Friday, 14 March 2014

A do vij Behari vallë?

Sot në Mëmëdhe është Dita e Pranverës ose e Luleve dhe është festë Kombëtare. Lulet duhet të kenë shpërthyer në çdo qoshe të vendit, se ka bërë një dimër i butë. Jo e njëjta gjë është këtu tek ne, ku jo vetëm nuk ka lule, por dëbora dhe akulli nuk na ndahen prej 4 muajsh. “Mirë t’ju bëhet kapitalistëve!” mund të thotë në Mëmëdhe ndonje ekstremist i Majtë, ndërsa shijon bugaçen në Elbasan.
Elbasani është sot Kryeqendra e Ditës së Luleve. Edhe vetë kjo ditë, nuk është gjë tjetër veç 1 marsi sipas kalendarit Hixhra. Dikush, pasues i thekur i Kadaresë mund të protestojë për festimin sipas kalendarit të pustuesve turq, sepse identiteti jonë është Europian dhe bile Katoliko-Europian, por njeri nuk e dëgjon, se Festa është e vulosur përfundimisht me ferman edhe nga Presidenti Demirel(Ooops…Demireli sikur ka qënë Presidenti i Turqisë që e hiqte cazë këmbën, por mua nuk më kujtohet cili President i joni e firmosi fermanin). Mbase Xhepi që kishte dalë në Meidan.
“Ime”, Festa në Elbasan duhet të jetë në kulmin e saj me të ngrëna, të pira e të thyera. Se dinë të festojnë bukur qytetarët e Elbasanit. Zaten kur nuk kishte hyrë Partia, festonin edhe më shumë sipas parrullës së tyre të famshme “Komt ke vija, gjashtmdhjeçen ke xhepi, jevgën ke preni". Flitej se ishin edhe më të përparuar se gjithë qytetet e tjera, se numuri i shokëve gay ishte 20% dhe jo 10%, si pretendojnë sot në botë organizatat LGT.
Po a ka lidhje Kalendari Hixhra me Diten e Luleve dhe me filozofinë e jetës të Elbasonit, para 1944 dhe pas ’90? Unë nuk e di këtë. Edhe një shoqe, që ka studiuar atje për tre vjet, kur e kam pyetur ka ngritur supet.
Po ç’na duhet të vrasim mendjen në këtë ditë feste, pragu i Beharit të Sevdave? Le të “bojm qejf” dhe mendimet t’i lemë për “ma von, ma von”. Le të buçasë sot gazi e kënga, sidomos ato të Isuf Myzyrit, nga të cilat unë kujtoj vetëm një “Tuj shëtit n’ara t’gjata” dhe “Ti  që m’vrave mu/t' vraft i madhi Zot/o mos boj naze/ jam ashiku jot!”

Askoshun Arnautstani im! Behari osht ime nji ktu!

No comments:

Post a Comment