Nuk di si të të flas sot. Nuk dua as të më shohësh duke qarë
se do më qortosh. Do më thuash, që më kishe thënë që do iki nga zemra papritur,
ashtu si ka vdekur im atë. Kishte vite që e kishe përmendur dhe unë të
kundërshtoja duke të treguar se sa i gjallë dhe i papërtuar ishe.
Mbrëmë, duke u çlodhur pas një dite të gjatë u largove për
të mos u kthyer më. Dhe unë nuk di a duhet t'i fsheh apo jo lotët. Ndoshta
është më mirë të kujtoj të qeshurat, se ishte gjëja që të pëlqente më shumë. E
di dhe që nuk do të jesh në qendër të vëmendjes se asnjëherë nuk e ke dashur.
Ke bërë shumë për të gjithë dhe nuk doje të të falenderonin. Tundje kokën dhe e
kaloje me shaka.
Këtë vit u bënë 42 vjet që jemi
njohur dhe 40 vjet të një miqësie të fortë. Ishe për mua mësuesi, këshilluesi,
shoku, njeriu të cilit i drejtohesha në çastet e vështira të jetës. Kështu të
njohin të gjithë miqtë e afërt, të cilët ishin jo të pakët. Janë të përlotur me
siguri vëllezërit Merlika, edhe pse kanë kaluar vite të rënda në jetë. Por ke
qënë i pandarë në ditët e tyre më të vështira, që në kohën kur bodrumin e tyre
i paralajmërove, që ndiqeshin nga Sigurimi dhe ty të kishin kërkuar t'i
spiunoje. Rrallë kam takuar një njeri aq besnik dhe aq të sakrificës sa ti
Fredi! Jepje çdo gjë për miqtë e vërtetë dhe nuk kërkoje asgjë në këmbim.
Po i them të gjitha këto, për t'i mësuar ata që i ke pasur
nxënës e të kanë dashur, por nuk kanë ditur se ç'shpirt të madh kishe. Tani nuk
je në gjendje të më thuash: "Leri këto Nume!"
Nuk do jesh as kur të vij në qytetin tonë për të takuar e
për të qarë hallet me ty.
Nuk do jesh as për të më përcjellë si herën e fundit kur
isha në Korçë, bashkë me dy miqtë e mij të tjerë shumë të afërt.
Nuk do përqafohemi dot më duke qeshur e thënë "Si je
bre Buçkë"
E tillë është Vdekja. Vjen vetëtimthi e të heq njerëzit e
dashur.
Clodhu tani i dashur Fredi!
Lamtumirë!
PS. Fredi Bitincka ka qene mesuesi im i Bio-Kimise ne vitet 1972-74. Prej asaj kohe ka qene njeriu qe ka besuar gjithmone tek une dhe me eshte ndodhur prane ne castet me te veshtira te jetes.
No comments:
Post a Comment