Friday, 2 January 2026

Në kujtim të babait


Këtë vit Andon Mara do ishte 104 vjeç. Janë shumë të rrallë ata që i kalojnë të njëqindat mbi këtë dhe. Im atë është larguar shumë vjet më parë. Pa hyrë në pleqëri.

Kjo afishe që i përket vitit 1957 më kujton se ai ishte mendërisht dhe profesionalisht i pjekur në një moshë shumë të re. Ka qënë vetëm 34 vjeçar kur pat marrë përsipër bashkë me Aleko Skalin të shkruante libretin e një operete edhe pse nuk ishte as poet dhe as dramaturg i mirëfilltë. Parapëlqente ta quante veten shkrimtar i prozës së shkurtër. Dhe përmbledhje me tregime ishin librat që pat botuar gjatë jetës. I pari (Shtëpia e Xha Milit), kur në Shqipëri botoheshin jo më shumë se 10 tituj në vit të shkrimtarëve shqiptarë.

Unë nuk i njoh vlerat e operetës “Së bashku jeta është këngë“, sepse as nuk e kam lexuar libretin dhe as nuk e kam parë operetën të vënë në skenë. Di që ishte opereta e dytë shqiptare dhe sipas afishes, vihej në skenë në kuadrin e 40 vjetorit të Revolucionit të Madh të Tetorit!

Nuk di gjithashtu nëse kishte ndikim nga veprat homonime sovjetike, dhe e ve këtë në dyshim se edhe kompozitori (Kristo Kono), por edhe bashkëautori i libretit (Aleko Skali) nuk kishin asnjë lidhje me muzikën dhe letërsinë sovjetike.

Por di që fliste rreth jetës në një fshat shqiptar në prag të kooperativizimit dhe jam i sigurt që pat pasur një orientim nga Komiteti i Partisë i rrethit për të krijuar një vepër të tillë. (Të tre autorët ishin qytetarë sui generis dhe e njihnin pak fshatin dhe aq më pak procesin e kolektivizimit të bujqësisë.)

Dua të hap këtu një parantezë rreth kooperativave, gjë për të cilën kam folur me babanë dhe që ai e njihte hershëm. Kooperativat bujqësore nuk janë një koncept sovjetik dhe aq më pak marksist. Ato kanë lindur në Europë që në shekullin e XXVII për nevojat e bujqve për një administrim dhe përfitim më të mirë të tokave dhe prodhimeve të tyre bujqësore. Të tilla ka pasur në Francë dhe Greqi, por më të njohurat, të cilat ekzistojnë edhe sot dhe janë fitimsjellëse janë kibucet e hebrenjve.

Natyrisht që sho Enver nuk e gjeti modelin as në Greqi dhe as në kibucet, por në kolkozet sovjetike për të pasur më në kontroll prodhimet bujqësore dhe fshatarësinë shqiptare të madhe në numur, që sipas teorisë marksiste “kishte prirje mikroborgjeze“.

Duke u kthyer në historia e krijimit të operetës, ky ka qënë motivi i krijimit të saj. Por (po spekuloj) them që propaganda brenda saj duhet të ketë qënë e zbehtë, se nuk ka pasur rivënie në skenë, por dhe as ritransmetime të pjesëve në radion qëndrore dhe atë lokale. Dhe shkak për këtë nuk mund të ve të hamend[soj “nivelin e ulët artistik”, se në vitet ‘60. ‘70, por edhe më vonë kishte transmetime dhe ritransmetime të turli këngësh apo pjesësh teatrale vërtet të dobëta. E megjithatë më duhet të pranoj se nuk kam dijeni cila ishte arsyeja e “bllokimit” të saj. Nuk mund të them as se si temë ishte e tejkaluar në kohë, pasi televizioni shqiptar , transmetonte dhe ritransmetonte filmin “Përballimi”, i cili prekte një periudhë kohe të afërt dhe që ishte thuajse tërësisht propagandistik.

Im atë e zinte rrallë në gojë operetën, ndaj dhe unë di shumë pak rreth saj. Më ka mbetur në kujtesë vetëm një duet i një çifti të rinjsh (të cilëve nuk ju di as emrat), që këndohej në shtëpi nga ime më, e cila zakonisht këndonte kur bënte punët e shtëpisë. Ishte linja e dashurisë, brenda kuadrit të përgjithshëm të jetës kolektive që po ndërtohej në fshat.

Ai- Ja këtu të zura, ja të kam në dorë

Ti do të më tretesh porsi top dëborë!

Ajo- Unë shkas nga dora edhe fluturoj

Bëhem grerë e keqe edhe të thumboj.

Ai- Nuk trembem unë, nuk dua t’ja di

Grerë qofsh a bletë, do të mbaj në gji.

Ajo- Prit të vijë vera!

Ai- Nuk pres unë jo!

Ajo- Prit se do na shohin!

Ai- Hajde më pushto!

A ishte opereta “Së bashku jeta është këngë“ vepër e mirëfilltë e realizmit socialist?

Besoj se po.

Nisem jo vetëm nga fakti se nuk mund të viheshin në atë kohë në skenë vepra të një rryme tjetër, por edhe duke njohur natyrën e babait, me shikim realist dhe optimist të jetës shoqërore në përgjithësi, idea se njerëzit mund të jetonin më mirë dhe më të lumtur, po qe se do punonin dhe jetonin bashkë, larg interesave meskine, mund ta frymëzonte për të shkruar diçka, proletare, tipike, realiste dhe në përputhje me Vijën e Partisë, që janë katër karakteristikat e reealizmit socialist.

No comments:

Post a Comment