Refleksioni i pardjeshëm rreth vetvrasjes dhe njerëzve, që
kërcënojnë me të, më soli ndërmend dy ndodhi të shkurtra të kohës së rinisë, të
cilat, për të qënë i sinqertë, i kam mësuar sipas metodës “vesh më vesh”, e
cila shumë herë I ngjet lojës ‘me telefon të prishur”. Po edhe loja me telefon
të prishur, që e luanim vetëm në dimër kur zhgrryheshim ‘sofateve’ të
Bobnbonerisë, e cila edhe pse nuk kishte asnjë lloj konkurimi si në lojrat e
tjera, shpesh herë kishte një finale të këndshme dhe qesharake. Ndaj le të
vazhdojmë me dy historitë e shkurtra të prindërve të dëshpëruar.
Aty nga fundi i viteve ’70, kur të drejtat e studimit ishin
shtrëngar aq shumë, sa jo vetëm duhet të kishe miq dhe nota shumë të mira, një
biografi të pastër dhe sjellje shëmbullore, por ishte e mira që të ishe i pari
i fëmijëve(si në Bibël), që të kishe fatin e madh të diplomoheshe. Dhe pa një
diplomë(mundësisht në UT), perspektivat e jetës për shumë ishin të mbyllura.
Djemtë duhet të bënin 2 vjet të vështira të shërbimit ushtarak, ndërsa vajzat
do e kishin më të vështirë të martoheshin me dikë që nuk rrobtohej në fabrikë
ose në ndërtim. Ndoshta këto mendonte një violinist e patalentuar, kur
kërcënonte prindrit e saj, se po të mos fitonte konkursin për në Institutin e Arteve,
do vriste veten pa një pa dy! I jati dhe e jëma të dëshpëruar, të torturuar nga
mendimi se do humbnin bijën e tyre, nuk lanë gur pa lëvizur dhe më në fund, me
të parën herë ose shumë shumë me të dytën arritën ta fitonin Konkursin! Fundi I
ndodhisë ishte me ‘happy end’, si në filmat amerikanë. Violinistja e
patalentuar u diplomua, u martua dhe rrojti gjatë dhe u trashëgua. Episodi i
vështirë me siguri, që mbeti në të kaluarën dhe prindrit ‘heronj” u larguan të
qetë nga kjo jetë se kishin përfunduar detyrën e tyre më të rëndësishme. Ah po,
në vitet e fundit, me të njëjtin ngulm, prindi-baba, kërkoi pranë bashkisë që e
shoqja të shpallej “Qytetare Nderi”, se donte t’ja plotësonte edhe atë dëshirë
të fundit. Bashkia e shpalli!
Ndodhi e dytë i përket po ashtu periudhës së Diktaturës,
vetëm është e mesit të viteve ’80. Tregon për një baba të dëshpëruar, vajza e
të cilit qante për dashurinë e humbur. Ishte dashuruar me djalin e shokut të
ngushtë të babait dhe me siguri kishte qënë dashuria e saj e parë. Djali i
ngushtë ii shokut të ngushtë të babait, pas disa vitesh dashurie të ngushtë, e
përfundoi marëdhënien, nga e cila u zu ngushtë jo vetëm vajza e gjorë, por dhe
shoku i ngushtë i të jatit. Për të ndihmuar vajzën e dëshpëruar, prindi I
dëshpëruar shkoi një ditë në shtëpinë e shokut të ngushtë për të biseduar me
djalin e tij, rreth dashurisë pa të ardhme të dy të rinjve. I riu duket që nuk
jepte spjegime mendjembushëse dhe në një moment, babai rrëmbeu një thikë duke i
kërkuar atij që e dëshëronte për dhëndër, ta godiste në mënyrë vdekjeprurëse me
thikë. Kur ma kanë treguar atë episode të dhimbshëm, menjëherë mu kujtua një
interpretim të çuditshëm të “Romeo e Zhulietës”, në vitet ’80, ku Zhulieta i
drejtohej të dashurit me fjalët “Pse nuk e merr atë thikë i dashur/Thikën që në
vend të vret…” dhe Romeoja përgjigjej “është thikë restoranti dhe nuk prêt!”.
Sigurisht, djali i shokut të ngushtë jo vetëm që nuk e mori thikën e ofruar se
nuk ishte as budalla dhe as kriminel, por ju rrëfeu për ngjarjen shokëve të
tij. Por edhe kjo ngjarje pati një ‘happy end’, ndaj edhe e tregova. Të rinjtë
gjetën rrugët e tyre në jetë dhe babai u gëzua me nipët e mbesat çamarrokë, që
nuk kishin genet e djalit të shokut të tij të ngushtë.
Morali mbetet universali i Biblës.
Mos u gëzoni o të
gëzuar, mos u dëshpëroni o të dëshpëruar!
No comments:
Post a Comment