Tuesday, 18 March 2014

Todi Lubonja ne Korce (2)

(vijim)

Por, le të rikthehemi në finalen e vështirë dhe shkatërruese ndaj Todi Lubonjës, e cila po përgatitej në Komitetin Qëndror dhe për të cilën po përgatitej terreni duke mbledhur material në Korçë dhe Tiranë, e për të cilën bën fjalë edhe relacioni i Shtyllës. Dërgimi i tij nga Hysni Kapoja, duket i pazakontë, sepse Behari në Komitetin Qëndror atë kohë me siguri mbulonte marëdhëniet ndërkombëtare. Ndoshta, gjithë instruktorët e sektorit ideologjik të Ramizit ose konsideroheshin “të përlyer”, ose E.Hoxha kishte sugjeruar vetë Beharin, sin jë njeri më i shkolluar dhe më i ekuilibruar e që njihte disa nga artistët dhe krijuesit korçarë. Për herë të parë po dëgjoj që ai ka bërë biseda private me Konon, Kristaq Cepën, Vangjush Tushin dhe Andrea Themelin. Duhet thënë që asnjë nga të intervistuarit e Shtyllës nuk ishte antar partie dhe tre të parët në shpirt ishin kundër komunizmit. Sigurisht, në majë të piramidës nuk mund të prisnin një relacion nga M.Ziçishti , i cili nuk kishte kulturën e nevojshme, por ishte indirekt përgjegjës për veprimtarinë e vartësit të tij T.Lubonja. Vetë Ziçishti i kishte prirë Lubonjës me Luftën e Brezave duke vënë në postet e Kulturës dhe Arsimit pauses të tij “kërpaçë“ nga Devolli.
Raporti i Behar Shtyllës është shumë i ekuilibruar dhe deskriptiv dhe nuk I rëndon shumë interpretimit të tipit “grup armiqësor” apo të tjera përfundime që ishin të zakonshme të bëheshin nga instruktorët e zellshëm të KQ, që donin të varrosnin rivalët e tyre. Sigurisht të gjithë ata që kishin pasur fërkime me Todin e kishin kuptuar, që atij po i binin këmbanat dhe se pas "drejtorllëkut" në Lezhë mund të kishte pasoja më të rënda, por në atë kohë, kishte 12 vjet që kur ishte goditur i fundit nga partiakët e lartë dhe fryma liberale i bënte njerëzit të mendonin se Lubonja e Paçrami do “zhubraviteshin”, por nuk do përfundonin burgjeve, sepse edhe mëkatet e pasqyruara në shtyp nuk ishin të rënda. E kujtoj mbledhjen të cilën përmend B. Shtylla, ku u bënë ndryshimet në kryesinë e degës së Korçës. Nuk kujtoj nëse ishin bërë më parë apo jo zëvendësimet e Shuteriqit, Kilicës, Stringës në qendër, poste të cilat ishin të paguara. Babai erdhi i gëzuar në shtëpi se e kishin zgjedhur sekretar dhe ne nuk i ramë në sy, që nuk na pëlqente hiç, që lodhej kot me një detyrë nga e cila nuk kishte asnjë përfitim veç telasheve. Dukej që zgjedhja e sekretarëve dhe kryetarit nga kryesia e votuar prej antarëve, ishte e sugjeruar nga lart, ndryshe nga herë të tjera, se ai përmendi që kur kishin dalë jashtë antarët e Kryesisë, Vaskë Orgocka i kishte lënë të kuptonte që do ishte në drejtim. As atë kohë, që isha vetëm 14 vjet, por edhe më vonë nuk e kuptova të shkretin baba, përse ndjehej aq mirë kur e vlerësonin, njerëz për të cilët vetë nuk kishte asnjë lloj vlerësimi. Më pëlqente më shumë qëndrimi i tërhequr i Miço Kallamatës, i cili duket që nuk ushqente asnjë iluzion në aparatçikët apo në roli i Lidhjes në krijimtarinë  letrare dhe kulturore.
