Monday, 31 March 2014

Guri filozofik

Ti jeton në gjysëmrruzullin tjetër
Dhe fle kur unë jam zgjuar,
Sepse për çudinë tonë ka vetëm një diell.
Ti lehtas shtriqesh
Në një shtroje e gjitha zbuluar,
Unë rri pështjellë me gunën e vjetër.
Shpesh zgjasim gishtat njëri tjetrin të prekim
Si tek e njohura nën kupolë e Buonarrotit,
Shkëndijën presim,
Njehsimin e motit,
E dimë që s’vdesim,
Pa u takuar,
Edhe pse të tjera busulla ndjekim.
Ti zgjohesh dhe më kërkon,
Grishesh të grisësh timen gërrhitje,
Ndërsa unë i lodhur ëndrrash,
Dhe prej të tejzgjaturës pritje,
Rrekem të rrok gurin që pikon.
Gurin filozofik që ringjall rininë,
Që më bën të të dua si kurrë ndonjëherë,
Që më shtyn të fluturoj në gjysëmrruzullin tjetër,
Natën mos e le të bjerë,
Dhe bashkë përqafuar të rrimë.

No comments:

Post a Comment