tyre.
Nuk dua të hyj në analiza historiko-politike, se kur kanë qënë
gratë tona më të vlerësuara e më të privilegjuara, sepse mendoj që edhe pse ka
ndryshime, brezi i vajzave të mija në Atdhe nuk është më i vlerësuar se brezi i
motrës sime, i nënës sime apo dhe i gjysheve të mia. Natyrisht që ka më shumë
liri dhe opinioni publik është më i hapur dhe më pak stigmatizues, por sërish
raporti i tyre me “mashkullin pronar” apo dhe me vlerësimin që kanë nga shoqëria
kur mundohen të shkëputen nga kthetrat e tij, nuk ka përmbysje. Dhe e kam fjalën
për qytetin tim, që ka gjithmonë më i emancipuari, e jo për zona ku grave ju
presin flokët se vonohen në kishë apo i plagosin se kanë tradhëtuar shtratin
bashkëshortor.
Unë nuk kam arritur asnjërën nga gjyshet, por më kanë
treguar që ishin zonja në shtëpitë e tyre edhe pse nuk punonin. Mamaja punoi që
kur ishte 18 vjeç, por ishte e vleresuar dhe shkonte edhe në stadium me babanë
dhe ne, kur ishim të vegjël. Më pas, çdo gjë në atdhe shkoi teposhtë. Motra hyri
në punë vërtet në moshën 23 vjecare, por jo vetëm që nuk shkonte dot në
stadium, por edhe në kinema besoj se nuk shkonte shpesh. E njëjta gjë vlente
edhe për bashkëshorten time dhe gjithë brezin e shoqeve të mija. Gra të
sakrifikuara të një “brezi sanduiç”. Gëzimi më i madh i tyre ishin dy javë në
një kabinë druri në një nga plazhet e mbipopulluara, ku duhet të gatuanin në
“kaminetot me vajguri”, të lanin enët në një “postaf të përbashkët” dhe të
“zjenin “ të brendshmet e të gjithëve, kur burrat dhe fëmijët shëllëheshin në rërë.
Po kishin edhe disa dëfrime të tjera. Dasmat në behar, kur duhet edhe të kishin
kujdes në vallzimet me të tjerët, për shkak të xhelozisë së burrave dhe
injorancës së opinionit. Ndaj mezi prisnin atë ditën e shfrenimit të tyre 8
Marsin. Ditë ku mund të ishin disi më vetvetja, sepse rreth e rrotull kishin
shoqet e të njëjtave halle.
Sot, shoqet e vajzave të mija në Atdhe janë më të lira. Një
darkë para tre vjetësh, dy vajzave në moshën e tyre, që po pinin të njëjtën verë
që pija edhe unë një tryezë më tej, kur ika ju dërgova me kamarierin nga një
gotë. Ndoshta nuk më kishin vënë re dhe mbase menduan që ishte ndonjë i
rrjedhur apo ndonjë maniak seksual, por mua më bëhej pak vonë se isha larg
lokalit. Kisha shijuar atë çast kur dy bashkëmoshatare të bijave time në atdhe,
mund të pinin verë të qeta. E megjithatë e di që liria as fillon dhe as mbaron
tek gota e verës. Ato vajza, ndoshta të diplomuara, kanë vetëm mbështetjen e
plotë të prindërve të tyre. Shoqëria është po aq e egër dhe e pamëshirshme me
to. Për të zënë një vend pune, ose duhet të paguajnë, ose do detyrohen të jenë
nën presionin e eprorit mashkull që do të flerë me to. Raste të abuzimeve të hapura
me vajzat e reja në vendet e tyre të punës dëgjoja çdo ditë kur isha në Shqipëri.
Njerëz nga më ordinerët e nga më të fëlliqurit jo vetëm shpirtërisht,
mburreshin kafeneve me numurin e femrave që kishin shtënë në dorë në sajë të
biznesit apo të vendit të punës që kishin.
Ndaj liria e të posadiplomuarave, më dukej ku e ku më larg,
se liria e gjysheve të mija, që duhet të prisnin t’ju ktheheshin burrat nga
Pazari.
Ndaj çdo 8 mars,
kafshoj buzën kur më hip e qeshura me “shpërthimin” dëfryes të grarisë.
I shkrojta këto rrjeshta për të gjitha Juve, gratë e dashura
që flisni të njëjtën gjuhë me mua!
No comments:
Post a Comment