Thursday, 13 March 2014

Ti ke Paranë!


Shprehjen tipike të Katavaroshit, para tre vjetësh ma përmendi disa herë pastruesja Palkë. Unë qeshja me vete se le PARANE,që nuk e kisha patur kurrë, por edhe paraçka nuk kisha dhe aq atë kohë. Më qeshej edhe me filozofinë e Palkës, e cila në të vërtetë ishte jo vetëm punëtore e mirë, por dhe nga njerëzit më të ndershëm që takova majin e 2011-ës në Korçë. Duke dremitur në shtratin tim, ndërsa Palka pastronte "me themel” shtëpinë e posalyer, mendoja rreth raportit të njerëzve me Paranë. Thosha edhe se ndoshta e kanë të drejtë anëtarët e komunitetit rom apo egjiptian, që kryesore në jetë është Paraja. Fundja ata kanë mijra vjet që vërtiten nga India dhe vende të tjera të Lindjes nëpër botë duke kërkuar një jetë më të mirë dhe përvoja ju ka treguar, që kush ‘ka Paranë“ jeton jo vetëm më mirë, por edhe sundon.
Raporti i brezit tim me Paranë, ishte pak i ndryshëm për vetë natyrën e sistemit në të cilin jetonim. Ndoshta edhe nga filozofia që na kishin përcjellë prindërit. Jo se ishim kundër Saj, por nuk kishim ndonjë Nderim të veçantë. Gjatë adoleshencës dhe në rini, kishin vlerë më shumë besnikëria ndaj shokëve, të mosqënit spiun, bujaria, raportet me seksin tjetër, bile edhe “kush e mbante më mirë alkolin”. Më tej ishin të qënit të ndershëm, respekti ndaj më të rriturve dhe një lloj rebelizmi ndaj autoriteteve. Këto vlerësoheshin në rrethet shoqërore në kohën e shkollës së mesme, univeristetit dhe viteve të para të punës.
Më vonë sistemi ndryshoi dhe raportet e njerëzve me Paranë dhe njëri tjetrin patën ndryshim. Nuk mund të them se e diktonte Ekonomia e Tregut, ose pati një përmbysje të çuditshme të konceptit të fuqisë së Parasë. U duk se me Para mund të arrije gjithshka.
Deri diku, ky koncept nuk është tërësisht i gabuar. Paraja është energji që jo vetëm të ndih për të jetuar më mirë dhe të jep siguri në jetë, por edhe të shton Lirinë, atë që e kërkon gjithkush. Veç ka një përvojë të gjallë Historia, që me Filozofinë ‘ti ke Paranë“ nuk mund të shkosh edhe shumë shumë larg. Komunitetet Romë dhe Egjiptianë janë shembulli më i mirë. Paraja jo vetëm është shumë ‘e lëvizshme’, por shpesh jo vetëm nuk mund të të sjellë lumturinë, por nuk të shërben as për të blerë gjëra të rëndësishme në jetë. E mendoja këtë edhe 20 vjet më parë, kur një vajze shembullore i prishej mendja nga një “ronxhobonxho”, që ngiste një makinë luksoze e notonte në para nga biznesi legal apo ilegal i të vëllait. 10 vjet më vonë biznesi u mbyll dhe Paratë ishin shpenzuar e nuk mësova më si e shkonte jetën Vajza shembullore me Ronxhobonxhon.
Dhe jo vetëm kaq, por me Paranë nuk ble dot as sigurinë në jetë. Shembujt e jetëve të shkatërruara të shumë biznesmenëve e dëshmojnë.
Dhe jo vetëm kaq po me Paranë nuk ble dot as Lirinë. Shumë njerëz të mbushur me para janë pjesë e një sistemi prej nga nuk dalin dot edhe po të duan, ose janë të detyruar të mbyllin gojën e të heqin vallen e ndohtur deri në fund.
Dhe jo vetëm kaq, por me Paranë nuk e ble dot emrin e mirë as për veten dhe as për fëmijët e tu.

Ndaj dua , që herën tjetër kur të jem në Korçë dhe puntorja e ndershme Palkë të pastrojë me themel shtëpinë e posalyer të mos më thotë “Ti ke Paranë!”, por të më thotë “Ti ke një emër të mirë!”

No comments:

Post a Comment