Wednesday, 5 March 2014

5 mars 1953

Besoj se të gjithë e dinë, që atë ditë vdiq Josif Visararianoviç Cugashvilli, i njohur si tavarish Stalin në BS, Xhoja në Perëndim dhe Baba Stalini në Mëmëdheun tim. Ishte goditja e parë e madhe që merte një strukturë e çuditshme shtetërore dhe shoqërore, e paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimt dhe e përhapur në një të tretën e Globit. Nuk kam ndërmend të shkruaj për vdekjen e Stalinit, apo për komplotin e mjekve ndaj tij dhe as për mitingun famëkeq dhe qesharak të sheshit Skënderbej, kur pasi Hoxha(diktatori jo udhëheqësi fetar) ra në gjunjë për nderimin e Baba Stalinit, të njëjtën gjë u detyruan të bënin mijra qytetarë të Tiranës dhe vala e të gjunjëzuarve shtyu fundin e turmës duke krijuar skena qesharake, të cilat ju kushtuan me burg atyre që u gajasën së qeshuri.
Do shkruaj disa rrjeshta për një njeri, i cili tashmë prehet në paqe. Kur isha 13-14 veç më kishin treguar një ngjarje të vogël, që më kishte ngjallur dyshime për atë njeri aq të sjellshëm. Më kishte rënë në sy qysh i vogël, kur kishim shkuar me shkollën për të vizituar Muzeumin e qytetit. Ai ishte i qeshur, i kujdesshëm, i butë dhe i ëmbël, sa nuk di me se ta krahasoj. Ishte si një byrek me shumë petë, i tëhollur mirë dhe i mbytyr në vaj…kikiruku!
Marsin e vitit 1953, njeriu ynë i ëmbël, ishte drejtor i Shtëpisë së Pionierit të Bilishtit dhe atje edhe jetonte me gruan e tij të dashur. Ndoshta mund të kishte pasur ndonjë punë më të mirë në Korçë, po të mos kishte qënë cazë si shumë me këmishën e zezë të Fashios. Ndoshta edhe këmishën e kishte mbajtur cazë më gjatë se ishte i ëmbël dhe i butë dhe nuk ja prishte dot njeriu.
Pasditen e 5 marsit 1953, ai që më tregonte ngjarjen, kishte shkuar bashkë me pionierët e tjerë të ndiqnin kurset e Shtëpisë së Pionierit. Në shkallët e saj I kishte pritur Drejtori me këto fjalë:

“Fëmijë të dashur. Një e keqe e madhe e pllakosi Njerëzimin. Baba Stalini nuk është më mes nesh. Zemra e tij sot pushoi së rrahuri. Shkoni në shtëpitë tuaja të dashur fëmijë dhe qani bashkë me prindrit për Baba Stalinin tonë të Madh”. I mallëngjyer drejtori ndoqi me sy pionierët e përlotur që largoheshin dhe hyri Brenda Shtëpisë së Pionierit. Ndërsa vajzat e vogla qanin me shtatë palë lot, të prekura nga fjalët e drejtorit, nga brenda godinës u dëgjuan tingujt e pianos. Hanëmja e drejtorit luante një këngë italiane ndoshta duke festuar me të shoqin e butë e të sjellshëm vdekjen e Diktatorit Stalin.

No comments:

Post a Comment