Thursday, 6 March 2014

3 vjet më parë

Dita e 6-të  e marsit 2011 paska qënë e djelë dhe unë kam filluar “të flas me vete” jo sepse më pëlqen numuri 6, si mund të mendojë një miku im, porse atë të djelë me siguri nuk kam patur se ku të shkoj. Se pse km filluar këtë blog atë të djelë dhe jo një të djelë tjetër e kam spjegur më ngjan në një shënim të vogël në blog. Kisha disa javë që nuk i tregoja një mikeshe se ç’më shkonte ndërmendje dhe duke mos dashur të flisja me zë të lartë trotuareve mendova t’i shkruaj në një blog. Atje do ishin edhe “të magazinuara”(për të mos zënë në gojë idenë mikluese që do i takonin Përjetësisë).
Kur fillova të postoj më shumë, ja përmenda ekzistencën e kësaj qosheje në Internet avokatit tim, që sa ishte kthyer nga Berlini dhe mikeshës, me të cilën isha pajtuar pa aritur të kuptoj përse isha mëritur. Kur muaj më vonë, ju tregova edhe dy miqve të ngushtë, Blogu mu duk si një stol në Hajd Park të Londrës, ku i hipur mbi të ju flisja kalimtarëve për gjëra, të cilat nuk rrija dot pa i thënë. Sigurisht Interneti është një Hajd Park stërmadh, ku miliona njerëz ju dërdëllisin pambarim të tjerëve dhe ju tregojnë se si ka qënë shoqëria njerëzore, si është dhe si do bëhet. Ma mer mendja se ka edhe miliona që flasin rreth natyrës, arteve, shkencës, yjeve, besimeve fetare, sporteve dhe patjetër edhe rreth organeve seksuale.
Nuk pata dhe as kam ndonjë ide rreth profilit të blogut, i cili deri tani më duket një çorbë derri përkthimesh, krijimesh, shënimesh, kujtimesh, pseudoessesh, analizash politike dhe sharrjesh. Këto të fundit, që duket se kanë të bëjnë me natyrën e çdo njeriu për të shkruar fjalë të ndyra mureve, kur nuk e shikojnë, edhe pse e di që nuk e lartësojnë figureën time prej përkthyesi, krijuesi, pseudoesseisti, analisti dhe lehësi, kanë edhe një anë positive që e kam kuptuar këto muaj të 2014-ës. Ngjallin interesin e kalimtarëve në Internet dhe sidomos të atyre që dëgjojnë t’ju përmendet emri. E zbullova së fundmi jo se më ka shkruar kush, por rastësisht pashë se ka një opsion statistikor për blogun. Konstatova me keqardhje që ndër postimet më pak të lexuara është “Korbi” i Poes dhe më i lëçituri, një shkrim “denigrues” rreth 40 vjetorit të Universitetit të Korçës.
Shaj, shaj si dikush do të dëgjojë! Ka thënë Plini Plak ose I Riu ose asnjëri nga Plinët, por ndonjë akademik shqiptar, ose asnjë akademik shqiptar, por më ngatërrohet thjesht në kokë nga thënia e njohur që nis me “Shpif”. Unë nuk kam shpifur, se edhe nuk më vjen dore, por edhe pse për të sharë me zë të lartë të njohurit apo të panjohurit(dikush me elegancë e quan etiketim) në Atdhe, nuk të duhet ta vrasësh shumë mendjen për të krijuar(shpifur) ndodhi që nuk kanë ndodhur. Psh kam shkruar diçka për Laçon, por ose ka qënë një e vërtetë e sigurt, ose një hamendje e shumë e shumë të njohurve të tij, ose e botuar nga Mediat shqiptare. E njëjta gjë vlen për çiftin Kadare, Drejtor Agollin e deri tek Ligavecët Gollashë.
Nga cilësitë e vetme të blogut, krahas sharjes, është edhe lënia në mes e shumë e shumë postimeve ‘seriale”. Arsyeja është fare e thjeshtë. Mërzitem t’ju shkoj deri në fund ose harroj. Dikush, që njeh më mirë Frojdin dhe Jungun, apo edhe psikoanalistët e sotëm, do gjejë në kjo cilësi, prirjen time të vërtetë psikologjike(apo kollonën të cilës i përkas). Vetë do e futja në një ekstrovert-dembel-të pacipë, por duke qënë se nuk ju shkoj dot gjërave deri në fund, mbase edhe këtu profile psikologjik është i paplotë.
Një tjetër veçori, për të cilën dua të falenderoj 6-9 miqtë e mij, të cilët e dinë që në këtë qoshe të Hajd Parkut virtual unë mbaj herë herë ligjërata të shumëllojshme dhe ose shmangen e nuk më thërresin “mbylle gojën!” për mos më lënduar, ose edhe nëse më dëgjojnë deri në fund nuk thonë gjë. Më pëlqen të mbetet i tillë(pa komente) deri në fund “Kuendemi”. Sepse nuk ka nevojë të debatojmë rreth diçkaje që nuk kemi për ta mësuar kurrë.

Ku endemi?

No comments:

Post a Comment