Vërtet duket absurde të bëj me faj Benin për essenë e
Bertrand Russell apo më keq akoma, të fajësoj Russell-in për antifetarizmin
ekstrem të Benit. Essenë e tij të famshme “Përse nuk jam i krishterë“ e lexova
në përkthimin shumë të mirë shqip të Beni Kallamatës dhe nuk kam pse ve në
dyshim ndonjë fjalë apo interpretim. Do mundohem t’i jap një përgjigje të parit
për mangësitë në essen e të dytit dhe njëkohësisht do kërkoj paanësinë e të
tretit, që si gjithnjë është avokati im( i njohur tashmë për atë rrugën e
famshme në Berlin).
Më befasoi qartësia e shprehjes e shkencëtarit dhe filozofit
Bertrand Russell, për një temë shumë të gjerë. Të thellë dhe delikate. Ishte e
natyrshme, se bëhej fjalë për një ligjëratë të mbajtur në një mjedis të një
niveli të zakonshëm dhe jo diku në një Akademi apo Universitet të njohur të
Anglisë. Thjeshtësia ndihmon për të bërë më të qartë e më të prekshme idetë e
folësit rreth subjektit, që trajton dhe njëkohësisht shton popullaritetin e shkrimit.
Nuk gërmova të gjeja nëse vetë autori, në vitet më pas ka bërë ndonjë korrigjim
ose jo të Fjalës-esse, apo në shkrime të tjera ka ndryshuar qoftë edhe pakëz
idetë e tij. Po e mar të mirëqënë, që asgjë nuk e ka bërë të ndryshojë mendjen
gjeniut Russell, prej 1927-ës e deri në fund të jetës së tij.
Debate me Benin filloi për një thënie të tij(Shkencërisht
dhe moralisht fetë monoiste kanë qënë padyshim një murtajë për qytetërimin
europian.), të cilën unë e konsiderova si fjali-dogmë sepse nuk përputhet me
historinë e qytetërimit tonë. Për të provuar që nuk ishte dogmë por ide apo
deklaratë e argumentuar shkencërisht, Beni përmendi që autori i saj ishte
B.Russell dhe solli fjalinë të marë nga esseja e sipërpërmendur e që është :
“…feja e krishterë, e
organizuar si ç’është në kishat e saj, ka qënë dhe është armiku kryesor i
përparimit moral në botë.”
Edhe pse thënia e Benit ndryshon shumë nga ajo ç’ka ai quan
si e njëjta gjë e thënë nga Russell, po merrem vetëm me raportin që kanë
ateistët(në rastin tonë Beni dhe jo Russell) të quajnë si të vërteta shkencore
thënie, që përputhen me këndvështrimin e tyre mbi natyrën dhe shoqërinë
njerëzore. Nëse Kisha mbronte idenë e Aristotelit, që “Dielli rrotullohet rreth
Tokës”, kjo për ta ka qënë Dogmë e shkuar dogmës, por nëse Russell thotë që
Feja e krishterë e organizuar në kishat e saj ka penguar përparimin moral” kjo
është ide, bile gati e provuar shkencërisht meqë autori është shkencëtar!! Edhe
Aristoteli ishte autoriteti shkencor më i madh i një mijëvjeçri thë tërë e
megjithatë kishte gabuar në atë pikë e në shumë të tjera.
Duhet që në fillim të them, se në çështjen e Historisë të
Njerëzimit, në rastet më të mira mund të flasim për opinion të argumentuara,
sepse për vetë natyrën e saj, kjo fushë studimi, vështirë se mund të quhet
shkencë e mirëfilltë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment