Wednesday, 19 March 2014

Jo Një Ushtri shqiptare po Dy!

http://www.gazetatema.net/web/2014/03/18/bazo-dy-ushtri-shqiptare-ne-ballkan-do-e-kishin-zili-te-gjitha-vendet/

Lajmi i shkurtër i gazetës "Tema" më ra në sy, se veç ushtrive (të cilat duhet të pranoj që i urrej), pashë edhe togfjalëshin “do e kishin zili të gjitha vendet”, që më kujton parrullat e “Shqipërisë socialiste, halë në sy e imperialistëve dhe revisionistëve”. Deklarata në  fjalë ishte bërë në Kosovë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, Jeronim Bazo. Budallallëkut të Gjeneral majorit, i ka dhënë përgjigje një komentues i lajmit online, i cili shkruante: “Mba një hudhër në xhep o Bazo, se me “zilinë e gjithë vendeve të botës” do na marrin në sy!!!
Vetë nuk kam ndonjë përgjigje më të goditur, veç dua të zgjatem edhe pak me problemin e ushtrive në Ballkan dhe me pasojat që kanë ato në taksapaguesit, e sidomos në psikologjinë e një pjese të popullsive të këtyre vendeve.
A duhen ushtritë në vendet e Ballkanit?- është një pyetje të cilës nuk jam në gjendje t’i përgjigjem, sepse nuk I njoh kushtetutat e vendeve ballkanike si dhe programet e NATO-s, anëtare të së cilës janë thuajse të gjitha. E ndjej që është ende naïve, një ide që kam pasur vetë qysh më 1991, që Ballkani të kthehej në një zonë të demilitarizuar. Ballkanasit u gjakosën me njëri tjetrin deri në fund të vitit 1998, kur NATO-ja me urdhër të Bill Klinton dërmoi fuqinë ushtarake sërbe.
Kanë kaluar 15 vjet dhe dëshira për një paqe mbarëballkanike është ende shumë e zbehtë. Politikanët hajdutë të të gjitha vendeve, sa për sy e faqe, çirren për paqe e mosndryshim të kufijve, por në heshtje ju fryjnë “urëve të nacionalizmit”, sepse ky i fundit është mënyra më e mirë për t’ju vënë fajin armiqve të jashtëm, për probemet që kanë krijuar në vendet e tyre me qeverisjen e keqe. Gjithashtu ka pjesë të popullsisë, të cilat ose nga injoranca, ose se nuk dinë të bëjnë ndonjë zanat tjetër, parapëlqejnë uniformat dhe karrierat ushtarake. Pjesa dërmuese e tyre janë mbështetës të Lëvizjeve të së djathtës Ekstreme në çdo vend ballkanik. Nëse forcohet në zgjedhjet e ardhme “Agimi i artë“ në Greqi, si kundërveprim do ketë forcim të ekstremeve nacionalistë në Maqedoni, Shqipëri e Bullgari dhe kështu reaksioni zinxhir vazhdon në gjithë Ballkanin.

Në këtë kuadër, deklarata e Bazos është jo vetëm idiote, por edhe e papranueshme të bëhet nga një funksionar i lartë i shtetit shqiptar. Kuptohet që të njëjtëm marrëzi mund ta thotë në ekzaltim e sipër Mrika Kodheli, Peleshi apo Rama sepse kanë treguar që janë të papërgjegjshëm dhe pa njohuri në politikë e diplomaci. Sa për një pjesë të popullsisë në të dy shtetet shqiptare ku papunësia është e lartë, e di që do fillojnë të fërkojnë duart duke përhapur thashethemin “Do hapen vende pune për oficerë dhe të tjerë administratorë se Ushtritë do fuqizohen” duke harruar që Ushtritë rëndojnë shumë në buxhetet e shteteve, i cili edhe tani janë për të qarë hallin në të dy anët e kufirit.

No comments:

Post a Comment