Saturday, 8 March 2014

Demokratet (6)

(vijim)

Për 5-6 muaj, në fund të vitit '94 dhe fillimin e '95, pata kontakte disi më të afërta me Demokratët (Demokratikët më mirë). Më kishin riofruar të drjetoja Zyrën e Urbanistikës në Bashki dhe në gusht '94, ndryshe nga herët e tjera e pranova. Nuk po e bëja as për qytetin dhe as për karrierë. Dy muaj më parë isha zënë me Lapanxën në një mbledhje të KRRT-së dhe më kishte përjashtuar për gjithnjë nga ai keshi. Ofertën e Kryetarit të Bashkisë e pranova si kundërpërgjigje e atij përjashtimi dhe për mos patur rënie të konsiderueshme në aktivitetin tim projektues. E dija që edhe pa miratimin e Pavllos ajo ofertë nuk bëhej. Vura disa kushte, por ato më shumë t'i tregoja vetes, që kisha bërë një kompromis "të pastër" sepse e dija që edhe një i mefshtë si Gjinkoja nuk do kishte zor t'i shkelte ose të më tregonte "rrugën". Më habiti reagimi i njerëzve të PD-së. Edhe pse nuk kisha shkuar kurrë në Zyrat e tyre ata e dinin, që isha "kokë e këmbë" kundër socialistëve. Disa nga mashtruesit si Ilir Myftiu dhe Juli Bregasi më thërrisnin nga një trotuar larg se isha "kujtuar vonë të shkoja në Bashki se ishin mbaruar felat!" ndërs të tjerë më të përmbajtur më shikonin shtrembër. Hapur u shfaq në një artikull të gazetës lokale të PD-së ku kritikohej Kryetari i Bashkisë në përzgjedhjen e kuadrit, e sidomos të vendosjes të "të paaftit Naumaq Mara" në krye të Zyrës së Urbanistikës. Ishte e para dhe e fundit herë, që emri im "zgrapsej" në një gazetë. Më duket se ishte një kryeartikull pa emër, por nuk kisha ndërmend të zihesha me fundërrina si Petraq Kita a një Ladi Golka që ishin "gjoja" gazetarët a atij organi. E megjithatë epiteti "i paaft"ë më kishte djegur shumë, se herë herë e quaja vetë vehten të tillë.  I kërkova Gjinkos t'i përgjigjej artikullit, por më tha që "le t'i injorojmë" duke më zhgënjyer edhe një herë më tepër. Dija që në PD kishte njerëz si Fredi Olli, Koço Kondili, Agron Hasankolli e ndonjë tjetër, që nuk më deshin nëpër këmbë, por asnjëherë nuk mësova kush ishte pas atij shkrimi. Dy muaj më vonë nuk më interesonte më se isha larguar vetë nga Bashkia duke u ndjerë i "lirë", që nuk do kisha më njerëz mbi kokë të më sugjeronin apo urdhëronin se çdo bëja. Për hir të së vërtetës, Gjinkoja nuk ishte nga ata që të imponoheshin se dukej, që më shumë "ngrohte ndonjë vezë të vogël interesi", se sa mundohej të kontrollonte gjithë veprimtarinë e Bashkisë, ku Urbanistika e Lejet e Ndërtimit zinin një vend me shumë rëndësi. Edhe largimin tim u mundua ta shmangte, por unë as pranova ta takoja pasi i kisha dorëzuar "dorëheqjen". Marëdhënia me të ishte një marëdhënie me një llloj adoleshenti jo shumë të përgjegjshëm, që e kishte ende mendjen tërë kohën në filmat pornografikë. E çuditshme si ai 'ligavec gollash" i Institutit Bujqësor u kandidua si i pari Kryetar Bashkie i Korçës!
(vijon)

No comments:

Post a Comment