Para dhjetë ditësh hodha në blog një shënim të shkurtër të titulluar “Korça dhe bijtë e saj “bastardë“” Ishte një përgjithësim për shumë e shumë korçarë, që “përgjërohen” për Korçën, por mjaftohen me “përgjërimin” pa bërë shumë për të. Kisha përmendur tre emra, nga një për brezat – tradicionalist, baby boomers dhe brezin X. Mund të kisha vazhduar edhe me shembuj nga brezat e mëvonshëm, por e gjykoja se të tjerët ishin më të rinj dhe detyrimisht më pak “mëkatarë“ në raportet dashuri-braktisje-lëndim të “qytetit amë“.
Ndoshta nuk duhet të kisha zgjedhur cilësorin “bastard”, sepse tingëllon si “doç” dhe asnjë nga tre të përmendurit nuk është korçar ilegjitim. Të tre të lindur në Korçë nga prindër korçarë.
Përveç “bastardit baby boomer”, që është autori i këtyre rrjeshtave, dy të tjerët u zemëruan. Doktor Ivi Kasimati nuk ju përgjigjet kërkesave të mija të vazhdueshme për informacion rreth jetës dhe karrierës të të atit dhe të gjyshit, ndërsa doktori i shkencave Pirro Thomo, më dërgoi një letër të gjatë ku mes objeksioneve të tjera, për të tjera shkrime, shprehte një lloj indinjate për shkrimin e “bastardëve”.
“Mirë ta kanë bërë!”- do hidhen menjëherë të njohur dhe të panjohur të mij brenda dhe jashtë Shqipërisë. “Kush të jep ty të drejtën t’i quash bastardë! Ke shpëtuar që nuk të kanë hedhur në gjyq!”- mund të vazhdojnë më të revoltuarit.
Por edhe të revoltuarit dhe të zemëruarit nuk kanë kuptuar një gjë tepër thelbësore. Shkrimi ka të bëjë me pasivitetin tonë ndaj asaj çka ndodh në qytetin që duam. Ka të bëjë me heshtjen tonë ndaj politikave të gabuara për zhvillimin e tij të ndjekura nga qeveritë e ndryshme apo nga administratat vendore. Ka të bëjë me atë që në vend të thuash: “E mo Korça ka mbaruar. Eshtë mbushur me fshatarë!”, të kujtosh se gjyshërit tanë ishin fshatarë të “zbritur” në “Gjorixhe”, por që bënë shumë për të lulëzuar atë qytet. Po njëlloj do bëjnë edhe fshatarët e ardhur, por duan edhe ndihmën tonë, edhe kritikat tona, edhe këshillat tona.
Dhe më kryesorja është që rrinë kafeneve dhe llomotisin për dëmet që ka sjellë “administrimi i korruptuar” i dyshes Peleshi-Filo. Të revoltuarit me ta (që mund të jenë edhe të revoltuarit me shkrimin tim) duhet t’i lëvizin prapanicat e dystara në karriget e kafeneve dhe të bëjnë diçka për t’ju treguar vendin “bastardëve të vërtetë“ të Korçës.
Unë nuk i kërkoj falje as Naumaq Marës, as Pirro Thomos dhe as Ivi Kasimatit për atë ç’kam shkruar. Mendoj po njëlloj si dhjetë ditë më parë dhe nuk kam asnjë dashakeqësi ndaj dy të përmendurve në fund. Madje di që kanë bërë në kohë të ndryshme për qytetin.
Problemi është që duhet të jemi të ndershëm me vetveten. Të pranojmë që nuk jemi bij shëmbullorë të qytetit ku kemi lindur. Të pranojmë që kemi mbajtur gojën mbyllur kur kemi qënë të ndërgjegjshëm se qyteti po dëmtohet. Dhe e kemi bërë që të mos prishemi me autoritetet fajtore, që të fitojmë diçka nga fondet publike, apo të mos na quajnë “kritizerë“ apo “të vështirë“.
Korça ndoshta do ketë jetë të gjatë, a ndoshta edhe mund të “vdesë“ pas dy tre dhjetvjeçarëve. Qytetet lindin dhe vdesin. Ka vetëm një qytet “të përjetshëm” - Roma.
Por në vend të hedhim pas shumë vitesh “një dorë dhe” mbi “banesën e fundit” të qytetit tonë të dashur, e mira është të përpiqemi ta gjallërojmë.
Por kjo nuk bëhet duke mbyllur sytë dhe duke thënë “...shihe Korçën si një nga polet turistike me dyndje të paparë.“, sikundër më shkruan mentori im i dikurshëm, ing Pirro Thomo në letrën e tij kundërshtuese.
No comments:
Post a Comment