Monday, 3 March 2014

Akademik apo Akademak?


Kjo çështja e akademikëve të shumtë të vendit tim(dhe të Kosovës, se për milliona akademikët e Indisë nuk më bëhet vonë) më jep një ndjesi jo shumë të mirë. Diku në një shkrim të shkurtër në blog, e kam përmendur që në Shqipëri gjithë ata që kanë mbaruar një shkollë të lartë e quajnë veten intelektualë, ndërsa ata me tituj shkencorë apo “akademikë“, parapëlqejnë t’ju thonë “sa akademik si je!”
Para do ditësh, një akademik kosovar, më duket se Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i kishte drejtuar një letër të hapur me 55 pyetje, profesor Rexhep Qoses. Për Qosen kam patur simpati prej vitit 1970, kur babaj më ka treguar disa herë rreth nivelit të lartë kulturor të një studiuesi të ri të Letërsisë Shqiptare nga Kosova, i cili jo shumë kohë më parë kishte mbrojtur doktoratën me një studim mbi Asdrenin. Nuk më kujtohet nëse ishin takuar ato kohë, por më tej e ndoqa vazhdimisht në shkrimet rreth gjuhës shqipe dhe Kongresit të Drejtshkrimit, si dhe në gjithë shkrimet e tjera që mund të botoheshin prej tij deri më 1991. Në vitet e fundit të Diktaturës, më zuri veshi për sinjale të shpeshta që Qosja dhe Rugova i dërgonin Ramiz Alisë për ndryshimin e kursit politik të Shqipërisë. Më pas, Rexhepi ishte nga të intervistuarit e Zërit të Amerikës, që na ngjethte mishin kur e dëgjonim.
Rrallë herë nuk jam pajtuar potësisht me ato që shkruan Qosja për politikën, historinë, letërsinë dhe shoqërinë shqiptare. Nuk më ka pëlqyer vitet e fundit një mbështetje pa rezerva ndaj Ramës, por e gjykoj si të përkohshme dhe jo koniukturale. Nga Letra e akademik Hivziut mësova edhe që qënka pak “zuzar”, por kjo nuk i ul ndonjë pikë në sytë e mij e të miqve tim. Duhet të theksoj se ”jo të gjithë miqve tim”, sepse një shok i im i ngushtë, jo vetëm ka shumë rezerva për Xhepin, por e quan si të pakuptim mbrojtjen që i bëjnë 37 akademikë shqiptarë akademikut Qose nga sumi i akademikut Hivzi islami. Sipas tij akademiku duhet ta perballë vetë sulmin akademik të një akademiku tjetër dhe ç’është më kryesorja, akademikët nuk duhet të merren me politikë! Kjo më bëri kureshtar të lexoja letrën me 55 pyetjet. Përsos mungesës së gabimeve ortografike, Letra ishte një regjistrim I një monologu të një “jevge” të kategorisë së fundit të Pazarit të Korçës! Në të gjeje po aq të shara sa në letrën e famshme që kozakët Zaparozhas i shkruanin Sulltanit. Si për ironi atë letër më 1974, ma ka dhënë të përkthyer shoku im, që sot kërkon betejë pa ndihmë mes akademikëve.
Po a është akademik Hivzi Islami? Sipas dokumentave PO! Duke u bazuar në atë ç’ka ka shkruar për Qosen, nuk është as Akademik, as Akademak, bile as Akadem..!


No comments:

Post a Comment