Wednesday, 12 March 2014

Njerëz bëhuni bashkë!

Qëllon rrallë, si për të prishur terezinë, hap ndonjë gazetë shqiptare online. Dje hapa gazetën Tema dhe për herë të parë pashë një transmetim të drejtpërdejtë të Parlamentit Shqiptar nga Tema tv. Nuk di se sa kohë ka Merua me televizion të tij dhe nëse kjo lidhet me protagonizmin kundër atij që e kishte mbrojtur poshtërsisht për ngjarjet e ‘97ës, apo me mbështetjen ndaj atij , të cilin e kishte sulmuar poshtërsisht për gjyqin ndaj gruas, të cilën e kishte akuzuar se fëmijën e kishte me të jatin e tij.
Merua është një faqe e vogël e shumëfaqëshit shumëngjyrësh të shoqërisë shqiptare. Në tv e tepelenasit Mero u shfaq fytyra e murrëtyer e tepelenasit më të famshëm pas Ali Tepelenës, Gramoz Rucit. Më pas, mes ndërprerjeve nga parlamentarët, skraparliu më i njohur i gjithë kohrave Ilir Meta, I dha fjalën “ish-vullnetarit të Enverit” , Ridvan Bodes nga Rakicka. Dëgjova edhe dy fjalë çaprazçe të “milionerit vullnetar të Saliut” dhe e mbylla séancën e drejtpërdrejtë online. Sigurisht që nuk është e këndshme të shikoj fytyrën e vrazhdë të Ruçit, se më kujton menjëherë Gjyqin e Shkodrës. Po ashtu, neveri më ndjellin edhe dy fytyrat e tjera të fshatarëve-milionerë. Por unë e kam të lehtë t’i harroj sepse mund të shikoj online kanale të tjera, që kanë ose politikanë pak më simpatikë, ose të tilla ku nuk del fytyrë politikani.
Ndaj më vjen keq për ju, qytetarët e qytetit tim, të cilëve politika po ju merr shpirtin për ditë dhe ju ka përçarë mes jush më tepër se kurrë. Asnjëherë në historinë e Korçës, njerëzit nuk kanë qënë kaq të ndarë dhe me urrejtje ndaj njëri tjetrit. Edhe në periudhën e Luftës Klasore, thuajse të gjithë shihnin si kundërshtar shtetin dhe solidarizoheshin me të vojturit,qoftë edhe në heshtje. Kurse tani, dy ose tre banda, duke përdorur format e poshtra të vendit të punës, tenderave me fonde qeveritare, privilegjeve të tjera ju kanë mpirë trurin me helmin e armiqësisë ndaj njeri tjetrit.
Përkrahës të PS-së, kur shihni se në krye të grupit parlamentar të Partisë suaj është Gramoz RuçI, lëvizni, se punët nuk janë mbarë.
Simpatizantë të PD-së, kur dëgjoni ligjëratën e shëmtuar e të gënjeshtërt të Ridvan Bodes, shkunduni, se akoma më keq do bëhet.
Militantë të LSI-së, mos ju gënjejë mendja se hajduti Ilir Meta do jetë në gjendje gjithnjë t’ju ofrojë poste, por ngrihuni e përkrahni njerëzit e thjeshtë, se ditë të këqija vijnë për të gjithë.
Se mund të duket gjë e vogël, që një I pashkollë vihet të drejtojë një sektor shtetëror të rrugëve, vetëm se klith lart e poshtë pro Niko Peleshit, por është shenjë që më keq po shkojnë punët.
Se mund të duket “anekdotë“, kur dikush që ka mbaruar Psikologji drejton në një sektor ku duhen specialistë dhe ju thotë inxhinierëve që “zanatin nuk e dip o di t’ju zberthej juve psikologjikisht”, por është për të vënë kujen.
Se mund të duket “normal”, që një inxhinier dikur i një partie të djathtë klith në miting pro të Majtës, në këmbim të një posti si Drejtor Spitali, por k y është fundi I integritetit intelektual.
Se mund të duket një shkathësi politke, që një administrator të mirë, dikur Peleshi e kompani nuk denjonin ta thërrisnin për tu këshilluar për qytetin e tani e mbajnë pranë, por kjo është fëlliqësi politike.
Me raste të tilla mund të vazhdoj pafund dhe shumë herë më shumë dini ju të dashur bashkëqytetarët e mij. Kanë një dekadë e gjysëm, që këto tre banda luajnë keq mbi kurrizin tuaj. Mund të thoni që nuk keni se nga ja mbani. Askush nuk ka recetë t’ja u tregojë. E kini në dorë vetë.
Njerëz bëhuni bashkë!



PS. I shkrojta këto rrjeshta me të cilat mund të qeshin “të pacipët”, duke menduarplot dëshpërim për mikun e rallë që përcollëm sot për të fundit herë, që edhe pse ishte shumë punëtor e I ndershëm , e kishte punuar gjithë jetën I duhej të punonte deri vjet, për të përballuar jetën në Shqipëri.

No comments:

Post a Comment