Sigurisht, emrat e të zgjedhurve në drejtim nuk kishin të bënin as me dogmatizmin dhe as me zellin për të kritikuar Todi Lubonjën. Nga të katër vetëm Avni Bilbili ishte antar partie dhe Vangjush Zikoja dhe Kristo Konoja gëzonin respekt si njerëz me integritet dhe të papërfshirë në asnjë taraf. A ishin këto emra të sugjeruar nga B. Shtylla, V. Cërrava apo nga të deleguarit e Lidhjes nga Tirana, këtë nuk mund ta them me siguri.
Sigurisht që relacioni i B.Shtyllës nuk pasqyron vërtetësisht jetën artistike dhe marëdhëniet midis shkrimtarëve dhe artistëve në Korçë në fundin e viteve ’70. Ai është i kushtëzuar nga ‘optika” e parimit Partia dhe shoku Enver mbi të gjitha dhe vetëm direktivat e tyre janë vija që duhet të ndjekin artistët. Për më tepër, në fjalimin e Enver Hoxhës në mars ishte parë se si duhej të orientohej qëndrimi ndaj Letërsisë dhe Arteve.
Për mendimin tim, vetë mënyra e organizimit të krijimtarësë nëpërmjet një shoqate të Shkrimtarëve dhe Artistëve e cila ishte e vetme dhe e detyruar, silte një pjesë të madhe të grindjeve dhe rivalitetit midis krijuesve. Për vetë natyrën e egos krijuese, fërkime të tilla ka patur në çdo kohë dhe në çdo system, por më të mprehta bëheshin në një system të “shoqërizuar”, kur veprat letrare dhe artistike do I nënshtroheshin jo vetëm gjykimit të publikut dhe kritikës, por edhe atij të kolegëve në mbledhje të zgjatura e të panevojshme. Thënia e Lubonjës se Arti nuk bëhet me mbledhje, është më se e vërtetë. Unë nuk di të flas për punën e Todit në RTSH, e cila dukej vërtet për tu lavdëruar duke e parë me syrin e teleshikuesit, por mënyra e drejtimit të Kulturës në Korçë ishte në rastin më të mirë për të e një të pakulturuari arrogant. Jo vetëm në artet figurative ku të përkrahurit e tij nuk shkëlqyen kurrë, në asnjë sistem, por edhe në muzikë, e gjithë mbështetja e tij ishte për Rikardo Jorganxhiun që njihej nga i gjithë qyteti si defiçient. Lapangjozë të tjerë të tipit Agim Isaku apo Petraq Kita në letërsi, nuk patën kurrë asnjë të ardhme si krijues, por edhe si karaktere.
Nuk mund ta kuptoj edhe sot inatin e tij me Kristo Konon dhe Vangjush Tushin. I pari ishte i vetmi krijues në krijimtari të lirë, dhe edhe nëse nuk kishte ndonjë prodhimtari në moshën mbi 60 vjet, përsëri ishte një muzikant, që kishte studiuar në Itali dhe kishte njohje të mirë të muzikës. Ndërsa i dyti, edhe pse mund të kishte një rënie në prodhimtari, kishte formim të mirë profesional dhe ishte një mësues i mirë i të rinjve në pikturë. Dukej që zemërimi i Partiakëve ndaj Tushit nuk do mbaronte me aq, se 4 vjet më vonë, piktori i vjetër u arrestua dhe u dënua me burg për pjesëmarje në një grup kundër Pushtetit Popullor. Edhe tre-k atër piktorë patën të njëjtin fat brenda atyre viteve, por niveli i të tjerëve ishte larg atij të V.Tushit.
