(vijim)
Ky shkrim i cekët, rreth një teme të rëndësishme dhe jo
shumë të prekur, rreth këngëve të qytetit tim, të cilat në shumicën e tyre
ishin të ndrydhura, ka humbur para 3 vjetësh fillin e tij, ndaj po I rikthehem
për ta vazhduar dhe plotësuar. Edhe pse mund të duket si e tejkaluar, ose
“përsiatje” të kota rreth një arti jo me shumë vlerë, ato kanë qënë pjesë shumë
e rëndësishme e jetës shpirtërore të disa brezave dhe ja vlen t’i rikthehem
edhe pse mund të përsërt të njëjtat gjëra.
Veç nostalgjisë, e cila shpesh bëhet shkak për një pjesë të
shkrimeve, në rastin e këngëve korçare, shtytja më vjen nga përfaqësimi më i
ulët i tyre sot në mediat shqipatre por edhe në youtube apo FB. Duket që
jetëgjatësinë më të madhe, në përgithësi e kanë më vulgaret apo edhe ato të
kopjuara keq nga këngë jo shumë të suksesshme greke. Sigurisht, mund të ketë
arsye të thella përse ndodh kjo dhe një shkrim, që lexohet vetëm nga 10-15
vetë, nuk mund të bëjë as nxitje të muzikantëve për të gërmuar në repertorin më
të mirë të këngës korçare. Ndoshta nuk është e vështirë të kërkohet në arkivat
e Radio Korçës apo dhe të Pallatit të Kulturës, sepse jo vetëm ka patur një praktikë liberale të inçizimeve
deri në vitin 1973, por deri atë kohë janë realizuar edhe të paktën 3-4
festivale të këngës së lehtë në Korçë, tek të cilat duhet të ketë pasur këngë
melodioze dhe me tekste të mirë.
Korça ka pasur fat të madh në krijimtarinë muzikore dhe në
numurin e madh të instrumentistëve, për dy arsye mendoj unë. E para është
kurbeti i popullsisë të rrethit në Rumani, Bullgari dhe Amerikë, ku emigrantët
nisën të mësonin vegla muzikore dhe e dyta është përqindja e madhe në qytet e
popullsisë së komunitetit egjiptian, ose si i quanim më parë e evgjitëve. Këta
të fundit, përbënin që prej 150 vjet më parë shumicën dërmuese të grupeve
instrumentale(të quajtura saze), që ngjallnin harenë e popullsisë në fejesa,
dasma apo edhe panaire fetare. Vërtet sazet dhe sazexhinjtë këndonin ato që
quajmë muzikë popullore, por disa nga ato këngë ishin v[rtet perla dhe u
riaranzhuan dhe u kënduan nga këngëtarë klasikë të studiuar në Europë, gjatë
viteve ‘20-‘30 të shekullit të XX-të.
Mes sazeve kishte një lloj "hierarkie" të përsosur bazuar në nivelin
artistik dhe shquanin ato të Demir Hajros(Demkës) dhe të Qerimesë. Pjesa tjetër
e popullsisë, u tërhoq shpejt nga instrumentat e thjeshtë me tela(kitarë e
mandolinë) me të cilat ishte e lehtë të këndohej në mjedise të vogla apo edhe
për veprimtari të tipit serenatë(edhe pse këndoheshin më shpesh ditën, për të
tërhequr vëmendjen e vajzave). Duhet thënë që një traditë e tillë është në
gjithë Ballkanin Lindor dhe komplekset e këngëtarëve dh këngët e tyre janë
shumë të ngjashme. Po përmend këtu Rumaninë e jugut, Bullgarinë, Maqedoninë,
Greqinë veriore dhe sigurisht Shqipërinë juglindore. Komplekset e burrave
këndonin në harmoni me dy dhe tre zëra dhe këngët ishin të përshtatura nga ato
të kompozitorëve të huaj, ose edhe nga muzikantë vendas të cilët nuk
pretendonin të kishin statusin e kompozitorit. Në Korçë, si e kam përmendur në
pjesën e parë të këtij shkrimi u dallua Thoma Nasse, i cili kishte studiuar në
Amerikë. Ndihmë për përhapjen e këngëve të kultivuara(qytetare i quajtën një
kohë) dha edhe botuesi Dhori Koti, i cili disa herë botoi tekstet e këngëve më
të përhapura bile edhe me shënimet” këndohet sipa melodisë të x-kënge të njohur
në botë“.
Në të njëjtën traditë të këngëve patriotike me melodi me një
vijë të thjeshtë muzikore, u krijuan gjatë Luftës së Dytë, në bodrumet e
qytetit edhe shumë këngë të tjera patriotike, të cilat më vonë u quajtën këngë
partizane. Pati shumë të kompozuara nga Dhora Leka me tekste të saj apo të
Fatmir Gjatës e Xhuvi Binos, por edhe një ose dy të tilla të kompozuara nga
Kristo Kono. Edhe pse ato këngë nuk kishin karakter të theksuar politik apo
klasor, nga stërpërdorimi në Radio e koncerte apo nga mësimi i detyruar që në
kopësht, filluan të dilnin nga “repertori” i këngëve që këndoheshin në festa
familjare. Ishin tanimë “të damkosura” si këngë të “Korit të Ushtrisë“. Mes
tyre kishte këngë me vlerë si “Hakmarrje Rini” apo “Shqipja jonë mori malet”,
të cilat mund të këndoheshin edhe nga një këngëtar i vetëm, por edhe nga kore
gjigande.
(vijon)
No comments:
Post a Comment