Thursday, 29 January 2026

Prof. dr. A.Vokshi dhe arkitektët “e djathtë“


Emrin e Armand Vokshit nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë më parë, ndoshta për shkak të diferencës në moshë me mua, por edhe pse para se të emigroja në Kanada, unë isha një “arkitekt province”, që kisha pak të bëja me Metropolin dhe me “asat” e arkitekturë shqiptare. Edhe marëdhëniet me Fakultetin e Ndërtimit (më pas i ndarë edhe në disa fakultete, ku hyn dhe i Arkitekturës) kishin mbetur në vitin e largët 1984, kur isha diplomuar. Nuk kisha vënë më këmbë në Universitetin që më kishte formuar si arkitekt.

E dëgjova për herë të parë, të përmendej gjatë një bisede telefonike me Prof.dr.ing. Pirro Thomon, kur pyeta se kush e drejton programin e Masterit për Restaurim në Universitetin Politeknik.

Para disa ditësh, ndërsa kërkoja të dija më shumë rreth çmimit “Mjeshtër i Arkitekturës” (Nuk di nëse ka edhe titull “Mjeshtër i Madh i Arkitekturës”), hasa sërish në emrin e kolegut Vokshi, që kishte udhëhequr procesin e nominimit dhe të dhënies së çmimeve. I pari “Mjeshtër” ishte shpallur Maks Velo, i dyti Petraq Kolevica dhe në fund tre studiuesit Meksi, Riza dhe Thomo. Të pestë inxhinierë të diplomuar në Universitetin e Tiranës. Vetëm Velo dhe Kolevica patën punuar si arkitektë.

Në pesë mjeshtrat, 3 janë të lindur në Korçë, që është edhe një dëshmi më shumë e talenteve që ka nxjerrë qyteti jonë, edhe pse vetëm Petraqi ka lënë vepra të cilësisë së parë në Korçë dhe në Shqipëri. Për të është shkruar shumë dhe titulli i duhej dhënë shumë kohë para se Kolevica të ishte në një karrige me rrota. E megjithatë më mirë vonë se kurrë dhe për këtë mendoj se ark.Vokshi duhet lavdëruar.

Më ra në sy diçka e përbashkët e të lauruarve, që më solli ndërmend një shkrim të hershëm të Artan Lames, të cilit i isha përgjigjur me mllef në të njëjtën gazetë shqiptare. Lame paralajmëronte “arkitektët e djathtë“ se ju kishin lënë një Tiranë të srtudiuar mirë dhe të mos guxonin ta prishnin. Më pat skandalizuar nocioni i “arkitekt i majtë“ dhe “arkitekt i djathtë“ dhe duke e ironizuar i hodha poshtë ato ç’ka rrjeshtonte në shkrimin e tij.

Por a ka edhe në mendjen e Vokshit ndarje të tilla?

Unë nuk dua ta besoj, por nga “Mjeshtrat e Arkitekturës”, një ka qënë kryeminstër i djathtë, dy deputetë të djathtë, një kandidat për deputet i djathtë dhe një ish i burgosur politik, që ka anuar gjithnjë nga krahu i djathtë.

Ndonjë koleg mund “të më hidhet në grykë“ e të më akuzojë për miopi profesionale, për nihilizëm të sprovuar, për zili arkitekturore (kjo është krejtësisht e sajuar dhe pa kuptim, por më tingëllon bukur ndaj e shkruajta) e të tjera, e të tjera. Të tjerë mund të argumentojnë se kriteret kanë qënë profesionale dhe prirja ishte t’ju jepej më të moshuarve, që të mos mbetej t’ju akordohej post-mortum dhe unë me të gjitha këto pajtohem edhe pse nuk di cilët arkitektë të shquar shqiptarë jetojnë dhe si klasifikohen nga mosha.

Por gjithashtu rezervoj të drejtën të them se SHASH i dha titullin e parë të ndjerit Maks Velo, që ka qënë më mesatari mes arkitektëve mesatarë shqiptarë. Për këtë do i referohem jo mendimit tim personal për veprën e tij, po një analize të mbajtur nga Sokrat Mosko në vitin 1971 në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Ishte kulmi i liberalizmit dhe Mosko theksonte domosdoshmërinë e modernizmit në arkitekturë. Mes më shumë se 35 emrave të përmendur për mirë bashkë me veprat e tyre, emri i Velos nuk preket edhe pse Maksi kishte mbi 11 vite që punonte si arkitekt në Zyrën e Urbanistikës në Tiranë.

Por le të themi se Mosko ishte subjektiv ndaj Velos, ose se veprat e tij më të mira janë pas vitit 1971. Nëse e para mund edhe të ketë ndodhur, e dyta të bën pak të dyshosh, se janë vetëm 6 vite të tjera pune dhe prej tyre 4 vite janë pas Pleniumit IV famëkeq që goditi liberalizmin në art dhe kulturë.

Por si në çdo lloj arti, veprat mbeten gjatë dhe pavarësisht nga opinionet e bashkëkohësve (pro ose kundër) specialistët e sotëm mund të vlerësojnë se cilët janë ata që kanë projektuar më me cilësi në periudhën e Diktaturës dhe pas saj. Dhe përsëri opinionet mund të variojnë se qasja ndaj një vepre arkitekturore nuk është gjithnjë e njëjtë. Por kriteri bazë duhet të jetë “produkti arkitekturor” i parë në raport me arkitekturën ndërkombëtare të kohës dhe në kuadrin e një vendi të varfër dhe të izoluar si Shqipëria. Nuk ka pse të quhesh mjeshtër për shkak të “kohës së munguar”, të “mendimit kritik”, apo të “marrjes me poezi dhe pikturë“.

Prof.dr Vokshi, në një intervistë pas largimit nga jeta të Maksit thotë “...ai thithi frymën e Lëvizjes Moderne në thellësinë e saj dhe arriti ta perthyejë atë në qytetet tona” dhe më tej “ Ai arriti të lidhë...

artin dhe poezinë me shkencën e ndërtimit”dhe e mbyll me “Ai ishte një institucion më vete i prodhimtarisë së debatit profesional.” (Këtë të fundit unë nuk e përkthej dot në shqip ndaj ftoj lexuesit të më ndihin.)

Pa dashur të zgjatem tek veprimtaria e Maks Velos si arkitekt, unë dua të theksoj dika që ndodh në Mëmëdhe dhe që lidhet me “qokat” apo dhe me përdorimin e “gradave dhe titujve” për lidhje individuale apo preferenca politike. Vokshi (dhe të tjerët) janë ngutur në akordimin e titujve, sepse për mendimin tim atë e meriton vetëm Petraq Kolevica. Edhe pse ky shkrim kaq i vonuar, duket pakuptim (titujt janë dhënë më 2019-20) unë e shkruajta për të tërhequr vëmendjen e kolegëve, që vlerësimet për të kaluarën dhe të sotmen, për projektet arkitekturore dhe urbanistike, nuk duhen lënë në dorën e Vokshëve, që shkruajnë broçkulla si ato që citova më lart.

Personalisht, nuk do e shpija kurrë nipin të studionte në një Fakultet që drejtohet nga një prof.dr, i cili përdor në intervista një “tautologji absurde” si për të “rrejt katnarët”.

Arkitektura kërkon profesionalizëm, ndershmëri dhe integritet. Dhe këto nuk mund të t’i mësojë Vokshi.


No comments:

Post a Comment