Rikthimi në kujtimet e kohës së “studentllëkut” është shënjë e “pleqërisë së kohëshme”, të cilën më duhet ta pranoj vetë se ndryshe do jem, si e thonë këta këtej, ”in denial”, që nëse e përkthej në google del “në mohim”, por që nuk tingëllon 100% shqip.
Një pjesë kujtimesh janë më të freskëta, një pjesë edhe “të spërdredhura” nga koha dhe të ndikuara edhe nga ngjarje të tjera, por unë do i hedh në blog, ashtu si më sillen në mendje. Për fat të keq nuk kam mbajtur kurrë në jetë ditar, gjë që mund t’i bënte më të sakta sot.
Historia e Arkitekturës ishte një lëndë, që shtrihej në dy vjet të studimeve dhe drejtohej nga pedagogia ing. Vera Bushati. Periudha të caktuara i mbulonin edhe pedagogë të tjerë të jashtëm.
Një cikël leksionesh mbi arkitekturën shqiptare mbulohej nga studiuesit e arkitekturës, të cilët punonin në Institutin e Monumenteve dhe në atë të Kulturës Popullore. Nuk e kujtoj me saktësi nëse bëhej fjalë për leksione dy orëshe, ose të shtrirë në disa ditë, por i kujtoj të gjithë ata që na “hapën sytë“ në traditën e ndërtimeve shqiptare.
Ing. Aleksandër Meksi na mbajti leksione rreth ndërtimit të kishave shqiptare në periudhën e Mesjetës dhe dëshmonte njohje të mirë të materialit dhe kishte energji në shpjegimin e tij. Nuk kishte në atë kohë as leksione të shtypura dhe as tekste dhe ne na duhej të mbanim ndonë shënim, që nuk e bënim se përtonim ose nuk e gjenim të arsyeshme ta bënim. I besonim kujtesës.
Ing. Pirro Thomo na dha leksione që silleshin rreth banesës popullore (kryesisht të Veriut) dhe ishte i shtruar në shpjegim, por jo shumë tërheqës, ndoshta nga një mungesë përvojë në mësimdhënie. Unë e kisha njohur gjatë punës dhe Pirroja ishte shumë punëtor dhe energjik.
Nuk më kujtohet se ç’fushë të arkitekturës shqiptare mbulonin leksionet e Apollon Baçes (ndoshta fortifikimet e Mesjetës), por di që në orët e tij na vinte të qeshnim me të madh. Dikush na kishte thënë që Baçe kishte qënë i trajnuar për pilot në Bashkimin Sovjetik dhe një nga ne pat bërë një karikaturë të tij me syze piloti. Tek Apolloni binte në sy dëshira për të rënë në sy të vajzave dhe shpesh herë mundohej të demonstronte kulturën e tij të gjërë, që na bënte gati të gajaseshim (kuptohet pas shpinës së tij).
Ing. Emin Riza, që na jepte njohuri rreth banesave të Gjirokastrës dhe Tiranës. Ishte i shtruar dhe me dije, por ndjehej që kishte një lloj bezdie në dhënien e leksioneve dhe mezi priste që të mbaronte ora e gjatë prej 90 minutash.
Më “i dashuri” për ne ishte Gjerark Karaiskaj, që rrinte në tryezën e pedagogut dhe me një zë monoton, na lexonte leksionin që mbante para, të cilin ne nuk e dëgjonim, por dhe atij nuk i bëhej vonë se nuk e dëgjonte kush. Nuk jam i sigurt nëse Gjerarku e shoqëronte leksioni me diapozitiva si bënin të tjerët. Por ne ishim student dhe si të tillë, ishim tërësisht të shkujdesur për leksionet e Karaiskajt për fortifikimet ilire dhe as na dukej se mund të na ndihnin në formimin tonë si arkitektë të ardhshëm.
Këto ishin ngjarje të viti 1981, kur ne ishim disa “marrokë“ të rinj dhe lektorët tanë ishin mesoburra me kostume dhe me nga një çantë të madhe lëkure ku mbanin leksionet dhe kasetat me diapozitivë.
Disa vite më parë, Meksi, Thomo dhe Riza morrën nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, titullin “Mjeshtër i Arkitekturës”. Diçka shumë e rëndësishme kishte ndodhur në 40 vite që këta studiues të nderuar të ndërtimeve dhe arkitekturës i kishte bërë jo vetëm arkitektë, por edhe Mjeshtra. Nuk besoj se në atë vendim ka ndikuar e kaluara e Meksit si Kryeministër i Shqipërisë, apo e Eminit si deputet. (Thomoja ishte tërhequr nga politika pas një konkurimi për deputet më 1991)
Sigurisht që SHASH nuk ka peshën që kishte dikur Presidiumi i Kuvendit Popullor, që jepte titujt “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste” apo edhe “Artist i popullit” dhe “Artist i Merituar”, ndaj edhe titulli “Mjeshtër ” i SHASH është më shumë një vlerësim për një karrierë të gjatë studimore. Gjithashtu dhënien e titujve nuk duhet ta fusim në kategorinë “qokë“, ku hyjnë shumë ngjarje të ngjashme në Atdhe.
Eshtë më shumë një kujtesë qortuese për ne studentët e atëhershëm të arkitekturës, që nuk patëm hapur mirë sytë dhe veshët të mësonim sa më shumë nga Mjeshtrat e ardhshëm.

No comments:
Post a Comment