Gjithashtu duhet thënë që Lubonja nuk ishte për një krijimtari krejt të lirë, por për një të tillë të diktuar prej tij dhe njerëzve që i vinin pas. As tregonte ndonjë interes për konkurimin e lirë të ideve në art dhe në atë kohë duhet thënë që u injoruan shumë fusha të kulturës dhe artit kombëtar por edhe botëror. U nxitën idetë se ne na mungonte tradita jo vetëm në letërsi,dramaturgji apo arkitekturë, por edhe pikturë dhe muzikë. Sot, po të krahasosh veprat e Onufrit, vëllezërve Zografi, Mios, Idromenos etj., as mund të bëhet fjalë të krahasohen me artin e krijuar në kohën e liberalizmit nga Edi Hila, Edison Gjergo, Vilson Kilica apo të tjerë piktorë të quajtur modernë në ato vite. Në rastin më të mirë, lëvizja liberale e drejtuar nga sektori i ideologjisë me Ramizin në krye, mund të konsiderohet si një lëvizje për të përqafuar bashkëkohoren, por kjo bëhej duke shkelur forma të tjera më tradicionale të të bërit art. Në organet e shtypit por edhe RTV, kishte plot injorantë, të cilët tundnin flamujt e modernizmit, pa mësuar ende ABC-në e Letërsisë dhe Arteve. Ishte kjo që krijonte tensionet më të mëdha mes krijuesve. Lëvizja për modernen kundër arkaikes nuk ishte gjithnjë në duart e më të mirëve dhe më të talentuarve.
Për të mos i ngrënë hakun Todit, duhet thënë, që gjatë qëndrimit në Korçë, pati shumë njerëz që I përkisnin “klasave të përmbysura”, të cilët u ndjenë më mirë dhe filluan të jenë më aktivë në jetën kulturore e artistike. Nuk ishte vetëm merita e tij, se e gjithë atmosfera, sidomos në Tiranë, ishte më liberale. Periudha prej 1966 e deri në mesin e 1973 ka qënë periudha më e çuditshme dhe më e mirë për njerëzit gjatë gjithë viteve të Diktaturës. edhe pse shpesh sot, njerëz që nuk e njohin mirë atë kohë flasin për ndikim të Revolucionit Proletar Kinez. Në Shqipëri veç mbylljes së institucioneve fetare, heqjes së gradave në ushtri dhe fletë-rrufeve, nuk pati asgjë kineze. Lufta e klasave u zbut, ekonomia në sajë të ndihmës kineze u përmirësua, vlerësimi i Shqipërisë nga të huajt ishte më i mirë pas daljes nga Traktati I Varshavës dhe vetë Zeusi me bashkëpuntorët më të ngushtë ndjehej më i fortë se kurrë. Gjithashtu, si e përmenda më lart, lëvizjet e ekstremit të Majtë në Europë ishin më të forta se kurrë dhe çdo gjë dukej se do shkonte përjetësisht mbarë në mullirin marksisto-leninist. Ndaj edhe krahu më i moderuar i Nomenklaturës e shihte se tranmsetimi në tv I Bitëllsave apo ngjarjeve të tjera të botës europiane nuk e cënonte aspak pushtetin e tyre. Shembull i qartë ishte Jugosllavia, e cila ishte edhe më e pavarur, edhe midis Lindjes dhe perëndimit, edhe komuniste, edhe ekonomikisht më mirë se vendet e KNER-it. Sot ata që kanë qënë pauses të Paçramit apo Lubonjës mund të mburren si disidentë, por edhe vetë nuk kanë qënë dhe aq më pak të dy të dënuarit me burg të gjatë. Ishin pjesë e atij sisitemi të cilin donin ta ruanin të fortë deri në fund. Njerëzve u erdhi keq edhe në atë kohë kur i burgosën, edhe ju vjen edhe sot kur përmenden vuajtjet e tyre. Por më tepër se viktimë të Diktatorit nuk mund ta quash apartçikun e ndjerë Todi Lubonja.


No comments:

Post a Comment