Dimri i gjatë i këtij
viti dhe një letër e hapur drejtuar Ylli Mihallaq Ziçishtit, më kujtuan që nuk
e kam mbyllur në blog shënimin me kujtime dhe komente rreth dimrit 1975-76 dhe pak me pas. Kanë kaluar 38 vjet, thuajse një jetë e tërë(po qe se marrim në
konsideratë statistikat e mesatares së jetës në kohën e Zogut)dhe kujtimet edhe
pse të gjalla, mund të kenë ndonjë “përdredhje” në hollësitë. Megjithatë, deri
tani asnjë nga shokët e mij shumë të ngushtë, nuk më ka thënë "sikur nuk
ishte tamam kështu?!” Dhe kjo për mua ka shumë rëndësi.
(vijim)
Në fund të dimrit ende nuk kishte dalë njeri në gjyq, për
shkrimin e parrullave apo edhe për agjitacion e propagandë. Vazhdonin hamendjet
dhe komentet për grupin e autorëve, hamendje, që mesa kam kuptuar më vonë,
dilnin gjithnjë nga vetë skutat e Sigurimit. Ishte një mjet shumë efikas, në
një shoqëri ku mungonte informacioni i vërtetë dhe rreth Shqipërisë nuk mund të
kuptoje gjë edhe nëse dëgjoje lajmet e huaja. Ishte aq e mbyllur sa edhe të
huajt nuk dinin gjë prej gjëje dhe me “të huajt” nënkuptoj edhe agjensitë e
tyre të inteligjencës. Atë mars ishim të përqëndruar në ndeshjet e Kupës së
kampioneve dhe gjysëmfinaleve të Kampionatit Europian. Ishte e vetmja mënyrë
për të mos menduar rreth asgjëje tjetër. Më vonë, dikush thoshte me të drejtë,
që ne e matnim jetën me kampionatet Europiane dhe botërore të futbollit. Në
vitet teke, kur nuk kishte të tillë, ndjenim një boshllëk të plotë. Ishte një
Terror psikologjik, nga i cili vetëm sporti dhe veçanërisht futbolli dhe basketbolli
mundën të na shpëtonin. Luanim gjithë kohën kur kishim mundësi. Me Benin luanim
si dyshe me një kosh ndaj më të rriturve të gjimnazit dhe kryesisht me dyshen
Peçi/Pali. Pasditeve luanim futboll dhe sa kishim konsoliduar një ekip 6 vetësh
për të luajtur në ‘sheshka” ku ishte krijuar një fushë hendbolli, por më e
hapur.
Atë muaj më duket se arrestuan edhe Rakon, kushëririn e parë
të mamasë, por ai arrestim edhe pse e dinim që ishte për ‘politikë‘, sikur nuk
e rëndoi shumë gjendjen psikolosjike të familjes dhe të “sojit”. U fol që e
kishin arrestuar se kishte thënë i pirë “Beqir Ballukun e vranë grekët dhe jo
Enveri!” Pas vdekjes së Gavrilit, dukej që askush nuk trembej më më shumë.
Ndoshta ishin mësuar edhe me frikën e trokitjes në dera. Terrori I nisur në
Korçë po vazhdonte në gjithë Shqipërinë dhe vazhdimisht binin të tjerë
funksionarë të lartë, që përfundonin kryesisht burgjeve. Dëgjoheshin histori
për ish antarë të Komitetit Qëndror që vdisnin e varroseshin vetëm nga
punëtorët e komunales, për fëmijë që mohonin në gjyqe baballarët, për të dënuar
politikë që mbanin në qeli foton e Enver Hoxhës. Po bëheshin përgatitjet që në
mars për Kongresin e 7-të dhe sipas zakonit vazhdonin Pleniumet dhe fjalimet
programatike.
Në fund të marsit, shkuam në një nga aksionet e shumta
njëditore për punët e pranverës. Mbase ishte mbjellja e misrit me kubikë, se më
kujtohet që ishim në zonën Floq- Pulahë. Nuk di pse vendosëm me Benin atë ditë
të iknim më parë dhe u nisëm më këmbë, bile një pjesë të mirë të rrugës e bëmë jo
përgjatë rrugës automobilistike, por rrugëve të fshatrave. Nuk më kujtohet as
nëse ishte dikush tjetër me ne. Ishte e djelë dhe ndoshta nuk donim të punonim
deri në fund ose kishim diçka për të parë në televizion nga Jugosllavi dhe nuk
donim ta humbnim. Në të njëjtën kohë, që ne ktheheshim të gëzuar në shtëpi,
dikush duhet të kishte bërë apelin dhe kishte konstatuar mungesën tonë. Pas
disa ditësh Gaqo Tashoja kishte mbajtur një mbledhje të këshillit pedagogjik
dhe Nikoleta Konomi kishte kërkuar vetë uljen e notës sime në sjellje duke
thënë “Nuk do merremi gjithnjë me Marën!” Nuk u çudita, se ajo vetë më kishte
mbrojtur disa herë të tjera dhe e kuptonte që drejtori dhe ndoshta edhe
sekretari i Partisë nuk do ndaleshin më të arrinin atë që donin. Benin dhe dikë
tjetër I dënuan me ‘paralajmërim për ulje të notës në sjellje”. Disa ditë më
vonë masat u thanë para gjithë shkollës dhe u shoqëruan me një ‘uuuu” të
mbytyr. Nuk ndjeva gjë, mbase dhe një gëzim të heshtur, që isha në qendër të
vëmendjes, përderisa masa nuk do merrej vesh në shtëpi. Të mijtë kishin kohë që
nuk afroheshin në shkollë, sepse e dinin që do dëgjonin komentet e zakonshme
për problemet, që shkaktoja. Ime motër ishte në universitet dh eunë mund të
shpëtoja për mrekulli edhe këtë rradhë deri sa të vinte koha të më ngrihej
nota. Isha i pari në valën e uljeve të shumta që do ndodhnin vitin tjetër por
jo krejt i vetëm. “Mentori” im ddy vjet më i madh, Griga kishte dy vjet që
gëzonte të njëjtin status. Bile ai ishte në maturë dhe koha për tu rrezikuar për
të drejtën e studimit po iafrohej.
Kënaqësia e të qënit “problematik” nuk më vazhdoi gjatë. Pas
një jave, para se të hanim drekë, të mijtë ishin të ngrysur dhe po mateshin të
më thonin diçka. Duket që babaj kishte marrë një letër në punë ku I njoftohej
vendimi ikëshillit pedagogjik. Më tha vetëm “Ti nuk e shikon ç’bëhet? Mirë për
ne nuk të vjen keq se edhe mund ta pësojmë një ditë e mbase edhe nuk prish
punë, por për tët motër nuk të vjen keq që mund ta përjashtojnë nga
universiteti?” Mamaja shtoi "Ti e di që tëtatë e kanë halë në sy!"
Nuk e harroj atë pasdite gjithë diell, kur rrija i përlotur
para prindërve pa nxjerrë dot asnjë fjalë justifikuese. uk arrija as të
kuptoja, në se im atë e kishte zmadhuar efektin që mund të kishte sjellja ime e
mëvonshme në atë linjë, por u ndjeva fajtor dhe e gjykova veten si
‘shkatërruesi’ I familjes. Isha vetëm 17 vjeç dhe përveç zhurrmës në shkollë,
ikjes nga ndonjë orë mësimi dhe largimin nga aksioni imbjelljes së kubikëve,
nuk kisha bërë asgjë tjetër.
No comments:
Post a Comment