Sunday, 30 March 2014

Kanella, Atdheu dhe muxhahedinët

Tema e pakëndshme e përpjekjeve me armë, mu kujtua pardje në rrethana tepër të pazakonta. Në një bar në Amerikë, një kamariere e bukur e quajtur Kanellë( Cinnamon) na tërhoqi vëmendjen dhe si ndodh zakonisht me burrat duke pirë, e pyetëm mbarë e prapë në ishte e martuar, si i kishte marëdheniet me burrin dhe se c’punë kishte bërë më parë. Kanella bionde, e cila dukej më shumë si një ish kërcimtare striptize, u përgjegj që kishte qënë në Ushtri. Të habitur e pyetëm për hollësi dhe njëri nga ne në fund e falenderoi, që i kishte shërbyer Atdheut! (Barmeni na tregoi më vonë, që kamarierja kishte qënë tankiste edhe në Afganistan.)
Kanella e bukur, që i kishte shërbyer Atdheut të saj (Shteteve të Bashkuara)në Afganistan, më kujtoi të rinjtë shqiptarë muxhahedinë, të vrarë në Siri. Mund të duket një “shoqërizim" absurd, por do spjegoj që nuk është edhe aq I tillë.
Në çastin e parë, mendova(si më ka ndodhur edhe herë të tjera), se ç'e shtyri Kanellën e bukur, që në moshën 18 ose 19 vjeçare, të rregjistroheshe në Ushtrinë Amerikanë. Motivet mund të jenë disa. Dëshira për trainim dhe punë me pagesë, dëshira për aventurë, dashuria me një të ri ushtarak, ndienja e shërbimit ndaj Atdheut. Janë të gjitha të mundshme për një të re të lindur e të rritur në një vend me demokraci të konsoliduar si SHBA. Kanella stërvitet si të vrasë njerëz, si të mbrojë bashkëluftëtarët dhe si të ndihmojë popullsinë vendase.
Le të hidhemi në një qytet të vogël të Shqipërisë, ku një i ri 18-19 vjeçar, i cili frekuenton rregullisht xhaminë dhe beson në Allahu, vendos t’i bashkohet ushtrisë të muxhahedinëve në Siri. Motivi kryesor është lufta kundër rregjimit jobesimtar dhe kriminal, ëndrra për tu parë si hero nga bashkëmoshatarët dhe veçanërisht vajzat, sigurimi i një vendi në xhenet nëse vritet. Muxhahedini shqiptar stërvitet si të vrasë njerëz, si të mbrojë bashkëluftëtarët dhe si të ndihmojë popullsinë vendase.
Mua më duket se ndryshimi ndërmjet muxhahedinit shqiptar, të anatemuar nga mediat apo politikanët e vendit të tij, dhe Kanellës së bukur, të vlerësuar nga media dhe politikanët e vendit të saj, nuk është I madh. Bile janë thuajse identikë, me një avantazh të lehtë të shqiptarit, i cili është gati për sakrificën sublime pa asnjë lloj shpërblimi.
Dikush mund të thotë, që po krahasoj dy gjëra krejt të ndryshme dhe se Kanella lufton për Atdheun e saj ndërsa shqiptari për një dogmë, bile jo në vendin e tij.
JO.
Të dy luftojnë për një Ide, që ju është future në mendje djallëzisht, duke përfituar nga mosha e tyre e re dhe “gjendja hormonale” tepër e veçantë e asaj moshe.
Njerëzimi në vend t’ju mësojë të rinjve vlerën e jetës dhe të Paqes, i ngarkon me ide që shkaktojnë çrregullime në gjendjen e tyre psiko-emocionale, sa janë gati të japin jetën për një çështje apo ide. Unë nuk jam kategorikisht kundër dhënies së jetës për diçka. Por kjo diçka mund të jetë jeta e një familjari tënd, jetët e fëmijëve që rrezikohen gjatë zjarrit në një shkollë e të tjera gjëra të tilla. Por mediat, shkollat, fjalimet e politikanëve apo klerikëve, kanë në krye sakrificën më të madhe për Atdheun, Zotin, Idenë apo Partinë. E gjithë histeria patriotike e Mediave pas 11 shtatorit në Amerikë, solli rregjistrimin në FA amerikane, të mijra e mijra të rinjve ‘trushpëlarë“, që u nisën “t’i shërbenin vendit të tyre” në Afganistan dhe Irak, prej nga edhe nëse nuk u kthyen në arkivole, u kthyen të gjymtuar ose me shpirtra e mendej të shkatërruara për të gjithë jetën.
Fshehtazi, jo me fanfarë, nisen nga vendet muslimane dhjetra të rinj “trushpëlarë“ nga propaganda e myftinjve nëpër xhamira apo videove në youtube, për të vrarë dhe vdekur në vende që nuk i kishin dëgjuar më parë. Shumica nuk kthehen, ose kur kthehen përfundojnë edhe burgjeve në vendet e tyre.
Televizionet dhe gazetat në shërbim të Korporatave, i përshkruajnë të parët si heronj, ndërsa të dytët si antiheronj. Të parët mbrojnë Demokracinë dhe Progresin, të dytët duan të kthejnë Kohët e Mesjetës!
Nuk është ashtu.
Të dy palët janë viktima të një sistemi të shpifur të fitimit dhe të predominimit, që nuk kursen vrasjen edhe të fëmijëve. Ana më negative sot, është që Lëvizja për paqen në Botë(ajo jashtë qeverive) ka bërë hapa prapa po të krahasohet me kohët e Luftës në Vietnam.
Nuk di se sa e ka kuptuar Kanella absurditetin e veprimit të saj të para 10 vjetëve. Mbase po.
Muxhahedini shqiptar nga një fshat i varfër i Librazhdit apo Tiranës nuk ka kuptuar gjë. Ka dhënë jetën diku në ‘’rrugën e Qabesë“!


No comments:

Post a Comment