Friday, 9 January 2026

“Tigri prej llumi” dhe rrëfimet e tij


Arben Ahmetaj është personifikim i shoqërisë së sotme shqiptare. Ish-servil, ish-hajdut, ish-batakçi, tashmë ka dy vjet që shfaqur edhe dy cilësi të tjera të shqiptarit- hakmarrjen dhe dyfytyrësinë.

Ahmetaj vetëm tigër nuk ka qënë dhe nuk është. Ose mund ta quajmë një “tigër prej llumi”, që në varësi të materialit nga është ndërtuar nuk mund të ketë as shtyllë kurrizore dhe as eshtra të tjera. Ndaj edhe pse i bie gjoksit të tij të llumtë, se nuk ka frikë, është thjesht një frikacak që po i bën një lloj shërbimi Shqipërisë.

Për të qënë më të saktë, shërbimin Shqipërisë po ja bëjnë qëniet e tjera të llumta, që kanë njohuri dhe dokumeta brenda qeverisë shqiptare. Janë ata që e furnizojnë vazhdimisht Ahmetajn, në mënyrë anonime apo të drejtpërdrejtë me materiale rreth aferave të mëdha korruptive të Ramës. Dhe kanë një motiv kryesor për ta bërë këtë- dëshirën për tu larguar hajdutët e mëdhenj dhe të zëvendësohen me disa hajdutë të tjerë, Eshtë pikërisht “lufta brenda llojit” që e sjell këtë. Janë xhelozitë për paratë e shumta të Veliajt dhe Ballukut, që shpinin dosje në Ahmetaj dhe prej aty në SPAK.

Dyshoj se mund të jenë nga figurat kryesore brenda qeverisë dhe PS-së. Edhe Nicolo DiLana, që në dukje është një “shërbëtor i bindur” i Ramës, mund të dërgojë“pa emër” dosje në Ahmetaj, nga inati se kur ishte zv.kryeministër i qeverisë Rama 1 nuk mundi të vidhte sa vodhi Ahmetaj apo më vonë Balluku. Njëkohësisht edhe për të shtuar shanset që të kapë ai ose njerëzit e tij vende kyçe që kontrollojnë tendera.

Si DiLana këtë mund ta bëjë Xhafa, Balla, Gjiknuri, Klosi dhe shumë të tjerë që po presin të rrokullisen kokat e prera të Rilindasve (përfshi edhe Ramën) në mënyrë që nëpërmjet elektoratit të madh punisto-socialist të kenë vende kyçe në Qeveri.

Po a i shërbejnë vërtet shqiptarëve me këtë lojë disi të ndyrë Ahmetaj dhe denoncuesit e lartë brenda PS-së? Përgjigja nuk mund të jetë e prerë dhe plotësisht e njëkahshme. Eshtë një situatë e kundërt me atë që populli e thotë: “Korbi korbit nuk ja nxjerr sytë“. Repartet e llumta të PS-së po përplasen me njëri tjetrin. Fronti është një, por grupimet mund të jenë të ndryshme. Fronti është goditja ndaj Ramës dhe të përkëdhelurve të tij, me mundësinë për t’i rrëzuar të gjithë ose në rastin më të keq, për të zënë vendin e Ballukes apo grupit të AKSH-it.

Në nivelet e larta të Partisë Socialiste nuk ka njerëz të papërzjerë në vjedhje!

Por edhe pse “të llumtët “janë gati njëlloj, lufta ndaj Ramës dhe dobësimi i tij i sjell dobi Shqipërisë. Rama manifestoi prirjet tejet autokratike dhe ndihu në sofistikimin e mekanizmit qeveri-krim i organizuar. Nëse do rrëzohet ( kam shumë dyshime për këtë) askush nga PS nuk ka ambicien, aftësitë e tij intriguese, arrogancën dhe vullnetin për të bërë çdo lloj poshtërsie që të rrijë në pushtet. Pra prishet modeli i krijuar veçanërisht prej viti 2017 dhe cilido krah (i majtë a i djathtë) të vijë në fuqi do e ketë vështirë ta përsërisë.

Por edhe nëse Rama nuk bie, pushteti i tij i pakufizuar dobësohet dhe kjo nuk është pak.

Duke lënë “palloshin e llumtë“ le të kthehemi në dyfytyrësia e “tigrit të llumtë“, që duket sot si varrëmihësi i Ramës.

Në përpjekjet e tij hakmarrëse, Ahmetaj përpiqet të paraqitet si viktimë, kur përmend “po i kërkoj falje popullit shqiptar se kam qënë naiv” apo kur citon bisedën me Ditmir Bushatin “ e mora postin e zv.kryeministruit jo për Ramën, por për rrugën” thua se po sakrifikohej për protestuesit socialistë.

Ahmetaj është një zarbë, që qysh se ka hyrë në grevën e urisë studentore apo në grevën e urisë “për hapjen e kutive” në mendje ka patur dobinë financiare që do i sillnin të ashtuquajturat sakrifica. Ai pat “lundruar” nga një krah politik në tjetrin, pikërisht për të mjelë “lopën e madhe të fondeve shtetërore” dhe e ka arritur. Ndoshta në këtë karrierë edhe ka qënë i zoti për të gjetur mënyra se si mund të vidhet “më shpejt, më mirë dhe më lirë“. Por nga ç’kam parë pjesë nga intervistat e tij nuk duket as shumë i zgjuar dhe as rafinato.

Eshtë thjesht ai, qëvetë e thoshte hapur dikur kur ishte pjesë e Qeverisë: “Po na përdor o Edi se për këtë punë jemi këtu!”

Po ndoshta edhe ky rast kundërshton shprehjen vulgare të popullit: “Nuk lahet m... me shurrë!”

Mbase edhe zgërlaqet pak.

No comments:

Post a Comment