Thursday, 27 March 2014

Zgjimi

Ohhh më në fund akulli shkriu
Dhe gurin që mbyll folenë mund ta shty!
Një gjumë i gjatë,
Tamam një gjumë ariu
Strukur në një të ngushtë vrimë
Që nuk na nxe të dy.
Ishte në prag të dimrit,
Kur jashtë kishte baltë
Në strofull si çdo vit të dy u rrëkëllyem
Ty t’vareshe lëkura,
Nuk bridhje dot për mjaltë,
Shpinën tjetrit i kthyem
E rramë në gjumë të gjatë.
E ndërkaq mes gërrhitjesh
(Kuptohet prej ariu)
Në trurin nga e ngrohta pështjellë,
Kur gjithshka ëmbël përzjehet,
Një shqarrth i rrumbullt arriu.
Më mori në vende të papara,
Plot dashuri më fliste,
Më bënte të ndjehesha e Para,
Cmendesha pas tij dhe kur bërtiste.
Një pyll krejt tjetër më ishte hapur,
Një pyll i mbushur tinguj, ngjyra,
Shëtisnim lehtas duart kapur,
Oh sa e bukur dukej Natyra.
Dhe kur më puthte shqarrthi i rrumbullt,
Cdo fije e qyrkut të bardhë më dridhej,
Unë lehtas e ledhatoja me panxhë,
Ai më lart se lisat prej gëzimit hidhej.
Por thellë vetes kisha një frikë,
Një frikë krejt të pakuptuar,
Nuk trembesha se një ditë do ikë,
Frigesha se nuk isha e zgjuar.
Dhe ja një ditë akujt u shkrinë,
Qepallat më nuk ndenjën mbyllur,
Nga pas e ndjeva tënden shpinë
Nuk isha më në gjumë përhumbur.
E zbrazët edhe njëherë u ndjeva,
Nga shqarrthi mbetur qe veç një hije,
Kishte ndodhur ajpo që shumë I trembesha,
Kisht’ qënë një ëndërr letargjie.


No comments:

Post a Comment